Papa n? Rumani, shpall t? Lum 7 ipeshkvij, takohet me rom?t e me ortodoks?t
R.SH. - Vatikan
Nesër, Papa Françesku niset për shtegtimin e tij të 30-të apostolik në Rumani, ku do të qëndrojë deri më 2 qershor. Udhëtimi i tij karakterizohet nga takime me bashkësinë katolike e atë ortodokse, me bashkësinë rom e me pakicat etnike e, sidomos, nga lumnimi i 7 ipeshkvijve greko-katolikë, martirë të komunizmit. Nëntë, do të jenë fjalimet e shqiptuar nga Ati i Shenjtë në këtë vizitë të tij në një periferi tjetër të Evropës, pas udhëtimit në Bullgari e në Maqedoninë e Veriut.
Nesër, e premte 31 maj, Francesco do të niset nga aeroporti i Romës-Fiumiçino, në orën 8.10, për të mbërritur në Bukuresht, në orën 11:30 lokale (10:30 në trevat shqiptare). Pas pritjes zyrtare në aeroport, ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet në orën 12.05 në hyrje të kompleksit të Pallatit presidencial Cotroceni, që do të ndiqet në orën 12.20, nga vizita e kortezisë tek presidenti i Republikës, Klaus Iohannis. Më 12.50, takimi me kryeministren, Viorica Dancila. Në orën 13.00 lokale (mesditë në trevat shqiptare), Papa do t’u flasë autoriteteve, shoqërisë civile dhe Trupit Diplomatik, po në Pallatin Cotroceni. Duke filluar nga ora 15:45, takimi me patrikun ortodoks Daniel në Pallatin e Patrikanës, ai me Sinodin e përhershëm të Kishës Ortodokse Rumune (16.15), lutja e Atynës në katedralen e re ortodokse (17.00) dhe mesha në katedralen katolike të Shën Jozefit (18.10).
Të shtunën, më 1 qershor, Papa do të niset në orën 9.30 lokale (8.30 për trevat shqiptare) me avion, për në Bacau, ku do të mbërrijë në orën 10.10. Me helikopter, do të shkojë në stadiumin Miercurea-Ciç. Aty, Françesku do të kremtojë meshën në orën 11:30, në shenjtoren katolike të Sumuleu-Ciuc, shumë e dashur për hungarezët, që vijnë aty çdo vit në shtegtim, edhe nga Hungaria. Më pas, në orën 16.10, Ati i Shenjtë shkon në Iasi, për vizitën në katedralen e Zojës Mbretëreshë (17.25) dhe për takimin marian me të rinjtë dhe familjet në sheshin para Pallatit të Kulturës (17.45). Në orën 19:00, Papa Françesku kthehet në Bukuresht.
Të dielën, më 2 qershor, Françesku do të niset, në orën 9.00 lokale (8.00 në trevat shqiptare) për në Sibiu, ku do të mbërrijë në orën 9.40 për të shkuar pastaj, me helikopter, në Blaj. Këtu, në fushën Liria, në orën 11.00, do të kremtohet liturgjia hyjnore për lumnimin e 7 ipeshkvijve greko-katolikë, të persekutuar e të martirizuar nga komunzimi. Në mesditë, lutja e Mbretëreshës Qiellore. Pas drekës me delegacionin papnor, po në Blaj, programi i udhëtimit vijon, në orën 15.45, me takimin me bashkësinë e romëve. Pastaj, në orën 16.35, transferimi me makinë në Stadiumin komunal për t’u kthyer me helikopter në Sibiu, nga aeroporti i të cilit, pas ceremonisë së lamtumirës, Papa do të largohet nga Rumania, për t’u kthyer në Romë, ku pritet të mbërrijë në aeroportin e Ciampino-s, në orën 18.45.