Papa Fran?esku arriti n? Japoni
R. SH. - Vatikan
Pas ditëve të ngarkuara me veprimtari në Tajlandë, nisi sot vizita e Papës në Japoni, etapa e fundit e shtegtimit të tij në Azi. Avioni papnor u shkëput nga aeroporti i Bangkokut në orën 9.54 (3,54 në Ronë). Arriti në Tokio rreth orës 17.32 (9.32 në Itali).
Shtegtimi i Papës në Japoni, që do të vijojë deri të martën, 26 nëntor, nisi nën dritën e reflektorëve të aeroportit, sepse mbi vendin kishte rënë nata, një natë me shi të rrëmbyer e erë të fortë. Papa u prit nga zëvendës-kryeministri japonez, ipeshkvijtë dhe kleri si dhe nga një grup studentësh të shkollave katolike, që mbanin në duar mesazhin e mirëseardhjes në gjuhën spanjolle. Menjëherë pas, takimi privat, në Sallën VIP 3 të aeroportit, me zëvendës-ministrin e qeverisë niponike.
Papa shkel në trojet japonzeze si prijës shpirtëror universal
Pas njëzet minutash, rinisja nga aeroporti. Papa arriti në nunciaturën apostolike, që ndodhet në lagjen Chiyoda të kryeqytetit japonez, ku do të takohet me ipeshkvijtë e Konferencës ipeshkvnore, në të cilën bëjnë pjesë prelatët e kryedioqezave metropolitane dhe të 13 dioqezave sufragane të Japonisë. Motoja e vizitës në vendin e Lindjes së Diellit: “Të mbrohet çdo jetë!”. Pritet me interes të madh vizita në Hiroshima e Nagasaki, qytete që provuan tmerret e bombës atomike.