Imzot Eduard Profittlich, d?shmitar i fes? kund?r ?menduris? s? luft?s
R.SH. / Vatikan
«Është e drejtë që bariu të qëndrojë me grigjën e tij dhe të bashkëndajë me të gëzimet dhe dhimbjet… Jam i bindur thellësisht se, nëse Zoti do të ecë me mua, nuk do të jem kurrë vetëm». Kështu shkruante jezuiti Atë Eduard Profittlich, kryeipeshkvi i parë i Estonisë, i lumturuar sot paradite, më 6 shtator, në Talin. Kremtimi, i zhvilluar në Sheshin e Lirisë, u kryesua, në emër të Papës, nga kardinali domenikan austriak Christoph Schönborn.
Në homeli, kardinali Schönborn citoi fjalët e të Lumit të ri, të përfshira në një letër drejtuar familjarëve. Ai ua kishte dërguar atyre në një moment veçanërisht të vështirë të vitit 1940, kur trupat sovjetike kishin pushtuar Estoninë, duke kufizuar aktivitetin e Kishës. Prelati Profittlich kishte mundësinë të kthehej në Gjermani, vendin e tij të lindjes, por vendosi të qëndronte me besimtarët e tij.
Një zgjedhje që i kushtoi jetën: më 27 qershor 1941 u arrestua dhe u deportua në Kirov, Rusi, ku u torturua dhe u dënua me vdekje me akuzën e spiunazhit. Veprimet e dhunshme që pësoi në burg i shkaktuan vdekjen më 22 shkurt 1942, para ekzekutimit. «Për grigjën e tij, delet e tij, At Profittlich ishte i gatshëm të jepte jetën e tij», theksoi kardinali Schönborn, duke vënë në dukje «gëzimin e Krishtit» me të cilin kryeipeshkvi i Lum mori vendimin e tij. Schönborn më pas kujtoi situatën dramatike të Evropës në vitet '40 të shekullit të kaluar, «shpërthimin e paimagjinueshëm të forcave të ferrit» për shkak të «luftës ndoshta më të çmendur që ka ekzistuar ndonjëherë», me regjimin nazist në Gjermaninë e Hitlerit dhe atë komunist në Bashkimin Sovjetik të Stalinit.
«Lagerët dhe gulagët ishin shprehja e përbuzjes maksimale për njerëzimin», vazhdoi kardinali Schönborn, duke kujtuar në vend të kësaj «dinjitetin», që buronte nga besimi, me të cilin At Profittlich iu dorëzua torturuesve të tij. Lumnimi i sotëm i kryeipeshkvit jezuit, shtoi ai, ndodhi «në një moment kur plagët e vjetra kërcënojnë të rihapen», pasi «lufta është përsëri pjesë e përditshmërisë së hidhur» të rajonit lindor të Evropës, për shkak të konfliktit aktual midis Rusisë dhe Ukrainës. Por jo vetëm: kardinali Schönborn kujtoi «luftën e tretë botërore pjesë-pjesë» të denoncuar shumë herë nga Papa Françesku dhe theksoi se «pjesë e këtij konflikti është edhe persekutimi i të krishterëve në mbarë botën». Në këtë situatë, pra, dëshmia e të Lumit të ri duket «veçanërisht e çmuar për kohën aktuale», pasi ai «tregon rrugën e të krishterit në kohë persekutimi».
Duke theksuar sërish se «një lumnim nuk është kurrë i orientuar drejt një personi të vetëm», kardinali Schönborn kujtoi lutjen e besimtarëve të tij që mbështetën At Profittilch. Aq sa ai vendosi të qëndronte në vendin baltik pavarësisht rreziqeve: "po"-ja e tij nuk ishte vetëm personale, por edhe e gjithë «Kishës ndaj vullnetit të Zotit», sepse «shenjtëria personale mbështetet gjithmonë nga shenjtëria e Kishës, nusja e Krishtit».
Kardinali Schönborn më pas përmendi dy iniciativa të veçanta: e para, e zhvilluar më 4 shtator në Talin nga Etërit dominikanë, pra leximi i pandërprerë, brenda 24 orëve, i emrave të shumë viktimave të kampeve të burgimit sovjetik. E dyta daton që nga Jubileu i Madh i vitit 2000, kur Shën Gjon Pali II i kërkoi një grupi historianësh të fillonin të hartonin një martirologji të shekujve më të fundit. «Vetëm Zoti i njeh të gjithë emrat» e atyre martirëve, përfundoi kardinali Schönborn, duke theksuar së fundi se gjaku i martirëve «është fara që gjeneron të krishterët».