杏MAP导航

K?rko

Audienca e p?rgjithshme Audienca e p?rgjithshme

Papa: lutuni p?r udh?timin n? Qipro e n? Greqi, do t? jem pran? njer?zimit t? plagosur

N? fund t? audienc?s s? p?rgjithshme, Papa u shprehu shtegtar?ve n? Sall?n Pali VI shpresat p?r vizit?n e tij t? 35-t? apostolike n? t? dyja vendet “e pasura me histori, p?rshpirt?ri dhe qytet?rim”

R.SH. - Vatikan

Një udhëtim drejt gurrave të fesë dhe vëllazërimit ekumenik, një udhëtim për të prekur mijëra emigrantë të plagosur nga jeta. Papa Françesku kërkoi sot lutje për shtegtimin e tij në Qipro dhe në Greqi, i cili do të fillojë nesër, më 2 dhjetor, e do të vazhdojë deri të hënën e ardhshme, më 6 dhjetor. Në fund të audiencës së përgjithshme, Ati i Shenjtë u shprehu besimtarëve në Sallën Pali VI shpresat për vizitën e tij të 35-të apostolike, me etapa në Nikozi, Athinë, Lesbos.

“Nesër do të shkoj në Qipro dhe më pas në Greqi për t’u bërë një vizitë popujve të dashur të atyre vendeve të pasura me histori, përshpirtëri dhe qytetërim. Do të jetë një udhëtim në gurrat e fesë apostolike dhe të vëllazërimit ndërmjet të krishterëve të traditave të ndryshme”.

“Do të kem mundësinë edhe t’i afrohem njerëzimit të plagosur, përfaqësuar nga shumë emigrantë në kërkim të shpresës”, vërejti më pas Papa Françesku, duke iu referuar vizitës në “Qendrën e Pritjes dhe Identifikimit” në Mytilene, e cila shënon etapën e dytë - pas asaj të prillit 2016 - në një kamp refugjatësh në ishullin grek, epiqendra e dramës migratore, që ka përfshirë dhe shqetëson Evropën. “Të kërkoj të më shoqërosh me lutje”, i drejtohet Papa secilit, duke përsëritur ftesën e fillimit të papnisë, që bëhet më urgjente në afërsi të çdo vizite apostolike.

Udhëtim në gurrën e fesë

Edhe në videomesazhin e 27 nëntorit drejtuar popullsive greke dhe qipriote, Papa Françesku kërkoi lutje kolektive për këtë “shtegtim në gurrat” e vëllazërimit, të rrënjëve evropiane dhe të njerëzimit. “Do të shkoj sërish në Lesbos, me bindjen se gurrat e jetesës së përbashkët do të lulëzojnë sërish vetëm përmes vëllazërimit dhe integrimit: së bashku. Nuk ka rrugë tjetër dhe me këtë ‘iluzion’ po vij tek ju”, pohonte Ati i Shenjtë.

Ekumenizëm, bashkim e njerëzim

Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, duke paraqitur vizitën apostolike, njoftoi dy drejtimet e saj. Nga njëra anë, dialogu ekumenik në vendet ku bashkësitë katolike janë pakicë në krahasim me shumicën ortodokse, duke vënë në pah bashkimin ndërmjet Kishave, që banojnë në vende simbolike për botën perëndimore, humusi nga i cili lulëzoi qytetërimi evropian. Nga ana tjetër, përqafimi i njerëzve, jeta e të cilëve përfaqëson “katastrofën më të madhe humanitare që nga Lufta II Botërore”, atë të migrimit.

Ashtu si në vitin 2016, por në mënyra të ndryshme, Papa mund t’u sjellë ndihmë konkrete këtyre njerëzve: pesë vjet më parë, disa familje refugjatësh hipën në avionin papnor për në Romë, ku filluan një jetë të re. Këtë herë, edhe për shkak të rregullave më të rrepta dhe të kufizimeve për Covid-19, po studiohen korridore humanitare për të sjellë disa refugjatë në Itali, pas vizitës së Papës. Duhen rishpërndarë në Evropë, falë punës së ndërmjetësimit të Bashkësisë së Shën Egjidit. Gjatë vizitës së ipeshkvit të Romës, siç tha Bruni, do të flitet edhe për “plagën e hapur” të Qipros së ndarë, me shpresën e ribashkimit.

01 dhjetor 2021, 13:23