杏MAP导航

K?rko

2019-05-05-viaggio-apostolico-bulgaria-macedo-1557147534511.JPG

Papa, katolik?ve bullgar?: t? jeni Kish?-familje-bashk?si, q? shqet?sohet p?r t? tjer?t

Takimi i Pap?s Fran?esku me bashk?sin? katolike bullgare u mbajt n? kish?n e sh?n M?hillit Kryeengj?ll, n? Rakovski. "T? jeni nj? Kish?-familje-bashk?si, q? mir?pret, d?gjon, shoq?ron, shqet?sohet p?r t? tjer?t, duke zbuluar fytyr?n e saj t? v?rtet?, q? ?sht? ajo e n?n?s", u tha Ati i Shenjt? t? pranishm?ve.

R.SH. - Vatikan

Pasditja e sotme e Papës Françesku në Rakovski të Bullgarisë, filloi me takimin e shumëpritur nga bashkësia katolike në kishën e shën Mëhillit Kryeengjëll. Ati i Shenjtë u prit nga dy fëmijë me veshje kombëtare e, së bashku me ta, iu afruan një familjeje pranë basorelievit të shën Gjonit XXIII. Ata i dhanë Papës një tufë me lule, të cilën Bergoglio e vendosi para relikes së Papës shenjt.

Guximi i shën Gjonit XXIII

         Gjatë homelisë, Papa kujtoi periudhën e shërbimit të Gjonit XXIII në Bullgari dhe fjalët, që përdorte, për të konsoliduar “miqësinë me vëllezërit ortodoksë, e cila hapi një rrugë, që mund të lindte vëllazërimin e dëshiruar ndërmjet njerëzve dhe bashkësive”. Ati i Shenjtë i nxiti katolikët bullgarë të jenë njëlloj të guximshëm si ky njeri i Zotit, që u udhëhoq në jetë nga forca e ringjalljes së Krishtit.

         “Burrat dhe gratë e Zotit – nënvizoi Papa – janë ata, që kanë guxim të bëjnë hapin e parë e, me frymë krijuese, të vihen në vijën e parë të frontit, duke dëshmuar se Dashuria Hyjnore nuk ka vdekur, por ka fituar mbi çdo pengesë. Ata e vënë vetveten në lojë, sepse e dinë se në Jezusin, vetë Zoti… ka rrezikuar nga mishi i vet që askush të mos ndihet i vetëm, ose i braktisur”.

I krishteri e sheh tjetrin me sytë e Atit Qiellor     

Duke kujtuar vizitën e mëparshme të ditës, në kampin e refugjatëve të Vrazhdebna-s, Ati i Shenjtë vuri në pah mënyrën e krishterë për ta dashur tjetrin. Për të dashur dikë, theksoi, nuk është e nevojshme t’i kërkosh kurrikulumin, pasi dashuria i paraprin çdo lloj historie jete. I krishteri e sheh tjetrin me sytë e Atit Qiellor.

         “Të shohësh me sytë e fesë është ftesë për të mos e kaluar jetën, duke u ngjitur të tjerëve etiketa, duke klasifikuar kush është i denjë për dashuri e kush jo – ngriti zërin Françesku – por të përpiqesh për të krijuar kushtet që çdo njeri të ndihet i dashur, sidomos ata që mendojnë se janë harruar nga Zoti, pasi janë harruar nga vëllezërit. Kush do nuk humb kohë duke derdhur lot të kotë, por përvesh mëngët për të bërë diçka konkretisht”.

Famullia të jetë shtëpi mes shtëpish

         Siç thoshte shën Gjoni XXIII: “S’kam njohur kurrë ndonjë pesimist, që ka bërë diçka të mirë në jetë”. E Papa Françesku i këshilloi besimtarët e pranishëm në kishën e shën Mëhillit Kryeengjëll, të ndihmojnë njëri-tjetrin, për ta shndërruar famullinë ku bëjnë pjesë, në një shtëpi mes shtëpish, që e dëshmon Zotin pikërisht aty ku njerëzit e familjet rropaten çdo ditë për bukën e gojës. Aty, në atë udhëkryq historish njerëzore, Zoti, që nuk deshi të na shëlbojë me ndonjë dekret, hyn gjithnjë në intimitetin e familjeve dhe, ashtu si dishepujve, u thotë: “Paqja me ju!”. Papa ua përsëriti edhe bullgarëve këshillën për të mos shkuar në shtrat të zemëruar, pavarësisht nga sprovat e ditës, që mund të kalojë familja. E u kërkoi meshtarëve e murgeshave të kujdesen për familjet e për besimtarët në veçanti.

Të jemi Kishë-familje-bashkësi

         Ati i Shenjtë përmendi dëshmitë e dëgjuara në fillim të takimit, sidomos atë të një meshtari, i cili nuk foli për veten, por për grigjën, që Zoti i ka besuar. Prandaj, nënvizoi Papa, Populli i Zotit e njeh si bariun e vet, të cilin e ndihmon dhe e mbron, në marrëdhënie të ndërsjella, që u mësojnë të dyja palëve të jenë shenjë e bekim i Hyjit për të tjerët.

         “Kështu – theksoi Papa – mësojmë të jemi një Kishë-familje-bashkësi, që mirëpret, dëgjon, shoqëron, shqetësohet për të tjerët, duke zbuluar fytyrën e saj të vërtetë, që është ajo e nënës. Kishë-nënë, që i jeton dhe i bën të vetat problemet e bijve, duke mos u dhënë përgjigje të paracaktuara, por duke u përpjekur së bashku me ta në udhët e jetës e të pajtimit; duke u përpjekur ta bëjë të pranishme Mbretërinë e Zotit. Kishë-familje-bashkësi, që merr në dorë nyjet e jetës, të cilat shpesh janë të mëdha sa një grusht e, para se t’i shkoklavisë i bën të vetat, i merr në duart e veta dhe i do fort”.

Qofshi Kishë, që lind bij shenjtorë

         Më pas, Papa foli për të rinjtë, duke u kërkuar besimtarëve katolikë të gjejnë rrugë e mënyra të reja për t’i përfshirë në Kishë, “për të prekur zemrën e tyre, për t’i njohur pritjet e tyre e për t’ua inkurajuar ëndrrat”, që ta shohin të ardhmen me shpresë.

         “Të mos harrojmë – përfundoi Ati i Shenjtë – se faqet më të bukura të jetës së Kishës janë shkruar kur, me frymë krijuese, Populli i Zotit vihej për udhë, duke u përpjekur ta mishëronte dashurinë e Zotit në çdo çast të historisë, duke përballuar sfidat që haste. Është bukur të dish se keni jetuar një histori madhështore, por është edhe më bukur të jesh i vetëdijshëm se juve ju takon të shkruani historinë e së ardhmes. Mos u lodhni së qeni Kishë, që vazhdon të lindë – edhe në mesin e kontradiktave, të dhimbjes e të varfërisë – bijtë për të cilët ka nevojë kjo tokë sot, në fillim të shekullit XXI, duke e mbajtur një vesh për Ungjillin e tjetrin për zemrën e popullit tuaj”.

         Duke cituar shën Gjonin XXIII, Papa Françesku dha bekimin me urimin që ai të jetë një përkëdhëlje e Zotit për secilin prej të pranishmëve. Në dalje të kishës e prisnin disa fëmijë të sëmurë, së bashku me vullnetarët, nga duart e të cilëve u ngjitën lart në qiell tullumbace të bardha, ndërsa këmbanat binin në festë.

06 maj 2019, 16:05