杏MAP导航

K?rko

Takimi nd?rmjet Pap?s Fran?esku dhe Ajatollahut Al-Sistani p?r paqen n? Irak e n? Lindjen e Mesme

N? Naxhaf, veprimtaria e par? e Pap?s n? dit?n e tij t? dyt? n? Irak: takimi me kreun e bashk?sis? shiite irakiane. U theksua r?nd?sia e bashk?punimit nd?rmjet bashk?sive fetare

R.SH. - Vatikan

Rëndësia e bashkëpunimit dhe e miqësisë ndërmjet bashkësive fetare në mënyrë që, “duke kultivuar respektin e dialogun e ndërsjellë, të kontribuohet në të mirën e Irakut, rajonit dhe gjithë njerëzimit”: këtë theksoi Papa Françesku sot në mëngjes, në takimin e tij privat në Naxhaf me Ajatollahun e Madh Seyyid Ali Al-Husayni Al-Sistani, kreu i bashkësisë myslimane shiite të Irakut, vend ku Ati i Shenjtë ndodhet që dje, në udhëtimin e tij të 33-të apostolik.

Lutja drejtuar Zotit, Krijuesit të të gjithëve

Takimi, sipas një deklarate të Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, zgjati rreth 45 minuta dhe i dha mundësi Papës për ta falënderuar Al-Sistanin, pasi “së bashku me bashkësinë shiite, para dhunës dhe vështirësive të mëdha të viteve të fundit, e ngriti zërin në mbrojtje të më të ligshtëve e më të persekutuarve, duke ripohuar shenjtërinë e jetës njerëzore dhe rëndësinë e unitetit të popullit irakian”. Para se të përshëndetej me Ajatollahun e Madh, Papa Françesku nënvizoi se i lutet Zotit, Krijuesit të të gjithëve, që toka e dashur irakiane, Lindja e Mesme dhe e gjithë bota të ketë një ardhmëri në paqe e vëllazërim.

Mikpritja në Naxhaf

Për ta pritur Papën në Naxhaf, në rrugën që shkon nga aeroporti në rezidencën e Ajatollahut të Madh – e cila ndodhet brenda shenjtërores kushtuar Imam Aliut, kushëririt dhe dhëndrit të Muhametit, vend i shenjtë për shiitët – disa të rinj me flamujt e Irakut dhe të Vatikanit. Në parrullat e mirëseardhjes përgjatë udhës, shkruhej “Ju jeni pjesë e jona e ne jemi pjesë e juaja”, nën fotografitë e Papës dhe të Al-Sistanit. Në përfundim të takimit, Ati i Shenjtë u nis me avion për në Nasirija, ku në Ur të Kaldeasve merr pjesë në takimin ndërfetar.

06 mars 2021, 09:36