杏MAP导航

K?rko

 Papa n? spitalin Zimpeto Papa n? spitalin Zimpeto 

Papa n? spitalin anti-Sid? n? Maputo: angazhimi bujar i mjek?ve ka vler? ungjillore

Papa Fran?esku e nisi dit?n e dyt? n? Mozambik me vizit?n n? qendr?n sh?ndet?sore t? Zimpetos, themeluar nga Bashk?sia e Sh?n Egjidit. Q? n? vitin 2002, me projektin “Dream”, mjekon grat? e f?mij?t e tyre, t? prekur nga Sida. Papa shprehu k?naq?sin? edhe p?r bashk?punimin e qendr?s me realitete t? tjera, q? nuk frym?zohen nga feja, por nga solidariteti njer?zor.

R. SH. - Vatikan

E quajti shprehje e dashurisë së Zotit, gjithnjë gati për ta rikthyer njeriun në jetë e për të ngjallur shpresa të reja, atje ku ka vuajtje e vdekje,  Papa,  spitalin polivalent “Shën Egjidi”. E, duke parë me sa kompetencë, profesionalitet e dashuri mjekohen këtu shumë të sëmurë, konkretisht, njerëz me Sidë, posaçërisht gra e fëmijë, nuk mund të mos kujtonte shëmbëlltyrën e Samaritanit të Mirë:

“Të gjithë të sëmurët, që kaluan këtu, e të gjithë ata, që arrijnë, të kapërthyer nga dëshpërimi e ankthi, i ngjasin atij burrit të braktisur në rrugë të madhe. Kjo qendër tregon se ishte dikush, që u ndalua, që pati mëshirë, që nuk u tundua të thotë ‘e pamundur ta luftosh këtë plagë’, por shpërvoli mëngët e punoi me guxim për të kërkuar rrugëzgjidhje”

I dha, kështu përgjigje britmës së heshtur, gati-gati të pandjeshme, të shumë njerëzve, që jetonin me turp, të mënjanuar e të gjykuar keq nga bota - vijoi Papa që, më pas, theksoi:

“Kështu të gjithë njerëzit që, në nivele të ndryshme, marrin pjesë në këtë bashkësi shëndetësore, bëhen  shprehje e Zemrës së Krishtit, në mënyrë që askush të mos mund të mendojë se britma e të mjerit bie gjithnjë në vesh të shurdhër’. Janë shenjë e ndarjes së përbashkët me atë, që ka nevojë, prani e ndjeshme e një vëllai, e një motre në orën e provës!” .

Por ndihma e besimtarit nuk mund të kufizohet thjesht me asistencën – vijoi Papa:

“Dëgjimi i britmës ju bëri të kuptoni se kujdesi i mjekëve, edhe pse i nevojshëm, nuk ishte i mjaftueshëm; prandaj e shikuat problematikën në mënyrë të gjithanshme, për t’i rikthyer dinjitetin grave e fëmijëve”.

Prej këndej Papa kujtoi edhe mungesën e mjeteve dhe nevojën e spitalit për t’u lidhur me vende të tjera të botës, gjë që e vlerësoi si shembull përvujtërie e dëshire për të punuar në rrjet:

“Shpesh bashkëpunimi me realitetet e tjera, që vihen në lëvizje jo nga feja, por nga solidariteti njerëzor, arrin të sjellë një ndihmë, të cilën të vetëm nuk do të mund ta realizonim. Dialogu ndërmjet përvojave të tjera e përvujtëria për bashkëpunim, pa protagonizma, është përgjigje e përshtatshme e plotësisht ungjillore, që mund ta realizojmë”.

Njëkohësisht - vijoi të kujtojë Françesku - është një mrekulli e vërtetë të shikosh sesi dëgjimi i më të vegjëlve, më të varfërve, më të sëmurëve, na lidh me pjesën tjetër, më të brishtë të botës: mendoj për simptomat e sëmundjes, që i vërejmë në truall, në ujë, në ajër e në qeniet e  tjera të gjalla! Prandaj ndërmjet të varfërve më të braktisur e më të keqtrajtuar është edhe toka jonë e shtypur, e shkretuar, që gjëmon e vuan në dhimbjet e lindjes (Rom 8,22).

Siç na e mësojnë skulpturat e artit makonde - të ashtuquajturat ujamaa (“familja e madhe”; në suahili, ose ‘druri i jetës’) me figura të ndryshme të  kapërthyera njëra me tjetrën - duhet të bindemi se jemi të gjithë pjesë e të njëjtit trung - kujtoi Papa - që u rikthye tek shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë, e edhe tek dëshmia e një gruaje me emrin Cacilda, që sapo kishte   treguar historinë e sëmundjes së saj, me përfundimin fatlum të shërimit të plotë:

“Teksti i Samaritanit të mirë përfundon me një të plagosur, shoqëruar në  bujtinë, me pagesën e hanxhiut dhe premtimin se do t’ia japë kusurin kur të rikthehet. Gra si Cacilda, si rreth njëqindmijë fëmijët, që mund të shkruajnë një faqe të re të historisë, të çliruar nga Sida e shumë njerëz të tjerë pa emër, të cilët sot qeshin, sepse të mjekuar me dinjitet, janë pjesë e kusurit të lënë nga Zoti: prani-dhuratë që, duke dalë nga ankthi i sëmundjes, pa e fshehur gjendjen e tyre, i transmetojnë shpresë një mori njerëzve të tjerë”.

Nuk duhet të harrojmë - përfundoi Papa - se emrat  e tyre, të shkruar në qiell, kanë pranë një shënim: “Këta janë të bekuarit e Atit tim”. Vijoni, prandaj punën tuaj,  që  ky vend të rrezatojë dritë e shpresë!

06 shtator 2019, 11:03