Shugurohet ipeshkvi p?r dioqez?n kineze t? themeluar nga Papa Leoni XIV
R.SH. – Vatikan
Me shugurimin e sotëm (10 shtator) të 62-vjeçarit, imzot Joseph Wang Zhengui, si ipeshkëv i parë i dioqezës së Zhangjiakou-t, përfundon procesi i filluar dy muaj më parë nga Papa Leoni XIV. Më 8 korrikun e këtij viti - "me dëshirën për të nxitur kujdesin baritor për grigjën e Zotit dhe për të punuar më me fryt për të mirën e saj shpirtërore" - siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit - Papa i shfuqizoi dioqezat e Xiwanzi-t dhe Xuanhua-s, duke i bashkuar ato në territorin e dioqezës së re, e cila është pjesë e Provincës së Hebei-t, në kufi me Pekinin.
Po më 8 korrik, Papa emëroi imzot Wang Zhengui ipeshkëv të Zhangjiakou-t, "pasi e miratoi kandidaturën e tij" - shkruhet në notën zyrtare - "brenda kuadrit të Marrëveshjes së Përkohshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Popullore të Kinës".
Ipeshkvi i ri
Ipeshkvi i ri i shuguruar sot, është lindur në vitin 1962, ndoqi Seminarin provincial të Hebeit nga viti 1984 deri në vitin 1988. Gjatë dy viteve të mëpasme, përfundoi një stazh baritor në famullinë e Qujiazhuang. Më 24 maj 1990, u bë meshtar për dioqezën e Xianxian-it dhe u caktua në të njëjtën famulli, ku u emërua famullitar në vitin 1991. Më pas, shërbeu në dioqezën e Xuanhua.
Dioqeza e re
Me bashkimin e territorit të dioqezave të Xuanhua dhe Xiwanzi - të cilat u krijuan më 11 prill 1946 nga Papa Piu XII - dioqeza e re e Zhangjiakou ka një sipërfaqe totale prej 36.357 km katrore dhe një popullsi prej 4.032.600 banorësh, nga të cilët afërsisht 85.000 janë katolikë, me 89 meshtarë. Salla e Shtypit e Vatikanit njofton se kufijtë kishtarë të dioqezës së re do të përfshijnë zonat e mëposhtme: lagjet Xuanhua, Qiaodong, Xiahuayuan, Chongli, Qiaoxi dhe Wanquan; kontetë Chicheng, Huailai, Zhuolu, Weixian, Yangyuan, Huai'an, Shangyi, Zhangbei, Guyuan dhe Kangbao. Lagjja Yanqing është përfshirë në kryedioqezën e Pekinit; ndërsa qyteti Xilinguolemeng është përfshirë në dioqezën e Jining.