Fran?esku: Mozambiku ka t? drejt? t? jetoj? n? paqe, larg korrupsionit dhe interesave vetjake
R. SH. - Vatikan
Ungjilli i Shën Lukës (Lk 6,27) ishte në qendër të vëmendjes së Papës Françesku, në homelinë e mbajtur gjatë Meshës, kremtuar sot në Stadiumin e Zimpetos, në Mozambik, që nisi me një thirrje. Ishte thirrja e vetë Zotit Jezus: “Ju, që më dëgjoni, po ju them: duajini armiqtë tuaj!”( Lk 6,27). Fjalë, që na drejtohen edhe ne, të gjithëve. Sot! Duke na treguar një udhë të ngushtë, që kërkon disa virtyte:
“Jezusi nuk është idealist - kujtoi Papa - flet për armikun konkret, armikun real, që sapo e kish përshkruar në Lumnitë e mëparshme (6,22), atë, që na urren, që na provokon, na tall, që e përbuz emrin tonë, si të turpshëm”.
Më pas, duke prekur nervin e historisë së trazuar të vendit, ku po kremtohej kjo Meshë e jashtëzakonshme, pohoi:
“Shumë nga ju mund të kujtojnë akoma histori dhune, mllefi, mospajtimi; disa mbi vetë korpin e tyre; të tjerë, mbi ndonjë të njohur, që nuk është më, e të tjerë akoma, duke pasur frikë se plagët e së kaluarës mund të përsërtiten, kërkojnë ta zhdukin udhën e paqes, të përshkuar tashmë, si në Cabo Delgado”
Po udha që propozon Jezusi është ajo, në të cilën eci Ai vetë i pari! Është udha, që e bëri t’i dojë ata, të cilët e tradhtonin, e gjykonin padrejtësisht, ata që e vrisnin.
Megjithatë - ky mendimi i Papës - nuk është aspak e lehtë të flasësh për pajtimim, kur plagët e shkaktuara në rrjedhë të shumë viteve, janë ende të hapura e kullojnë gjak:
“E megjithatë Jezusi na fton të duam e të bëjmë mirë! Na kërkon të krijojmë lidhje të reja, që çojnë drejt paqes! Sepse nuk mund të mendohet për të ardhmen, as të ndërtohet një komb, një shoqëri e bazuar mbi ‘drejtësinë’ e dhunës! Nuk mund ta ndjek Krishtin, nëse zbatoj urdhërimin ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb!’”.
Nuk duhet të harrojmë kurrë se armët e dhuna, në vend që t’u japin fund konflikteve, krijojnë ndeshje edhe më të këqija. Është një udhë tjetër e mundshme! Që nuk duhet ta harrojmë. Sepse nuk duhet e nuk mund të harrojmë se popujt tanë kanë të drejtë të jetojnë në paqe:
“Jezusi propozon rregullin e parë të artë, që u përket të gjithëve ‘mos ia bëj kujt, çka nuk dëshiron të ta bëjnë ty!’. Na ndihmon, kështu, të zbulojmë çka është më e rëndësishme në këtë reciprocitet sjelljeje: të duhemi, të ndihmohemi e të shërbejmë, pa pritur kurrfarë shpërblimi”
Pastaj Papa shpjegoi ç’do të thotë t’i kapërcesh kohët e përçarjes e të dhunës, duke e konsideruar sjelljen plot mëshirë jo si qëndrim burracakësh, po sjellje burrash:
“Mozambiku - vijoi të kujtojë Françesku në Meshën e kremtuar në Stadiumin Zimpeto të Maputos – ka troje përplot me pasuri natyrore e kulturore ndërsa, paradoksalisht, popullsi të panumërt nën nivelin e varfërisë. Shpesh duket se ata, që na afrohen kinse për të na ndihmuar, kanë interesa krejt të tjera. E është e trishtuar kur kjo ndodh ndërmjet vëllezërve të të njëjtës tokë, që ia lejojnë vetes të korruptohen; tepër e rrezikshme ta paguash këtë haraç, për ndihmat që vijnë nga jashtë”.
E pas këtij paralajmërimi, tejet të lidhur me historinë e viseve afrikane, Papa u rikthye tek mësimet e Krishtit, që na porosit: “Po ndërmjet jush nuk do të jetë kështu!” E me fjalët e Tij, na shtyn të jemi protagonistë të një stili tjetër jetese:
“Këtu e tani, mbill gëzimin e shpresës e të pajtimit. Trego vëmendje për tjetrin, duke e pranuar e duke e vlerësuar si vëlla, derisa ta ndjesh jetën e tij e dhimbjen e tij, si jetën tënde e dhimbjen tënde! Ky është termometri më i mirë për të zbuluar ideologjitë e të gjitha llojeve, që kërkojnë t’i manipulojnë të varfërit dhe situatat e padrejtësive, në shërbim të interesave politike a personale. Vetëm kështu mund të jemi farë e mjete paqeje e pajtimi”.
Porosia e fundit e homelisë së Meshës, kremtuar nga Papa në Stadiumin e Zimpetos, në Mozambik:
“Të luajmë lojën e Krishtit, vendimi i Krishtit do të na mbështesë në rrugën e dashurisë, do të na ndihmojë në shtegtimin e mëshirës, në zgjedhjen e më të varfërve, në mbrojtjen e natyrës. E, sidomos, në rrugën e paqes!”.