Papa, Patriarkut Neofit: nd?r plag?t e Kish?s t? gjejm? g?zimin e faljes
R.SH. - Vatikan
“Krishti u ngjall”: Papa Françesku e shqiptoi përshëndetjen e Pashkëve në gjuhën sllave, duke nënvizuar se është përshëndetje gëzimi, i njëjti, që ndjeu edhe në takimin me Patriarkun Neofit, në selinë e Sinodit ortodoks të Bullgarisë. Para se t’u drejtonte të gjithëve fjalën e tij, Ati i Shenjtë dhe Mitropoliti i Sofjes biseduan privatisht, së bashku me një delegacion vatikanas dhe me anëtarët e Sinodit.
Plagët e dhimbshme
Fjalët e para të Françeskut nuk i fshehën plagët e sotme të ndarjes në Kishë, të cilat mund të lehtësohen vetëm përmes balsamit të faljes e përmes pranimit të mëkateve të secilit:
“Plagët e hapura përgjatë historisë ndërmjet të krishterëve janë varrë të dhimbshme mbi Korpin e Krishtit, që është Kisha. Edhe sot, mund t’i prekim me dorë pasojat. Por ndoshta, nëse e vendosim dorën së bashku mbi këto plagë dhe kumtojmë se Krishti u ngjall, duke e shpallur Zotin dhe Hyjin tonë; nëse, duke pranuar të metat tona, hyjmë thellë në plagët e Tij të dashurisë, mund ta rizbulojmë gëzimin e faljes dhe ta shijojmë paraprakisht ditën, në të cilën, me ndihmën e Zotit, do të mund të kremtojmë në të njëjtin altar, misterin e Pashkëve”.
Ekumenizmi i gjakut
Në këtë udhë, vijoi Papa, takojmë “dëshmitarët e Pashkëve”, ata që e jetuan thellë fenë edhe në kohën e persekutimeve, duke u mbushur me parfumin hyjnor, me atë aromë trëndafilash, simboli i Bullgarisë.
“Sa të krishterë në këtë vend vuajtën në emër të Krishtit, veçanërisht gjatë persekutimeve të shekullit të kaluar! Ekumenizmi i gjakut! Ata përhapën një aromë të këndshme në ‘Tokën e trëndafilave’. Kaluan përmes gjembave të sprovës, për të përhapur parfumin e Ungjillit… Besoj se këta dëshmitarë të Pashkëve, vëllezër e motra të konfesioneve të ndryshme fetare, bashkuar në Qiell nga dashuria hyjnore, tani na shohin si farë të mbjella në tokë për të dhënë fryte. E ndërsa vëllezër e motra të tjera në botë vazhdojnë të vuajnë, për shkak të fesë, bëj thirrje të mos rrimë mbyllur, por të hapemi, sepse vetëm kështu, farët do të shndërrohen në fryte”.
Ekumenizmi i të varfërve
Papa Françesku nënvizoi se ndjen “mallin e vëllait”, “mallin e shëndetshëm për bashkimin ndërmjet bijve të të njëjtit Atë”, që shën Gjoni XXIII e provoi gjatë dhjetë viteve të kaluara në Sofje si Legat Apostolik. Ati i Shenjtë kujtoi edhe takimin e vitit 2002 ndërmjet shën Gjon Palit II dhe Patriarkut Maxim, ngjarje e rëndësishme e vizitës së parë të një pape në Bullgari. E nuk mungoi të përmendte edhe kontaktet e shumta ndërmjet Vatikanit dhe delegacioneve bullgare.
“Jam i bindur se, me ndihmën e Zotit dhe në kohën, që do ta caktojë Provania Hyjnore, këto kontakte mund të ndikojnë pozitivisht në shumë aspekte të tjera të dialogut tonë. Ndërkohë, jemi të thirrur të ecim dhe të veprojmë së bashku për të dëshmuar Zotin, veçanërisht, duke u shërbyer vëllezërve më të varfër dhe më të harruar, në të cilët Ai është i pranishëm. E ky, ekumenizmi i të varfërve”.
Ekumenizmi i misionit
Papa përmendi shenjtorët vëllezër Cirilin e Metodin, besnikë ndaj shpalljes së parë të Ungjillit, simbole të bashkimit, bizantinë të guximshëm, sepse përkthyen Biblën në gjuhën sllave, duke i shpikur edhe alfabetin. Këta shenjtorë, theksoi Bergoglio, na lidhin që nga mijëvjeçari i parë e mbeten burim frymëzimi si për katolikët, ashtu edhe për ortodoksët. Janë shembull për epokën e sotme, në të cilën ndihet nevoja për t’u folur brezave të rinj me një gjuhë dhe me një formë të re për Zotin e për Kishën. Mënyra të ndryshme, për të mos i lënë të tundohen nga “sirenat mashtruese të shoqërisë së konsumit”.
“Misioni dhe bashkimi: dy fjalë gjithnjë të pranishme në jetën e dy shenjtorëve, që mund të ndriçojnë rrugën tonë për të ecur përpara në vëllazërim. Ekumenizmi i misionit. Apostullimi i tyre i guximshëm mbetet model ungjillizimi për të gjithë”.
Të thirrur për të qenë artizanë të bashkimit
Françesku kujtoi edhe se Cirili e Metodi mund të na thonë shumë për të ardhmen e Evropës, sepse ata kanë qenë nxitësit e bashkimit e, - siç pati thënë shën Gjon Pali II – “edhe të paqes së vërtetë, që respekton dallimet, të cilat nuk janë aspak pengesë për unitetin”. Papa falenderoi Patriarkun Neofit e theksoi se Bullgaria ka qenë gjithmonë tokë takimi, ku janë mirëpritur konfesione të ndryshme e ku ka “respekt për Kishën Katolike, si për atë të ritit latin, ashtu edhe për atë të traditës bizantino-sllave”.
“Edhe ne, trashëgimtarët e fesë së shenjtorëve, jemi të thirrur të bëhemi protagonistë të bashkimit, mjete paqeje, në emër të Krishtit... Edhe përsa u përket marrëdhënieve tona, shenjtorët Cirili dhe Metodi na kujtojnë që ‘një lloj larmie në tradita e zakone nuk është aspak kundër bashkimit në Kishë’ e se ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ‘formulat e ndryshme teologjike, jo rrallë, plotësojnë e nuk i kundërvihen njëra-tjetrës”.
Bullgaria, vend urë
Në përfundim të fjalës së tij, Papa nënvizoi se Bullgaria është vend urë, pasi që në rrënjët e saj, takohen tradita të ndryshme, si ato ruse, greke dhe sllave. Ati i Shenjtë siguroi lutje “për besimtarët e këtij populli të dashur, për vokacionin e lartë të këtij vendi, për udhën tonë në një ekumenizëm gjaku, të të varfërve dhe të misionit”.