Papa autoriteteve t? Madagaskarit: populli duhet t? jet? zot i fateve t? veta
R. SH. - Vatikan
Takimi i parë i sotëm i Françeskut u mbajt në Ceremony Building, ku Papa arriti i shoqëruar nga Kreu i Shtetit, Andry Rajoelina, pas vizitës së mirësjelljes dhe bisedës private me të në Pallatin Presidencial Iavoloha, pak jashtë kryeqytetit Antananarivo. Në përfundim të takimit, Papa mbolli një baobab në hyrje të sallës.
“Zhvillim i gjithanshëm” - kjo ishte shprehja kryesore e fjalimit të Papës. Pasuar nga thirrja për t’i shpallur “luftë të gjitha formave të korrupsionit, që i zë frymën njerëzve, duke penguar zhvillimin e një vendi, i cili kasifikohet ndërmjet 10 më të varfrava në botë, ku në çdo dy fëmijë, njëri është i uritur:
“Në këtë perspektivë, ju inkurajoj të luftoni me forcë e vendosmëri kundër të gjitha formave të korrupsionit e të spekulimit, që thellojnë pabarazinë shoqërore dhe t’u bëni ballë situatave të varfërisë së madhe e të përjashtimit, që krijojnë kushte varfërie çnjerëzore. Prej këndej, nevoja për t’i vënë në jetë të gjitha mundësitë që kanë të bëjnë me sigurimin e shpërndarjes më të mirë të të ardhurave si dhe me zhvillimin e gjithanshën të të gjithë banorëve, posaçërisht, më të varfërve”.
E nuk duhet ndenjur duarkryq, duke pritur ndihma, për ta realizuar këtë:
“Duhet t’i kushtohet vëmendje dhe resepkt i veçantë shoqërisë civile vendase, popullsisë vendase. Duke i mbështetur nismat e saj, aksionet e saj, zëri i atyre, që nuk kanë zë, do të dëgjohet më shumë, ashtu si harmonitë e ndryshme, edhe të kundërta, të një bashkësie kombëtare, në kërkim të unitetit të saj. Ju ftoj ta përfytyroni këtë udhë, në të cilën askush nuk lihet mënjanë e askush nuk humbet”.