杏MAP导航

K?rko

 Papa u jep kungimin e par? f?mij?ve, n? Kish?n e Zemr?s s? Krishtit, n? Rakovsky Papa u jep kungimin e par? f?mij?ve, n? Kish?n e Zemr?s s? Krishtit, n? Rakovsky 

Papa n? Mesh?n e Rakovskit: m? t? bashkuar me Jezusin, mbiemri yn? ?sht? “t? Krishter?”

Papa n? Bullgari, n? etap?n e Rakovskit, kremtoi Mesh?n Shenjte me Kungimet e Para t? 245 f?mij?ve nga i gjith? vendi. U kujtoi “kart?n e identitetit” t? t? krishter?ve dhe i nxiti t? jen? ?do dit? e m? shum? t? bashkuar me Jezusin, duke d?shiruar q? t? jen? k?shtu edhe me t? tjer?t.

R. SH. - Vatikan

Secili nga ne ka një “kartë identiteti”: “Zoti është Ati ynë; Jezusi, vëllai; Kisha, familja jonë; ne jemi vëllezër, ligji ynë është dashuria”. E “mbiemri ynë” është “të Krishterë”. Kështu u tha Papa Françesku 245 fëmijëve edhe mbarë Kishës, gjatë Meshës shenjte në Bullgari, në Kishën e Zemrës së Krishtit të Rakovski-t, ku arriti duke u nisur nga Sofja. E tha dhe e përsëriti disa herë, në përfundim të homelisë, pa e penguar aspak gjuha. Duke pritur përkthimin në bullgarisht, nisi një dialog të vërtetë me fëmijët. U ripohoi konceptin e Kishës, që është “familje”, u kujtoi se janë “miq” e “vëllezër”, i nxiti ta lusin Jezusin për gjithë të dashurit, për familjen, prindërit, gjyshat, katekistët, meshtarët, miqtë. Duke u kujtuar, sidomos, se tani do t’u flasë vetë Jezusi …

Zemra e fëmijëve

Papa i përshëndeti djemtë e vajzat, që e pritën në Kishën e Zemrës së Krishtit, duke u përsëritur me zë të lartë emrin e tij e duke krijuar, në mes gjithë asaj bardhësie, një atmosferë të paharrueshme. Kishte para një turmë fëmijësh veshur me të bardha, të ardhur në distriktin e Plovdivit, në pjesën jugore  të Bullgarisë, nga të katër anët e “Tokës së trëndafilave”, për të marrë pjesë - vërejti Papa - në një festë të mrekullueshme: në takimin e parë me Jezusin, në Sakramentin e Eukaristisë. Françesku, që përjashta ndërtesës ishte ndaluar gjatë me 10 mijë besimtarët e pranishëm, i nxiti edhe “të rriturit”  ta kujtojnë këtë çast, së bashku me të vegjlit, të cilëve iu drejtua me fjalët atërore:

“Sot na lejoni të jemi përsëri në festë e ta  kremtojmë Jezusin e pranishëm në Bukën e Jetës. Sepse ka mrekulli, që mund të ndodhin vetëm nëse kemi një zemër si juaja, të aftë për të ndarë bashkë gjithçka, për të ëndërruar, për të falënderuar, për të pasur besim e për t’i nderuar të tjerët. Të marrësh Kungimin e Parë do të thotë të dëshirosh të jesh çdo ditë më i bashkuar me Krishtin, të miqësohesh gjithnjë më shumë me Të e të bësh çmos që edhe të tjerët të mund ta shijojnë gëzimin, që na dhuron. Zoti ka nevojë për ju, që të mund të realizojë mrekullinë, t’u dhurojë gëzim edhe miqve e familjarëve tuaj të dashur”.

Jezusi e shpëton njerëzimin

Jezusi - shpjegoi Papa - bëri një akt “të pamasë dashurie”, për ta shpëtuar njerëzimin e të gjitha kohëve:

“Mbeti në varr për tri ditë, po ne e dimë - na kanë siguruar apostujt e shumë dëshmitarë të tjerë, që e panë me sytë e tyre - se Zoti Atë, që është Ati i Tij e yni, e ngjalli. E tani Jezusi është i gjallë, është këtu, mes nesh, prandaj sot mund ta takojmë në Eukaristi. Nuk e shikojmë me sytë e ballit, por me sytë e fesë”.

Bij në shpirt të Zotit

Duke kujtuar fragmentin ungjillor të Gjonit, atë të shumëzimit të pesë bukëve e dy peshqve, një mrekulli, që nisi “nga duart e një fëmije, i cili kishte sjellë çka kishte”, Françesku u drejtoi vocrrakëve përshëndetjen që shkëmbehet në Bullgari në kohën e Pashkëve: “Krishti u ngjall”:

“Kjo përshëndetje shpreh gëzimin e të krishterëve, dishepuj të Jezusit, sepse Ai, që dha jetën mbi kryq për dashuri e për të shkatërruar mëkatin, u ngjall e na bëri bij në shpirt të Hyjit Atë. Jemi të kënaqur sepse Krishti është i gjallë e i pranishëm mes nesh, sot e përgjithmonë e jetës”.

Të rritesh në fe

Me petkat e bardha - vërejti Papa - të vegjlit u veshën “për festë”, sepse Kungimi i parë është pikërisht festë, në të cilën kremtojmë Jezusin që - kujtoi - deshi  të rrinte gjithnjë përbri nesh e të mos ndahej kurrë më:

“Festë, e cila u bë e mundur nga etërit tanë, nga gjyshat tanë, nga familjet tona e nga bashkësitë tona, që na ndihmuan të rritemi në fe”.

Bashkim vëllazëror

Gjatë udhës, që i çoi drejt takimit me Jezusin, për ta marrë në zemra Zotin, fëmijët u shoqëruan nga meshtarët e katekistët - vuri në dukje Françesku - E tani Papa “është i kënaqur  ta ndajë me të gjithë gëzimin e këtij çasti, i sigurt se ata, që e jetojnë, nuk do ta harrojnë kurrë”

I pari, jo i fundmi

Në vijim Françesku i porositi të posapagëzuarit të luten gjithnjë me entuziazmin e me gëzimin e  sotëm:

“E, kujtojeni se ky është sakramenti i Kungimit të parë e jo i Kungimit të fundit; kujtojeni se Jezusi ju pret gjithnjë. Prandaj uroj që i sotmi të jetë ai, që u paraprin shumë Kungimeve e që zemra juaj të jetë gjithnjë si sot, plot me gëzim e, posaçërisht, me mirënjohje”.

Kungim, i marrë nga dora e  Papës

Para se t’ua jepte personalisht Kungimin me dy lëndët - bukën e verën - Korpin e Gjakun e Krishtit, secilit nga 254 fëmijët, si famullitari në Meshën kushtuar më të vegjëlve, Papa i nxiti të mos mendojnë asgjë tjetër, veç Korpit të Krishtit, marrë në heshtje, edhe herët e tjera, kur para se të arrijnë tek altari, do t’i falin  edhe ata, me të cilët, ndoshta, janë grindur.

Pastaj, radha e gjatë, me bardhësi zëmbaku, u nis përvujtërisht drejt takimit me Krishtin e gjallë!

Kremtim i jashtëzakonshëm, në vendin e trëndafilave, i cili u mbyll me përshëndetjen e të vegjëlve dhe me një shi petalesh të bardha, erëmira, që flauroi mbi ta, si urim. I bardhë, edhe ky!

06 maj 2019, 13:32