Papa p?rsh?ndetet me Mozambikun, e kalon n? Madagaskar
R. SH. - Vatikan
Mesha e kremtuar në Stadiumin Zimpeto, shënoi kulmin e Ditës II të shtegtimit apostolik të Papës në Mozambik. Pas Meshës, para se të largohej nga Mozambiku, Françesku i falënderoi të gjithë ata, që bashkëpunuan për realizimin e kësaj vizite, duke nisur nga Kryedioqeza e Maputos e Bariu i saj, imzot Francisco Chimoio, për të kaluar te mbarë populli i Zotit e, doemos, tek presidenti Filipe Nyusi, për kujdesin, si në nivel personal, ashtu përmes institucioneve të ndryshme qeveritare dhe forcave të sigurimit të kombit:
“Motra e vëllezër mozambikanë - ishin fjalët e lamtumirës së Papës - e di se u desh të bënit shumë flijime për të marrë pjesë në kremtimet dhe takimet. E vlerësoj lart këtë dhe ju falënderoj nga gjithë zemra. E, duke e ndjerë në shpirt mbështetjen tuaj, ju them të gjithëve: keni shumë arsye për të shpresuar. Ju lutem, mos e humbisni shpresën; mos lejoni t’jua grabisin! E nuk ka mënyrë më të mirë për ta ruajtur shpresën, sesa të jeni të bashkuar, që kështu të gjitha motivet, të cilat e mbështesin, të fuqizohen gjithnjë më shumë në një ardhmëri me pajtim e paqe në mbarë Mozabikun. Zoti ju bekoftë e Virgjëra Mari ju mbrojtë!”.
Në viset e largëta të Afrikës, Papa përsëriti atë kërkesë, që jehon çdo të dielë në mesditë nga Dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit: “Mos harroni të luteni për mua!” E këto ishin fjalët e fundit të përshëndetjes, para largimit nga Mozambiku, në drejtim të Madagaskarit, ku do të qëndrojë dy ditë.
Dita II e shtegtimit të Papës – treguar me dy fjalë
Përfundonte kështu dita e II e shtegtimit, nisur shumë heret, në orën 07.30 të mëngjesit, kur Françesku u përshëndet me punonjësit e nunciaturës apostolike, për t’u nisur drejt Spitalit të Zimpetos, në rrethinat e kryeqytetit Maputo. I përuruar më 7 qershor 2018, në praninë e kreut të shtetit, Filipe Jacinto Nyusi dhe të nuncit të asokohshëm apostolik në Mozambik, imzot Egar Peña Parra, ndërtesa shtrihet mbi një sipërfaqe prej 1.300 m2.. Shquhet për pajisje moderne, posaçërisht për laboratorin e Biologjisë molekulare, që garanton jo vetëm mundësinë për diagnostikimin e tumorit të qafës së mitrës. Spitali asiston më se 2 mijë të sëmurë. Duhet kujtuar posaçërisht se këtu është edhe qendra Dream (Disease Relief through Exellent and Advanced Means), program i nisur që nga viti 2002 nga Bashkësia e Shën Egjidit, për të luftuar kundër Sidës dhe për t’u rikthyer shëndetin afrikanëve të kequshqyer. Në këtë spital mjekohen edhe ata, që kanë vështirësi ekonomike ose trasnsporti, të cilëve u sigurohet asistenca falas dhe u ofrohen kurse edukimi shëndetësor.
Papa u prit këtu sot pikërisht nga themeluesi i Bashkësisë së Shën Egjidit, Andrea Riccardi, që e përshndeti Atin e Shenjtë e, më pas, edhe 20 të sëmurët e pranishëm. Papa, i shoqëruar nga Riccardi, vizitoi privatisht dy reparte të Qendrës.
Mesha, në stadiumin e Zimpetos
Pastaj, kulmi i ditës II në Mozambik: Mesha në Stadiumin Kombëtar Zimpeto. Stadiumi ndodhet në një nga lagjet periferike, shumë të populluara, të Maputos. I ndërtuar me rastin e Lojërave X Panafrikame, në shtator 2011, me kapacitet 42 mijë spektatorë, shërben për ndeshje futbolli, por edhe për gara të atletikës së lehtë. Sot ishte fushë për një ndeshje krejt të jashtëzakonshme, jo ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb!’, po ndeshje ndërmjet njerëzve që duhen, ndihmohen e shërbejnë, pa pritur kurrfarë shpërblimi!
“Paqja e djeshme dhe gëzimi i sotëm: shpresë për nesër!” – ky ishte lajtmotivi që la pas Papa, në fluturim drejt Madagaskarit!