N? Evrop? si qytetar? t? krishter?
R.SH. / Vatikan
Drejt një qytetarie të krishterë në Evropë është tema e takimit vjetor të Këshillave Kombëtarë të Kishave Evropiane që mbahet në Nyborg, Danimarkë deri më 17 shtator. Takimi, i cili filloi dje, e hënë më 15, dhe i promovuar nga Konferenca e Kishave Evropiane (KEK), është një rast i volitshëm për një diskutim dhe reflektim të organizmave ekumenikë kombëtarë që veprojnë në territor për të ndërtuar bashkësinë përmes një dëshmie të përditshme të vlerave të krishtera.
Këto takime vjetore përbëjnë një traditë më shumë se dhjetëvjeçare, e cila gjatë viteve të fundit ka fituar një vlerë të veçantë pikërisht përballë çështjes gjithnjë e më të ndjeshme dhe të gjallë të një bashkëndarjeje më të madhe të projekteve dhe veprimeve ekumenike për të propozuar një model të ri shoqërie si formë e privilegjuar për të jetuar ungjillin në Evropë.
Këshillat kombëtarë — të cilët mbledhin, në varësi të konteksteve të ndryshme, Kisha të traditës protestante, ortodokse dhe pentekostale, ndonjëherë me pjesëmarrjen e Kishës Katolike — përpiqen të tregojnë se si të jetojnë unitetin në dëshminë e përbashkët të vlerave të krishtera. Mbi këto të fundit duhet të themelohet kultura e mikpritjes në një kontekst evropian gjithnjë e më multikulturor dhe multireligjioz, ku shtohen tundimet për të krijuar mure të reja, ndërsa lufta në Ukrainë ka hapur skenarë gjeopolitikë që përfshijnë drejtpërdrejt edhe Kishat.
Tema "Drejt një Qytetarie të Krishterë" e zgjedhur për takimin e vitit 2025 duket veçanërisht domethënëse në këtë drejtim, pasi bëhet fjalë për gjetjen e formave të bashkëpunimit me institucionet politike dhe me fetë e tjera për të promovuar rregulla të reja për qytetarinë në Evropë.
Titulli, Towards a Christian Citizenship in Europe, është frymëzuar nga tema e presidencës daneze të BE-së mbi sigurinë në Evropë dhe Programin evropian të fqinjësisë. Pjesëmarrësit do të eksplorojnë se si Kishat mund të kontribuojnë në formësimin e qytetarisë në Evropën bashkëkohore. Me këtë dëshmi ekumenike synohet të kontribuohet në rizbulimin e një trashëgimie kulturore dhe shpirtërore të lirisë dhe demokracisë që ka karakterizuar historinë evropiane.
Për tre ditë në Nyborg diskutohet, pra, se si të krishterët mund ta pasurojnë kontributin e tyre për të ndryshuar politikat e diskriminimit, sidomos ndaj atyre që vijnë në Evropë, duke ripërtërirë denoncimin e atyre që i referohen fesë për të gjetur një justifikim për dhunën dhe luftën, ndërsa Lëvizja Ekumenike ka lindur dhe është zhvilluar për të sjellë pajtim, paqe dhe unitet, me të ftesën të ndërtohet Evropa e vlerave, e bashkuar e me rrënjët në traditën e saj.