Kardinaj t? vij?s s? kufirit, p?r dialogun dhe misionin
R. SH. - Vatikan
Andrea Tornielli – Qyteti i Vatikanit
Nuk do të kremtohet në nëntor, për festën e Krishtit Mbret. Koncistori për krijimin e kardinajve të rinj do të përshpejtohet të shtunën, më 5 tetor, vigjilja e kremtimit të hapjes së Sinodit të ipeshkvijve, kushtuar Amazonës. Kështu, krejt papritmas, Papa bëri të njohur gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës, 1 shtator, listën e 13 kardinajve të rinj, që do ta marrin kësulën e kuqe, tetë nga të cilët i pëkasin urdhërave rregulltare misionare.
Të bie menjëherë në sy, duke lexuar listën e kardinajve të rinj (dhjetë nën moshën 80 vjeçare) besnikëria ndaj rrugës së ndjekur nga Françesku që nga fillimi i papnisë: rrugë, që parapëlqen burrat e Kishës, të cilët shërbejnë në vijën e kufirit, larg skemave e traditave të konsoliduara.
Do ta marrin kësulën ngjyrë purpuri, simbol i gatishmërisë për të derdhur edhe gjakun, domethënë, për t’i qëndruar besnikë Ungjillit deri në vdekje, në unitet me Ipeshkvin e Romës, tre prelatë të Kuries Romake: Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, Miguel Angel Ayuso Guixot; komboniani spanjoll, emëruar në krye të dikasterit majin e kaluar, në ballë të përpjekjeve të dialogut me islamin e me fetë e tjera; José Tolentino Calaça de Mendonça, portogez, që para një viti Arkivist dhe Bibliotekar i Kishës së Shenjtë Romake; Atë Michael Czerny, jezuit, i lindur në Çekosllovaki por i formuar në Kanada e në SHBA – Zëvendës-Sekretar i Seksionit Migranti, në Dikasterin për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor. Nga emërimet kuriale, ky i fundit është pa dyshim më inovativ. Czerny, përveç angazhimit për migrantët e refugjatët, do të ketë edhe rolin kyç të sekretarit të posaçëm të Sinodit të ardhshëm për rajonin Panamazonik.
Nga dhjetë kardinajtë e rinj me të drejtë zgjedhore, dy janë ipeshkvij dioqezanë në Evropë: Imz. Jean-Claude Höllerich, jezuit - Kryeipeshkëv i Luksemburgut, që ka kaluar shumë vite në Japoni, si dhe italiani Imzot Matteo Zuppi – Kryeipeshkëv i Bolonjës. Dy janë latinoamerikanë: kubani Imzot Juan de la Caridad García Rodríguez – Kryeipeshkëv i San Cristóbal de la Habana dhe guatemalasi Alvaro Leonel Ramazzini Imeri. Dy janë ipeshkvij në Afrikë: Fridolin Ambongo Besungu, kapuçin, kryeipeshkëv i Kinshasës, në Republikën demokratike të Kongos dhe saleziani me origjinë spanjolle, Cristóbal López Romero, kryeipeshkëv i Rabat, në Marok. Së fundi, një me origjinë aziatike: Ignatius Suharyo Hardjoatmodjo, kryeipeshkëv i Xhakartës, në Indonezi.
Edhe tre kardinajtë mbi të tetëdhjetat, që Papa Françesku i deshi në Kolegjin Kardinalor, konfirmojnë perspektivën e Papnisë: përveç ipeshkvit anglez, Michael Louis Fitzgerald, i Etërve të Bardhë, për shumë vjet i angazhuar në dialogun ndërfetar e vitet e fundit me shërbim në Nunciaturën Apostolike të Egjiptit, kësulën e kuqe do ta marrin Sigitas Tamkevi?ius, jezuit, kryeipeshkëv nderi i Kaunasit, në Lituani dhe Eugenio Dal Corso, i Shërbëtorëve të Varfër të Provanisë Hyjnore, i lindur në Ravenë, në Itali, ipeshkëv nderi i Benguelës, në Angolë.
Ky i 5 tetorit 2019 do të jetë koncistori i gjashtë për krijimin e kardinajve, që do të kremtohet nga Françesku. Koncistoret e mëparshme u kremtuan më 22 shkurt 2014, më 14 shkurt 2015, më 19 nëntor 2016, më 28 qershor 2017 e më 28 qershor 2018.