T? meditojm? me Ungjillin e Diel?s s? 23-t? t? vitit kishtar 'C'
R.SH. – Vatikan
Të jesh dishepull a nxënës i Krishtit do të thotë ta zgjedhësh atë dhe të vendosësh për ta ndjekur, duke e bërë të vetmen pikë referimi për jetën. Këtë na thotë Ungjilli i së Dielës së 23-të të vitit kishtar (C), marrë nga kreu 14 i Shën Lukës.
E ndjekim Jezu Krishtin, sepse e duam dhe e bazojmë gjithë jetën mbi Të. Pavarësisht nga gabimet tona njerëzore të përditshme, nuk do të reshtim kurrë së shkuari pas gjurmëve të Tij, duke i pranuar gabimet si kufizime dhe si pjesë e kryqit që na kërkohet të mbajmë çdo ditë. Një kryq me vuajtje të mëdha e të vogla, por mënyra e vetme për t’u bërë dhe për të mbetur dishepuj të Krishtit. Sot e përgjithmonë, Kisha plazmohet nga ata, që kanë guximin t’ia besojnë veten vetëm Zotit dhe ta ndjekin Jezusin pa kompromis.
Ja pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka (Lk 14,25-33)…
Në atë kohë, një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Jezusi u kthye kah ata dhe u tha: “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!
Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet: a ka sa i duhen për ta kryer? Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ Ose – cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqëroj a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? Nëse nuk mundet, dërgon një delegacion derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe. Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.
Të lutemi së bashku
Të ndjekësh gjurmët e tua, o Jezus,
nuk është edhe aq e lehtë,
s’është vendim për t’u marrë
pa kujdes, nën shtysën
e ndonjë entuziazmi kalimtar.
Ti na kërkon ta vlerësojmë mirë
rrugën, ku duam të hyjmë.
E kështu, na vë përpara
kushtet, të cilave duhet t’u nënshtrohemi
për të qenë në gjendje të ecim pas Teje
pa u penduar e pa të akuzuar kot.
Pra, pak dashuri e aq, nuk të mjafton:
Ti na kërkon të të duam
shumë me tepër se këdo tjetër,
më tepër se ata, me të cilët
na lidh gjaku,
ose çështje, që na impenjojnë për gjithë jetën.
Vërtet, herët a vonë, na ndodh
që duhet të zgjedhim, prandaj,
që tani, duhet të jemi të përgatitur
për të mbetur besnikë ndaj Teje, me çdo kusht.
Ti kërkon që të vijmë drejt Teje
të lirë nga gjithçka, që është
peshë e rëndë, zinxhir, gur penegese për çdo hap.
Ti na kërkon të çarmatosemi
për t’u lëshuar krejtësisht në duart e tua
e për të shpresuar veç në Ty.
Vetëm kështu do të jemi gati
të përshkojmë udhën Tënde, duke bartur secili
Kryqin e vet.