Fjala e Zotit e s? diel?s s? 23-t? gjatё vitit kishtar “C”
R.SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Fjala e Zotit e së dielës së 23-të gjatё vitit kishtar “C”
Fjala e Zotit e kësaj së diele na fton të vendosim në qendër të jetës sonë Jezu Krishtin dhe mesimet e tij. Leximet biblike na flasin për kërkimin e pasionuar të Zotit për njeriun. Ungjilli i Lukёs (Lk 14, 25-33) na tregon se “një turmë e shumënumërt shkonte me Jezusin”. Ndjekja e Krishtit është angazhim serioz e njëkohësisht, i gëzueshëm; kërkon radikalitet e guxim për ta njohur Mësuesin Hyjnor në më të varfërin e për t’u vënë në shërbim të Tij.
Porosia e Ungjillit të kësaj së diele nga Luka na kujton se dishepulli i Jezusit duhet ta ketë gjithnjë Zotin në qendër të jetës së vet. Të jetë si ai, që ndërton shtëpi, e si mbreti, që shpall luftë, duke llogaritur jo vetëm fillimin, por edhe, e sidomos, fundin. Duhet, prandaj, t’i llogarisim mirë forcat, që të mund ta çojmë deri në fund, ndërtesën tonë a të fitojmë betejën, që nisëm. Në jetë ka shumë gjëra, që presin për t’u ndërtuar e shumë beteja, për t’u luftuar me fund. Prej këndej, ta zgjedhësh a të mos e zgjedhësh Krishtin, nuk është çështje çasti, po çështje jete: kërkon gjithë jetën, e jo vetëm këtë tokësore, por edhe atë, që vijon përtej, në amshim.
Pjesa e ungjillit e kёsaj sё diele thotë: “Ai që nuk heqë dorë nga çdo pronë e vetja dhe nuk shkëputet edhe nga lidhjet familjare, nuk mund të jetë nxënësi im.”... Po ta dëgjojmë Zotin në tërësi të asaj që na thotë, atëherë kuptojmë se Jezusi nuk kërkon nga të gjithë ne të njëjtën gjë. Nëse i drejtohemi përsëri fragmentit tё Ungjillit tё kёsaj sё diele, na bie në sy se në ato rreshta, Jezusi nuk flet vetëm për disa pak vetë; thelbi i fjalëve të tija është se ajo çka Ai thotë vlen për të gjithë: “Kush don ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë, por kush do të humbasë jetën e vet për mua, ai do ta shpëtojë. E çka i vlen njeriu të fitojë mbarë botën nëse pastaj humbet dhe shkatërron vetveten?” (Lk 9, 24s). Ai që don ta zotërojë jetën e tij vetëm për vete, ta ketë vetëm për vete, ai do ta humbasë. Vetëm ai që dhurohet e fiton jetën e vet. Me fjalë të tjera: vetëm ai që dashuron gjen jetën.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Urt 9, 13-18
Lexim prej Librit të Urtisë
E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit? Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti? Frikacake janë mendimet e të vdekshëmve dhe të dyshimta parashikimet tona: sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse. Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore madje edhe sendet që i kemi në dorë mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtoje gjërat qiellore?
E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë? Vetëm kështu u bënë të drejta shtigjet e atyre që janë në tokë dhe vetëm kështu njerëzit mësuan çka të pëlqen e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar. Fjala e Zotit.
Psalmi 90
Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës
----- ----- -----
Ti e kthen njeriun në pluhur
duke thënë: “Kthehuni, bijtë e Adamit!”
Sepse mijëra vjet për sy të tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi ndërrimi i rojës së natës!
----- ----- -----
Ti i zhbin në gjasim të gjumit
që në mëngjes kalon si bari;
lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron,
në mbrëmje korret edhe vyshket!
----- ----- -----
Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona
që zemra jonë dijen ta mbërrijë.
Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?
Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
----- ----- -----
Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,
e do të gëzohemi e do të galdojmë
të gjitha ditët e jetës sonë.
Raftë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,
bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,
të përparojë vepra e duarve tona.
----- ----- -----
Leximi i dytë Flm 9-10.12-17
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filemonit
Shumë i dashur, unë Pali, plak dhe tani edhe i burgosuri i Krishtit Jezus. Po të lutem për birin tim, të cilin e linda në pranga, për Onezimin. Po ta dërgoj atë – loçkën e zemrës sime. Desha ta ndal pranë meje që të më shërbejë në vend tënd këtu në burg, ku gjendem për shkak të Ungjillit, por nuk desha të bëj asgjë pa pëlqimin tënd, që vepra e mirë të cilën do ta bësh, të mos duket se e bëre përdhunë, por vullnetarisht. Ndoshta shi për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që te ti të kthehej përgjithmonë, jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur, sidomos për mua dhe aq më tepër për ty, qoftë si njeri dhe qoftë si vëlla në Zotin. Në qoftë se, pra, më mban për shok në fe, pranoje porsi mua! Fjala e Zotit.
ALELUJA, aleluja.
Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas,
thotë Zoti, nuk mund të jetë nxënësi im!
Aleluja.
Ungjilli Lk 14, 25-33
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Jezusi u kthye kah ata dhe u tha: “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!
Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet: a ka sa i duhen për ta kryer? Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë – të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ Ose – cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqëroj a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? Nëse nuk mundet, dërgon një delegacion derisa ai është ende larg e kërkon kushtet për paqe. Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”. Fjala e Zotit.
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XXIII GJATË VITIT: NËSE NDOKUSH VJEN TEK UNË... TA MBARTË KRYQIN E VET!
(Urt 9, 13-18; Ps 90 (89); Flm 9-10. 12-17; Lk 14, 25-33)
Përgjatë historisë, njeriu është prirur shpesh që ta përfytyrojë Hyjin si veten, duke i quajtur si veti të Hyjit ato veti që, në fakt, janë veçse të njeriut. Hyji është Hyj e jo njeri. Prandaj, sikur Ai të mos e kishte zbuluar vetë veten e Tij, ne nuk do të kishim arritur assesi ta njihnim Atë. Leximi i parë na thotë sot: «E njëmend, cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit?» E më poshtë i drejtohet Hyjit: «E kush e kishte njohur vullnetin tënd, po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë e të mos e kishe dërguar prej së larti shpirtin tënd të shenjtë?»
Kjo parashtesë është shumë e rëndësishme për të kuptuar Ungjillin e sotëm, sepse aty edhe një herë shohim se si Jezusin po e ndjekin turma të mëdha populli. Por, me sa duket, ende nuk e kishin kuptuar diçka që është e domosdoshme në ndjekjen e Tij: praninë shëlbuese të kryqit. Prandaj Jezusi ndalet dhe dëshiron të sqarohet me ta mirë, duke ua shpjeguar se pas kujt po shkojnë. «Marrëveshja e qartë, miqësia e gjatë.» - thotë një proverb italian. Jezusi i fton ndjekësit e vet që ta kenë seriozisht dashurinë e tyre ndaj Tij. Aq seriozisht, saqë asnjë dashuri tjetër nuk duhet të ketë përparësinë: «Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babën, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se mua, nuk mund të jetë nxënësi im. Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!» Janë fjalë vërtet të forta. Aq të forta saqë me siguri do të dëshironim t’i shmangnim. Por le t’i meditojmë me radhë ato.
Dashuia për Jezusin duhet të jetë më e madhe se ajo për babain e për nënën. Ta kuptojmë drejt: kjo lloj dashurie nuk do të thotë aspak urrejtje ndaj prindërve. Nuk ka mundësi që Jezusi të na mësojë diçka që bie ndesh me urdhrin e katërt të dekalogut që thotë: «Ndero prindërit!». E, në fakt, thotë “nderoji”, e jo “bindju”. Pra, me gjithë dashurinë e madhe dhe respektin e pamasë që duhet të kenë fëmijët ndaj prindërve të tyre, duhet pasur kujdes që, për shkak të kësaj dashurie, të mos largohen nga vlerat e vërteta dhe nga kërkimi i vullnesës së Zotit për jetën e tyre. Prindi, si njeri mëkatar që është edhe ai, mund të gabojë e mund të mos e përmbushë si duhet misionin e tij prej prindi, pra, të jetë përçues i fytyrës së Prindit absolut që është Hyji. E këtu fëmija nuk është i detyruar më t’ia dëgjojë fjalën, me gjithë respektin e dashurinë që vazhdon t’i japë.
Pas babait dhe nënës, Jezusi përmend gruan. Natyrisht, nuk duhet të mendojmë tani se Jezusi u është drejtuar vetëm burrave. Kjo fjalë vlen edhe për gratë. Nuk pakësohet dashuria në çift nëse ajo që i paraprin kësaj dashurie është dashuria ndaj Krishtit. Thuhet në jetën e Shën Elizabetës së Hungarisë, e cila ishte e martur me një princ, se si ajo shpesh zgjohej natën dhe ulej në gjunjë pranë shtratit për t’u lutur. I shoqi e vinte re një gjë të tillë. Ai e donte shumë atë dhe kurrë nuk e qortonte për këto gjeste. Gruaja e tij e dashur, ndërsa lutej, shpesh e shtrëngonte fort dorën e të shoqit, i cili ndërkohë bënte gjoja se po flinte. Ky gjest atij ia mbushte zemrën me gëzim. Por ajo që e habiste më shumë ishte se si kishte mundësi që, njëkohësisht, dashuria e pamasë që kjo grua kishte për Krishtin, ishte poaq e madhe edhe ndaj tij.
Dashuria për Krishtin nuk e zvogëlon dashurinë në çift, por veçse e forcon, e edukon dhe e pastron atë nga ajo që nuk është dashuri, por egoizëm. Mund të ndodhë shpesh që të justifikohen edhe mëkate për hir të dashurisë në çift. Nuk duhet absolutizuar askush, as bashkëshorti apo bashkëshortja.
Dashuria për fëmijët. Imagjinojeni një fëmijë që po lutet përballë ndonjë truporeje që paraqet Krishtin. Ka prindër që, me jetën e tyre, duket sikur kanë dëshirën (dhe shpesh e bëjnë) ta heqin atë trupore e në vend të saj të ngjiten vetë. Kanë dëshirën të jenë Zoti i fëmijëve të vet, ndërkohë që fëmijët janë pikësëpari të Hyjit e jo të tijtë. Ajo që duhet të bëjë prindi, është që vazhdimisht t’i afrojë fëmijët kah Hyji e, kur të paraqitet rasti, t’ua dëshmojë atyre se dashuria me e madhe që ai ka, është Hyji i gjallë e i vërtetë.
Pastaj Jezusi vazhdon duke porositur se dashuria për të duhet të jetë më e madhe se dashuria edhe për vetë jetën tonë. Nuk ka nevojë të zgjatemi këtu, sepse gjithnjë duhet të jemi gati për martirizim.
Më poshtë Jezusi porosit edhe që t’i biem mohit pasurisë, pra, të mos jemi shërbëtorët e saj. Po ta vëmë re mirë në Ungjill, ndër të paktat porosi morale që Jezusi i përsërit shpesh, është pikërisht porosia që të mos jepemi me tepri pas pasurisë. Kjo sepse lakmia për pasuri gjen forma nga më të komplikuarat për të hyrë në shpirtin tonë dhe për të na bërë që të harrojmë se kemi disa vlera morale e fetare që duhet t’i kemi për zemër. Prandaj të mos harrojmë se, në fund të fundit, kemi një Zot të vetëm për ta adhuruar e jo pasurinë apo zota të tjerë të rrejshëm.
Ja, pra, dashuria që Jezusi kërkon ndaj atyre që i shkojnë pas! Na thotë që t’i bëjmë mirë llogaritë (si ai që ndërton një kullë, apo si një mbret që bëhet gati për luftë) nëse duam t’i shkojmë pas. Mbase shumë prej tyre i shkonin pas Jezusit duke shpresuar prej Tij vetëm të mira materiale, gjë që nënkupton një ide mjaft pagane mbi Hyjin, duke treguar kështu se nuk e kanë kuptuar si duhet Hyjin. Por sa mirë që vetë Hyji ndalet, kthehet kah ne dhe na tregon atë që nevojitet të kemi mirë parasysh, kur dëshirojmë të vihemi në ndjekjen e Tij. «E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë?», thotë leximi i parë.
E, meqë cituam përsëri leximin e parë, na duhet të citojmë edhe disa fjalë të tjera shumë të bukura që shkruhen aty: «Kush mund të kujtohet se çka do Zoti? Frikacake janë mendimet e të vdekshmëve dhe të dyshimta parashikimet tona... Mezi parafytyrojmë gjërat tokësore, madje edhe sendet që i kemi në dorë, mezi i kuptojmë, e kush atëherë do t’i shqyrtojë gjërat qiellore?» Autori i këtyre rreshtave me siguri ishte një teolog shumë i ditur hebre. Ai, rreth një shekull para Krishtit, duke parë se kultura të tjera që nuk e njihnin Hyjin e Izraelit dëshironin t’ia zbehnin forcën zbulesës së Hyjit të shprehur në Ligj dhe në Profetë, i fton besimtarët që të mos u zënë fort besë stërhollimeve të të dijshmëve të kësaj bote, sepse njeriu gjithnjë priret t’i llogarisë gjërat duke u bazuar në interesin vetjak e jo t’i hapet logjikës së dashurisë: «Frikacake janë mendimet e të vdekshëmve.»
Prandaj Jezusi tregon se duhet të përvetësojmë logjikën e Tij, e cila ka për bazë dashurinë e pamasë e jo logjikën e botës, që për bazë ka egoizmin. Kryqi i përditshëm që duhet të bartim, ka për qëllim të na shenjtërojë ne dhe ata që kemi pranë, nëse ne vërtet duam të shenjtërohemi e të gëzojmë lavdinë e ngjalljes.
Shenjtja Terezë e Avilës, kur tashmë ishte në moshë të thyer, thuhet se qe e detyruar të merrte një udhëtim të gjatë, në fund të të cilit i ndodhi që të thyente pak kyçin e këmbës. Kur e mori pak veten, gjatë lutjes së saj iu drejtua Jezusit me këto fjalë: «O Zot, a edhe këtë pata mangët në jetë, në këtë moshë?» Jezusi iu shfaq dhe i tha: «Unë kështu i trajtoj miqtë e mi.» E Shenjtëresha ia priti: «Tani po e kuptoj pse ke kaq pak.»
Jezusi ka pak miq që vërtet ia njohin mendimet. Ndër këta pak është edhe Shën Pali që, siç dëgjuam në në leximin e dytë, përpiqet ta shpallë me të madhe dobinë e logjikës shëlbuese të Jezusit. Shën Pali, në një letër që i kishte dërguar një farë Filemonit, i cili mendohet se ishte një i krishterë i pasur, i kërkon që Onezimin, skllavin e tij, ta pranonte si vëlla dhe t’ia falte fajin që kishte bërë duke u arratisur prej tij. Ligjet e asaj kohe e dënonin rëndë një gjest të tillë të skllavit. Por rrugët e Provanisë kishin bërë të mundur që Onezimin ta takonte Shën Pali në burg e aty ta kthente në fenë e krishterë («E linda ndër pranga.»). Pastaj Shën Pali e nis përsëri tek pronari i tij, duke i dhënë edhe një letër me vete. E risia qëndron në dy detaje domethënëse: së pari, në faktin se Shën Pali e bind Onezimin të kthehet atje nga ku ishte arratisur, ngaqë e kishte bërë të kuptonte se liria e vërtetë është jeta me Hyjin e asgjë tjetër; së dyti, është fakti se Shën Pali i kërkon Filemonit, pronarit, që Onezimin, i cili ishte skllavi i tij, ta pranonte si vëlla të vetin: «Ta pranosh jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, porsi vëlla i dashur!» Të krishterët që e marrin seriozisht Krishtin, janë në gjendje ta ndryshojnë rrjedhën e mendësisë së botës.
«E kush e kishte njohur vullnetin tënd po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë?» - pyeste autori i leximi të parë. E ne mund të pyesim pa mëdyshje: Sikur Jezusi vetë të mos na e kishte sqaruar mirë, cili prej nesh do të mund ta kuptonte vetvetiu se na duhet kryqi, nëse duam të shëlbohemi?
Prandaj le t’i zëmë besë Jezusit, Zotit e Mikut tonë. Le ta marrim kryqin tonë e t’i shkojmë pas!