Papa Fran?esku: s? bashku n? udh?n drejt unitetit
R.SH. - Vatikan
Nisi me vizitën e mirësjelljes tek Fortlumturia e Tij Chrysostomos II, në Pallatin e kryepeshkopatës ortodokse të Qipros, dita II e Françeskut në ishull. Ditë nën shenjën e ekumenizmit!
Papa Françesku: së bashku në udhën drejt unitetit
Buzëqeshjet dhe përzemërsia ishin në plan të parë në fillim të takimit me natyrë private, marrë nga telekamerat që, pas përshëndetjes fillestare të Papës me Patrikun, pritën jashtë. Si përfunduan bisedimet private, të dyja palët nënshkruan Librin e nderit, ku Françesku shkroi:
“Shtegtar në Qipro, margaritar i historisë dhe i fesë, i lutem Zotit të na japë përvujtëri e guxim që të ecim së bashku drejt bashkimit të plotë e t’i japim botës, sipas shembullit të Apostujve, mesazhin e ngushëllimit e dëshminë e shpresës”.
“Fortlumturi, ju falënderoj që folët për Kishën nënë në mes të popullit. Kjo - shkroi Papa në Librin e nderit - është udha që na lyen me vajin e bariut. Të shkojmë përpara në këtë rrugë. E ju falënderoj nga zemra që folët për dialogun. Duhet të ecim gjithnjë në udhën e dialogut, udhë e lodhshme, durimtare, e sigurt, udhë guximi. Parresi e durim!
Figura e Patrikut Chrysostomos II
Pasi nënshkroi Librin e nderit, Papa Françesku shkoi në katedralen ortodokse për t’u takuar me Sinodin, së bashku me Fortlumturinë e Tij Chrysostomos II (në shekull Irodotos Dimitriou) kryepeshkop i Justinianës së Re dhe i gjithë Qipros, autoriteti më i lartë ortodoks i vendit, me origjinë nga Tala (Paphos) e datëlindje 10 prill 1941. I shuguruar diakon më 3 nëntor 1963, nga viti 1968 deri më 1972 studioi pranë Shkollës Teologjike të Universitetit të Athinës. U shugurua meshtar më 12 nëntor 1972, në duart e kryeipeshkvit të asokohshëm të Qipros, Makarios III. Nga viti 1972 - deri më 1979, ishte Egumen i manastirit të Shën Neophytos të Paphos. Më 26 shkurt 1978 u zgjodh Metropolit i Paphos, detyrë që e kreu deri kur u zgjodh kryeipeshkëv i Justinianës së Re dhe gjithë Qipros, në tetor 2006.
Pati përfaqësuar Sinodin e Shenjtë të Kishës Ortodokse të Qipros në Meshën e Dritës së Gjon Palit II, më 8 prill 2005 e, më pas, edhe në Meshën e parë të papnisë së Benediktit XVI, më 24 prill. Për t’iu përgjigjur këtij gjesti vëllazëror, Benedikti XVI pati dërguar një delegacion në kremtimet me rastin e fronëzimit të Chrysostomos II në katedralen e Lefkozisë. Fortlumturia e Tij Chrysostomos II u takua, më pas, me Benediktin XVI në tre raste: më 16 qershor 2007, kur u prit në audiencë në Vatikan dhe nënshkroi, njëheresh me Papën, një Deklaratë të përbashkët; më 5 qershor 2010, me rastin e shtegtimit apostolik të Papës në Qipro, që i dorëzoi Instrumentum laboris të Asamblesë së Posaçme të Sinodit të Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, mbajtur në tetor të këtij viti dhe më 28 mars 2011, përsëri në Vatikan.