Papa: Kisha hungazere t? promovoj? dialogun e t? nxis? shpres?n
R.SH. - Vatikan
Ai me ipeshkvijtë hungarezë ishte fjalimi i parë i Papës Françesku në Budapest. Takimi me ta, në Sallën e Rilindjes të Muzeumit të Arteve të Bukura, pasoi atë privat me presidentin e Republikës dhe me kryeministrin në Sallën Romanike. Ati i Shenjtë kujtoi historinë e martirizimit dhe gjakun e derdhur në këto troje nga bijtë e Kishës, të cilët kanë marrë pjesë në flijimin e Krishtit, që e kremtojmë në Eukaristi:
“Shumë vëllezër dhe motra, shumë ipeshkvij dhe meshtarë e jetuan çka kremtonin në altar: u bluan si kokrra gruri, që të gjithë të ushqeheshin nga dashuria e Zotit; u shtypën si rrushi, që gjaku i Krishtit të bëhej limfë e jetës së re; u thyen më dysh, por oferta e tyre e dashurisë u bë fara ungjillore e rilindjes, mbjellë në historinë e këtij populli”.
Mbrojini rrënjët e shikoni përpara
Është e nevojshme, pohoi Françesku, të mbrohet e kaluara, por, njëkohësisht, të shikohet drejt së ardhmes; të mbrohen rrënjët dhe historia e fesë në këto troje, por edhe të gjinden mënyra të reja për të kumtuar Ungjillin. Ati i Shenjtë përmendi shembullin e disa murgeshave hungareze, të cilat, të detyruara të largohen nga vendlindja, u transferuan në Argjentinë, ku vazhduan misionin e tyre me guxim dhe durim e themeluan Kolegjin “Maria Ward”. Nuk duhet të harrojmë – citoi Benediktin XVI – se tradita e krishterë nuk është koleksion gjërash të vdekura, por lumë i jetës së re, që vjen nga Krishti deri tek ne. Prandaj, Papa theksoi:
“Kisha vjen nga burimi që është Krishti dhe dërgohet [në botë] që Ungjilli, si lumë me ujë të gjallë, pafundësisht më i gjerë dhe më mikpritës se Danubi juaj i madh, të arrijë deri në thatësirën e botës e në zemrën e njeriut, duke e pastruar dhe duke ia shuar etjen. Atëherë, shërbimi ipeshkvnor nuk duhet për të përsëritur një lajm të së kaluarës, por është zë profetik i aktualitet të përjetshëm të Ungjillit, në jetën e Popullit të shenjtë të Zotit dhe në historinë e sotme”.
Tre, sugjerimet e Papës Françesku për misionin e ipeshkvijve: të jenë kumtues të Ungjillit; të jenë dëshmitarë të vëllazërimit dhe frymëzues të shpresës.
Kumtimi i Ungjillit
Kur shoqëria, në të cilën jetojmë, duket sikur nuk e pranon propozimin e krishterë, tundohemi t’i mbrojmë institucionet e strukturat tona, duke u mbyllur në vetvete. Por, në qendër të tyre është Krishti e jeta e Kishës është takim me Birin e Zotit. Prania e saj në botë shërben për t’u zgjuar njerëzve etjen për Hyjin e për t’iu çuar ujin e gjallë të Ungjillit:
“Prandaj, - nënvizoi Ati i Shenjtë – nga ju ipeshkvijtë kërkohet: jo administrimi burokratik i strukturave, jo kërkimi i privilegjeve dhe i avantazheve, por pasioni i zjarrtë për Ungjillin, ashtu siç është. Bëhuni dëshmitarë dhe kumtues të Lajmit të Mirë, përhapës të gëzimit, qëndroni pranë meshtarëve e rregulltarëve me zemër atërore, duke ushtruar artin e të dëgjuarit. Mos kini frikë… të përfshini laikët: ata do të jenë kanalet, përmes të cilëve lumi i fesë do ta vadisë sërish Hungarinë”.
Pranë njëri-tjetrit
Deri këtu, leximi i tekstit të përgatitur. Duke folur lirisht, Papa Françesku deshi të sqarojë mendimet e tij mbi figurën e ipeshkvit, duke kujtuar katër afërsitë, që duhet të ketë çdo bari i Kishës: afërsinë me Zotin, pra, duhet t’i lënë kohë lutjes; afërsinë ndërmjet ipeshkvijve, pra, vëllazërim ipeshkvnor, që lejon diskutime si ndërmjet vëllezërve, duke kërkuar hirin e unitetit të Konferencës Ipeshkvnore. Pastaj, afërsia me meshtarët: “fqinji më i afërt i ipeshkvit është meshtari”. E së fundi, afërsia e katërt, ajo me popullin e Zotit. Kujtohuni kush jua ka përçuar fenë, u tha Papa ipeshkvijve hungarezë.
“Po ju tregoj diçka që më ka pikëlluar shumë – u tha Papa ipeshkvijve. - Kam gjetur, në disa dioqeza, si në atdheun tim, kur isha atje, në dioqezën e mëparshme, ashtu edhe tani, që jam në Romë, meshtarë që ankohen, priftërinj të vështirë, eh? …që ankohen, sepse duan, kanë nevojë të flasin me ipeshkvin - kështu thonë, shumë herë e kam dëgjuar këtë: ‘Telefonova e sekretarja më tha se ai ishte shumë i zënë, se e shikoi agjendën e më tha: ‘Brenda tre javësh, ndoshta, do t'ju japë një takim prej një çerek ore'". Dhe meshtari thotë: "jo, faleminderit, kështu nuk dua", ose: "po". Por nuk shkon. Meshtari e ndien ipeshkvin larg, jo si baba. Po ju jap një këshillë, si vëlla: kur të ktheheni pas ndonjë misioni, pas një vizite në famulli, të lodhur, në ipeshkvi, e shihni se iu ka marrë në telefon një meshtar, thirreni; të njëjtën ditë ose të shumtë, të nesërmen: jo më vonë. Afërsia. E ai meshtar, nëse kontaktohet menjëherë, do ta dijë se e ka një baba”.
Dëshmitarë të vëllazërimit
Më pas, Papa Françesku preku temën e mikpritjes së të huajve e të krijimit të një ambienti shumëkulturor. Ndryshimet, nganjëherë, shkaktojnë frikë, tha ai, por janë edhe mundësi për t’i dashur të tjerët, si na ka dashur Krishti:
“Si ipeshkvij, ju kërkoj të tregoni gjithmonë, së bashku me meshtarët e me bashkëpunëtorët baritorë, fytyrën e vërtetë të Kishës: një fytyrë mikpritëse për të gjithë, edhe për ata, që vijnë nga jashtë, fytyrë vëllazërore, e hapur për dialog. Bëhuni barinj, që e kanë për zemër vëllazërimin. Jo zotërinj të grigjës, por etër dhe vëllezër”.
Përhapni shpresën
E së fundi, sugjerimi i tretë i Papës Françesku për ipeshkvijtë hungarezë: përhapni shpresën. Kalimi nga diktatura në demokraci, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ka sjellë edhe probleme si degradimi i jetës morale, shtimi i krimit, tregtia e drogës, trafiku i organeve e probleme të ndryshme shoqërore për familjet. Përpara këtyre krizave, nuk duhet harruar se Zoti është me ne gjithnjë dhe “e ardhmja është e tij”, siç thoshte kardinali József Mindszenty, i persekutuar nga komunistët. Prandaj, u tha Papa ipeshkvijve:
“Të mos iu ndalen në buzë shprehje, që shënojnë distanca dhe imponojnë gjykime, por që e ndihmojnë Popullin e Zotit ta shohë të ardhmen me besim, i ndihmojnë njerëzit të bëhen protagonistë të lirë dhe të përgjegjshëm të jetës”.
Së fundi, Papa i bekoi ipeshkvijtë, duke ia besuar misionin e tyre Zojës e Shën Jozefit.