杏MAP导航

K?rko

Gaza, At Romanelli: nj? bekim telefonata me Pap?n, lutemi p?r paqe

Famullitari i Kish?s n? Gaza tregon, p?rmes nj? videoje t? shp?rndar? me mediat e Vatikanit, thirrjen e pardjeshme me Pap?n, pas urdhrit t? evakuimit t? Izraelit p?r banor?t e qytetit t? Gaz?s: "I tham? se jemi mir?, se situata vazhdon t? jet? e v?shtir?". "Shumica e popullsis? nuk d?shiron t? largohet", shpjegon prifti argjentinas, "n? famulli t? Gaz?s ka rreth 450 refugjat?, t? moshuar, t? s?mur?, f?mij?. Ne vazhdojm? t? q?ndrojm? pran? tyre".

R.SH. - Vatikan

"Përshëndetje, vëllezër të dashur, shpresoj të jeni mirë. Ne jemi mirë, pavarësisht situatës së tmerrshme në të gjithë Rripin e Gazës. Dje patëm një gëzim të madh. Nuk është hera e parë, por telefonoi Papa...". Kështu fillon videoja e At Gabriel Romanellit, famullitarit të Familjes së Shenjtë të Gazës, shpërndarë me mediat e Vatikanit një ditë pas deklaratave të Papa Leonit XIV, në dalje nga rezidenca e tij në Castel Gandolfo, ku Ati i Shenjtë tregonte se kishte provuar të kontaktonte priftin argjentinas në Gaza.

"Kam provuar të telefonoj tani famullitarin, nuk kam lajme", pati thënë Papa. "Ata ishin mirë, sigurisht, por pas këtij urdhri të ri nuk jam i sigurt". Referimi ishte ndaj urdhrit të menjëhershëm të evakuimit nga Izraeli për banorët e qytetit të Gazës në pritje të një përshkallëzimi të operacioneve ushtarake.

Telefonata me Papën

Në mbrëmje, përmes kanaleve të tij sociale, At Romanelli vetë bëri të ditur se Papa "ka mundur të komunikojë me ne". "Na pyeti si ishim dhe si ishte situata. Na dërgoi bekimin e tij apostolik dhe u lut për ne dhe për paqen", komunikoi famullitari i Gazës.

Në videon e pardjeshme At Romanelli konfirmon se "në momentin kur (Papa, shën. red.) telefonoi nuk pata mundësi të përgjigjem, sepse ishim në një kremtim të gjatë liturgjik që bëmë në Kishë, një kremtim shumë i bukur... Pastaj kam qenë në kontakt me të".

"Nuk është hera e parë, Papa gjithmonë e ndjek nga afër të gjithë situatën dhe është shumë i angazhuar për fundin e kësaj lufte, është i impenjuar në punën dhe lutjen për paqen. Kështu që Papa dërgon bekimin e tij për të gjithë, për të gjithë Rripin e Gazës, për të gjithë komunitetin e famullisë", shpjegon At Romanelli. "Është një gëzim i madh të jesh në kontakt me Atin e Shenjtë, me Papa Leonin. Ai donte të dinte si jemi. Epo, i thamë se jemi mirë, se situata vazhdon të jetë e vështirë".

Pranë njerëzve

Sa i përket situatës në famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza, e goditur nga një sulm izraelit korrikun e kaluar, famullitari njofton: "Ne vazhdojmë të qëndrojmë këtu në famulli me njerëzit për të cilët kujdesemi. Ka rreth 450 refugjatë, siç e dini. Një numër i konsiderueshëm të moshuarish, të sëmurësh, fëmijësh. Dhe pastaj ka familje që jetojnë këtu. Në pjesë të tjera të qytetit të Gazës ka njerëz që po lëvizin drejt jugut". "Shumica e popullsisë nuk dëshiron të largohet", konfirmon At Gabriel. "Shumë thonë të njëjtën gjë që kemi dëgjuar që nga fillimi i luftës. Kudo ka rrezik, ka bombardime, ka rrezik real, ka vdekje, bombardime, të plagosur, shkatërrim". Megjithatë, shumë duan të vazhdojnë të jetojnë në qytet. "Ne vazhdojmë me aktivitetet e përditshme, e bëjmë atë që mund të bëhet. Kemi mundur të ndihmojmë shumë familje".

Në lutje për paqe

"Vazhdojmë të lutemi për paqe, e edhe ju vazhdoni të luteni për paqe", është ftesa e famullitarit të Familjes së Shenjtë të Gazës. "Siç po shihni nga lajmet, e gjithë Lindja e Mesme është përmbysur. Dhe jemi të bindur se fundi i kësaj lufte do të sjellë pak më shumë qetësi, edhe pse nuk është sinonim i paqes, për të gjithë rajonin dhe për një pjesë të madhe të botës. Të vazhdojmë t'i lutemi Zotit që të na dhurojë mrekullinë e paqes me ndërmjetësimin e Virgjërës së Shenjtë, Zojës Mari".

11 shtator 2025, 12:15