Pajtim, shpres?, paqe: alfabeti i Pap?s n? Afrik?
R. SH. - Vatikan
Shtegtimin e Papës në Afrikë mund ta përmbledhim me tri fjalët e motove: “Shpresë. Paqe, Pajtim”. Fjalë këto, më të nevojshme se kurrë, në këto troje të tronditura rëndë nga “ciklonet” shoqërore e natyrore, të sapo dala në dritën e shpresës.
Maputo, ku Françesku ka arritur tashmë, jeton çaste entuziazmi të paparë prej kohe në këto vise. Videomesazhi, me të cilin Papa iu drejtua mozambikanëve në gjuhën portugeze, u prit me habi gazmore nga të gjithë banorët e vendit: “Papa flet gjuhën tonë!”– ishte komenti më i përhapur pas mesazhit papnor, që e morën vesh të gjithë. Po vinte një Papë, që do t’u fliste në gjuhën e tyre. E s’kishin si të mos e kuptonin… Prej këndej, mund të themi se Mozambiku po jeton orë festive shprese.
Fluturim me avion mbi trojet afrikane, që zgjati një ditë të tërë
Shtegtimi i 31-të apostolik i Papës Françesku në tre vende të Afrikës austale filloi që në mëngjes. Avioni papnor u shkëput nga toka italiane sot pak para orës 08.00 – e arriti në Mozambik sonte, në orën 18.30. Pas Mozambikut, Ati i Shenjtë do të shtegtojë edhe në Madagaskar e Mauritius: në një tweet, Françesku kërkon lutje për pajtimin dhe paqen në Afrikë. Para se të largohej nga Vatikani, u takua me 12 emigrantë, ardhur nga tre vendet, që do t’i vizitojë gjatë këtij shtegtimi.
Mozambiku, etapa e parë e shtegtimit
Avioni papnor arriti në Maputo. U prit nga autoritetet fetare e civile, që kishin dalë për t’i uruar mirëseardhjen Papës! Pas arritjes në aeroportin e Maputos dhe ceremonisë së mirëseardhjes, pa fjalime, nesër, më 5 shtator, programi parashikon disa takime të Papës në Mozambik.
Takimet e para në Mozambik
Takimet e para - vizita e mirësjelljes presidentit mozambikan, Filipe Nyusi dhe takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik. Më pas, takimi ndërfetar me të rinjtë dhe ai me ipeshkvijtë, priftërinjtë e rregulltarët, në katedralen e Zojës së Papërlyer, në Maputo.
Takimi me 12 migrantë nga Mozambiku, Madagaskari e Mauritius
Sot paradite, para se të largohej nga Shtëpia e Shën Martës, Papa u takua me 12 vetë, që strehohen nga Qendra Astalli e Jezuitëve e nga Bashkësia e Shën Egjidit, ardhur nga Mozambiku, Madagaskari e Mauritius. Grupi shoqërohej nga Lëmoshtari papnor, kardinali Konrad Krajevski.
Papa i fton të gjithë të luten
Papa i fton të gjithë të luten për këtë shtegtim, e sidomos, për frytet e tij, që janë paqja e pajtimi në gjithë Kontinentin afrikan!
Ftesë, përmes një tweet-i
Gjithnjë sot paradite, përmes një tweet-i, një ftesë tjetër e Françeskut, për t’u bashkuar me të në lutje “që Zoti, Atë i të gjithëve, ta forcojë në mbarë Afrikën pajtimin vëllazëror, e vetmja shpresë për paqen e vërtetë e të qëndrueshme”.