Papa: Eukaristia na kujton se Zoti ?sht? dashuri e kryq?zuar dhe e dhuruar
R. SH. - Vatikan
Në Çezarenë e Filipit Jezusi i pyeti dishepujt e tij: “Po ju, kush thoni se jam unë?!
Me këtë pyetje themelore të Ungjillit e nisi - dhe e përfundoi Papa homelinë e mbajtur në Meshën e madhe, kremtuar në zemër të Evropës, si të donte t’ua drejtonte gjithë të pranishëmve në këtë takim të madh, rreth Krishtit në Eukaristi. E edhe më tutje! Si ua pati drejtuar dikur Krishti dishepujve. Kush jam vërtet për ty? - vijon të pyesë Krishti. Është pyetje që, drejtuar secilit nga ne, nuk kërkon vetëm përgjigje të saktë, katekistike - kujtoi Papa - por përgjigje personale. Jo me fjalë, por me jetë:
“Nga përgjigjja që i jepet kësaj pyetjeje, varet përtëritja e dishepullatit, e cila realizohet përmes tri udhëve, që i bënë dishepujt, e mund t’i bëjmë edhe ne: përmes kumtimit të Jezusit, shqyrtimit me Jezusin, udhës pas Jezusit”.
Kumtimi i Jezusit
Pyetjes “Po ju, kush thoni se jam unë?” iu përgjigj Pjetri, si përfaqësues i gjithë grupit: “Ti je Krishti”- kujtoi Papa fjalët e shqiptuara nga Kryeapostulli, e vijoi:
“Të thuash se Jezusi është Krishti, Mesia, është përgjigje e saktë, po jo e plotë. Nuk mungon kurrë rreziku të kumtosh një mesianicitet të rremë, sipas njerëzve, jo sipas Zotit. Prandaj, duke u nisur nga ky çast, Jezusi fillon ta zbulojë identitetin e Tij, atë të Pashkëve, që e gjejmë në Eukaristi. Shpjegon se misioni i Tij do të arrinte kulmin në lavdinë e ngjalljes, por duke kaluar përmes poshtërimit të kryqit”.
E gjithë kjo do të zhvillohej - shpjegoi Papa në vijim të homelisë, mbajtur në Meshën e Madhe me të cilën mbyllej Kongresi Eukaristik i Budapestit - sipas dijes së Zotit që - thotë Shën Pali - nuk është e kësaj bote, e aq më pak, e sundimtarëve të saj. Jezusi u kërkon dishepujve të heshtin për identitetin e Tij mesianik. Por jo për kryqin, që e pret. Birit të njeriut do t’i duhej të pësonte shumë; do të përbuzej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët; do të vritej e do të ngjallej pas tri ditësh.
Përballë këtij kumtimi të Jezusit, kumtim tronditës, edhe ne mund tmerrohemi, sepse:
“Edhe ne duam një mesi të fuqishëm e jo një shërbëtor të kryqëzuar. Eukaristia është para nesh për të na kujtuar kush është Zoti. Nuk e bën me fjalë, por konkretisht, duke na e paraqitur Zotin si bukë e thyer, si dashuri e kryqëzuar dhe e dhuruar. Mund të shtojmë shumë fjalë, po Zoti është aty, në thjeshtësinë e një buke, që lejon të thyhet, të shpërndahet e të hahet. Për të na shpëtuar, bëhet shërbëtor; për të na dhënë jetë, vdes”.
Na bën mirë përgjigjja tronditëse e Jezusit. E këtu hapet udha e dytë.
Shqyrtimi me Jezusin
Kryqi nuk është kurrë në modë; sot, si dje. Po të shëron në shpirt. Përballë të kryqëzuarit provojmë mirësinë e luftës së brendshme, konfliktin e ashpër ndërmjet “mendimit sipas Jezusit” e “mendimit sipas njerëzve”:
“Nga një anë është logjika e Zotit, logjikë e dashurisë së përvujtë. Rruga e Zotit e refuzon çdo detyrim, çdo mburrje, çdo triumfalizëm, synon gjithnjë të mirën e të tjerëve, deri në flijimin e vetvetes. Nga ana tjetër, është të mendosh sipas njerëzve: është logjika e botës, e lidhur fort me privilegjet, me autoritetin, me suksesin, vlerën para syve të tjerëve”.
Të bie menjëherë në sy ndryshimi ndërmjet Zotit të vërtetë, e zotit të vetvetes sonë. Sa larg është ai që mbretëron në heshtje mbi kryq, nga zoti i rremë që do të dëshironim të mbretëronte me forcë e t’ua mbyllte gojën një herë e mirë armiqve tanë:
“Na bën mirë të rrimë në adhurim para Eukaristisë, për ta kundruar brishtësinë e Zotit. T’i kushtojmë kohë adhurimit. Ta lëmë Jezusin t’i shërojë zemrat tona të mbyllura e t’i hapë për ndarjen e përbashkët, të na çlirojë nga rreptësia e nga dashuria për vetveten: të na lirojë nga skllavëria paralizuese e mbrojtjes së vetvetes, të na frymëzojë për ta ndjekur pas, aty ku dëshiron Ai. E ja se arritëm tek udha e tretë - kujtoi Papa - pas kësaj ftese tejet të rëndësishme për jetën tonë shpirtërore.
Ecja pas Jezusit
“Larg meje, Shejtan!”. Me këto fjalë Krishti e urdhëroi Pjetrin të rrinte larg Tij. Po Zoti, edhe kur komandon, është aty, gati për të dhuruar. E Pjetri e pret hirin, duke bërë një hap mbrapa:
“Udha e krishterë nuk është rendje pas suksesit! Nis me një hap mbrapa. Me largimin nga qendra e jetës. Atëhere Pjetri e kupton se qendra nuk është Jezusi i tij, por Jezusi i vërtetë. E kalon nga admirimi i pafryt për Krishtin, në përpjekjen për t’i ngjarë konkretisht”.
Këtë theksoi Papa, duke shpjeguar, në përfundim, ç’do të thotë të ecësh pas Krishtit:
“Do të thotë të ecësh përpara në jetë me besimin se Zoti të do. E të përshkosh të njëjtën rrugë, që pati përshkuar Mësuesi, i cili erdhi për të shërbyer, e jo për t’u shërbyer. E edhe të ecësh gjithnjë pas vëllait. Atje na shtyn Eukaristia: të ndjehemi një Korp i vetëm, të copëtohemi për vëllezërit”.
Në përfundim të homelisë, Papa theksoi se ky Kongres Eukaristik Ndërkombëtar nuk është vetëm pikarritje e një rruge, por edhe e sidomos, pikënisje! Sepse Jezusi na fton të shikojmë përpara, ta dëgjojmë ditë për ditë pyetjen që Krishti ua pati bërë dishepujve të vet në Çezarenë e Filipit: “Po ju, kush thoni se jam unë?”.