Mozambiku e pret Pap?n plot me g?zim e shpres?
R. SH. - Vatikan
Shtegtimi i 31-të Apostolik i Papës në Afrikë nis nesër. Gjatë shtatë ditëve, Ati i Shenjtë do të vizitojë Mozambikun, Madagaskarin dhe Mauricion. Profetike, motoja e shtegtimit, kushtuar plotësisht shpresës, paqes e pajtimit. Në etapën e parë, atë të Mozambikut, Papa Françesku, pas takimit me autoritetet vendase, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, do të jetë në mes të të rinjve të të gjitha besimeve e, më pas, të priftërinjve, rregulltarëve dhe besimtarëve, për t’i përforcuar në fe. Në Mozambik, prania e të krishterëve, posaçërisht e katolikëve, është rreth 38%, e animistëve, 60% ndërsa e myslimanëve, 2%.
Tete, prototip i periferive, që Papa i ka aq për zemër
Tete është dioqeza me numrin më të madh të katolikëve: ka rreth dyzet priftërinj e më se njëqind rregulltarë, burra e gra. Shërbejnë në 29 famulli, në një territor të pafundmë, me rreth njëqind mijë kilometra katrore. Prej këndej, nuk është për t’u çuditur aspak, kur dëgjon se çdo meshtar i Tetes kremton më se 6 mijë pagëzime në vit. Është dioqezë periferike, por plot gjallëri e jetë, gjithnjë në valim, ashtu si e ka për zemër Papa Françesku. Vërtetë ekonomia ecën përpara me vështirësi, gjithsesi është në rrugën e rimëkëmbjes. Nuk i mungojnë fshatrat e mëdha, ndonëse me energji elektrike shumë të racionalizuar, që shikohet si luks!
Kur e pyet ipeshkvin Diamantino Guapo Antunes si po përgatiten besimtarët e tij për ta pritur Papën, të përgjigjet vetëm me një emër, që ta davarit çdo dyshim: “Gëzim!”. I gjithë populli mozambikan e do Papën Françesku. E shikon si njeri i paqes. Prandaj të gjithë janë në pritje të gëzuar. Shto, pastaj, edhe shpresën me të cilën e pret Françeskun mbarë populli i Mozambikut, i bindur se për shpresë ka nevojë. Vetë Ati i Shenjtë, në mesazhin që na drejtoi ne, ipeshkvijve, javën e kaluar, na kujton se po vjen ndërmjet nesh pikërisht për të korrur frytet e vizitës së shpresës, paqes e pajtimit, që pati bërë në këto vise Shën Gjon Pali II, më 1988.
Të përforcojë popullin, në udhën e mirëkuptimit reciprok
E të korrat, pas farës që pati hedhur Gjon Pali II, janë tejet të begata: një marrëveshje për paqen, nënshkruar më 1992 ndërmjet dy fraksioneve të armatosura, në luftë prej dhjetra vitesh, falë edhe ndërmjetësisë së Shën Egjidit, mirëkuptim, që çoi në rivendosjen e paqes e në përtëritjen ekonomike dhe shoqërore të vendit. “Po, natyrisht, kjo nuk mjafton - saktëson imzot Dimantino Guapo Antunes – Pavarësisht se në vend mund të themi se ka qetësi, kjo qetësi është relative. Vatrat e dhunës nuk janë shuar akoma plotësisht. Prandaj mund të themi se prania e Papës mund ta ndihmojnë popullin mozambikan të përforcohet në shpresë e në paqe”.
Lufta kundër sekteve, sfidë për Kishën mozambikane
Kisha e dioqezës së Tetes, pasqyrë e gjithë Mozambikut, është plot gjallëri, plot jetë. Imzot Dimantino Guapo Antunes tregon se ndikimi pozitiv e kapilar i Kishës arrin në të gjitha skajet e vendit, pavarësisht nga statistikat dhe numrat. “Është Kishë, që dallohet për shërbimin e ungjillëzimit, por edhe për atë të zhvillimit njerëzor. I shërben shëndetit, edukimit, zhvillimit ekonomik e shoqëror”.
Më pas prelati vë theksin mbi njërën nga sfidat kryesore, jo pak të ndëlikuara, që ka të bëjë drejtpërdrejt me dioqezën e tij: “Është prania masive e sekteve me origjinë afrikane. Vijojnë të shtohen, duke depërtuar edhe në bashkësitë katolike e duhet bërë gjithçka mund të bëhet, për t’i dhënë fund përpjekjes së tyre për prozelitizëm. Kryesisht duke i dhënë identitet shumë të fortë të pagëzuarve tanë!”.