Papa n? Greqi, tek gurrat e dialogut, nd?rmjet krishterimit e filozofis?
R. SH. - Vatikan
Shtegtimi i Françeskut në Greqi ndërthuret me historinë e krishterimit dhe të qytetërimit përendimor. Takimi i vlerave të krishtera me ato të kulturës helenike qe vendimtar për përhapjen e krishterimit e jo vetëm në Evropë. Siç na e pati kujtuar edhe Gjon Pali II gjatë shtegtimit të tij apostolik në Greqi në vitin 2001, “vepra e filozofëve dhe e apologjistëve të krishterë, krijoi kushtet për fillimin, në gjurmët e Shën Palit e të fjalimit që pati mbajtur në Athinë, të një dialogu të frytshëm ndërmjet fesë së krishterë e filozofisë. Ballafaqimi i krishterimit me filozofinë greke i hapi rrugën një dialogu, që u zhvillua ndërmjet elementeve të harmonishme e risive themelore, të lidhura me kumtimin e Ungjillit”.
Nga Athina, në Romë
Marrëdhëniet ndërmjet krishterimit dhe filozofisë i dëshmojnë edhe veprat e artit, që shtegtarët dhe turistët e ardhur nga mbarë bota mund t’i admirojnë në Vatikan. Ndërmjet tyre, afresku i famshëm “Shkolla e Athinës” vepër e Raffaello-s, në Stancën e Segnatur-ës të Muzeve të Vatikanit. I realizuar në një arkitekturë vigane rinashimentale, afresku frymëzohet nga projekti i Bramantes për përtëritjen e Bazilikës paleokristiane të Shën Pjetrit.
Në këtë vepër madhore mund të sodisim filozofët më në zë të lashtësisë. Disa njihen menjëherë, si t’i kishim takuar pak më parë: në qendër është Platoni, me gishtin përpjetë e me librin e tij titulluar Timeo në dorë; pranë tij, Aristoteli. Më pas edhe Pitagora, që duket sikur na shpjegon kohën dhe filozofinë e tij. I shtrirë mbi shkallët, Diogjeni. Pas tij, Herakliti, që mbështetet mbi bllokun e mermerit, nësa përgatitet të shkruajë mbi një fletë. Në skenë duken edhe Eukalidi, që u jep nxënësve mësimin e gjeometrisë; Zoroastri, me një glob qiellor e Ptolemeu me atë tokësor.
Duke iu drejtuar anëtarëve të Parlamentit evropian më 25 nëntor të vitit 2014, Papa Françesku pati kujtuar pikërisht këtë vepër, për të përshkruar historinë e Kontinentit Evropian, “që u krijua përmes takimit të vazhdueshëm të qiellit me tokën”:
“Një nga afresket më të famshme të Raffaello-s, që ndodhen në Vatikan, paraqet atë, që njihej si Shkolla e Athinës. Në qendër janë Platoni e Aristoteli. I pari me gishtin drejt lartësive, drejt botës së ideve, mund të themi, drejt qiellit; i dyti, me dorën drejtuar përpara, drejt atij që e shikon, drejt tokës, realitetit konkret. Më duket një pikturë, që e përshkruan si s’ka më mirë Evropën dhe historinë e saj, të krijuar nga takimi i vazhdueshëm ndërmjet qiellit e tokës, ku qielli tregon rrugën drejt së mbinatyrshmes, drejt Zotit, tipar i përhershëm dallues i njeriut evropian, e toka kujton aftësinë praktike e konkretete për t’u bërë ballë situatave e problemeve”.
Marrëdhëniet ndërmjet fesë së krishterë e filozofisë
Etërit e parë të Kishës reflektojnë, posaçërisht, për botën platonike e neoplatonike, për të përshkuar “hopin” themelor: nga lògos, në qendër të reflektimeve të shumë filozofëve grekë, tek e vërteta e kumtuar nga Jezusi. Duke folur për marrëdhëniet e fesë së krishterë me filozofinë, profesor Rocco Pezzimenti, pedagog i filozofisë politike pranë Universitetit Lumsa, ndalohet sidomos tek një skenë: ajo e Kalvarit dhe e kryqëzimit.
E pyesim:
Cilat janë tiparet, që e dallojnë takimin e mendimit klasik të qytetërimit grek me krishterimin e zanafillës?
“Mund të nisemi nga versetet ungjillore të Gjonit, në çastin kur Krishti dënohet me kryqëzim. Gjoni është i vetmi apostull i pranishëm, që kujton se mbishkrimi “Jezus Nazareni, mbret i judenjve” qe shkruar në tri gjuhë: greqisht, latinisht e aramaikisht. Pra, në gjuhën e vendit, në atë të kulturës lindore e në gjuhën e kulturës perëndimore. Ky është një fakt krejtësisht i veçantë, që nuk e kemi në asnjë çast tjetër të historisë, pikërisht për të dëshmuar këtë sintezë të jashtëzakonshme, që do të zhvillohej më pas.
E po të mendojmë për Palin, apostullin e popujve, në fund ndjek pikë për pikë çka shkruhej mbi kryq: “Me formim hebraik, mbart me vete filozofinë dhe kulturat, që popujt e tjerë nuk i kishin. Shkruan greqisht, është qytetar romak e, në Letrën drejtuar Romakëve, pohon rëndësinë e drejtësisë e të ligjit. Pali, e thotë ai vetë në fund të përshëndetjeve në Letrën drejtuar Romakëve, dëshironte të rrinte ndonjë ditë në Romë, për të kaluar, më pas, në gadishullin iberik e për t’i ungjillëzuar edhe këto troje. Pali përmbledh, çka u shkrua mbi Kryq: kulturat e lashta".
A ka filozofë e mendimtarë grekë, që ndikuan, e jo pak, mbi krishterimin e kohëve të para?
“Ne zakonisht flasim për Aristotelin, por ndeshja me krishterimin do të vinte shumë kohë më pas, në fillimet e mijëvjeçarit II. Duhet menduar një herë për botën platonike e neoplatonike. E këtë mund ta njohim, posaçërisht, në patristikë e sidomos, në atë latine. Nuk është e rastit që vetë Agostini thotë se u kthye në fenë e krishterë duke lexuar Ciceronin dhe një vepër, që sot ka humbur. Pa harruar se mendimi grek e kultura helenike luajtën rol të dorës së parë në zhvillimin e krishterimit, jo vetëm në Evropë e në pellgun e Mesdheut. Mjafton të mendojmë se Besëlidhja e Re u shkrua greqisht.
Por do të ishte gabim po të pohonim se krishterimi u rrënjos mbi kulturën filozofike greke. Ka një mori cilësish, që e dallojnë nga kjo kulturë: krishterimi i jep kuptim unicitetit të ngjarjes, unicitetit të njeriut, unicitetit të shpirtit. Kemi, pastaj, edhe ndikime të tjera, të natyrës politike: krishterimi është kundër skllavërisë, që në kulturën greke shikohej si e tillë për vetë natyrën e saj. Në botën latine bëhet një hap para, sepse skllavëria shikohet si pasojë e ligjit, kështu ishte e mundur që skllavi të lirohej. Po kultura e krishterë e hedh poshtë gjithë këtë, duke sjellë një mori risish. Krishterimi nuk i njeh klasat e ndryshme, nuk bën dallime: në të nuk ka asnjë ndryshim ndërmjet sekseve e kulturave. Të gjithë janë të barabartë. Sepse të gjithë, bij të Zotit”.