杏MAP导航

K?rko

Fjala e Zotit e diel?s s? Lart?simit t? Kryqit t? Shenjt?

M? 14 shtator Kisha kremton solemnitetin e Ngadh?njimit t? Kryqit t? Shenjt?, fest? q? ka zanafill?n n? Jerusalem m? 14 shtator t? vitit 335. K?t? dit? u shuguruan nd?rtesat e ngritura nga Perandori Kostandini p?r t? mbrojtur e p?r t? nderuar viset ku Jezu Krishti p?rmbushi misterin e vet t? Pashk?ve, misterin e vdekjes e t? Ngjalljes.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të festës së Lartësimit të Kryqit të Shenjtë a festës së Ngadhënjimit të Shëna Kryqit, sikur njohet te besimtarët shqiptarë. 

Fjala e Zotit

“Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri” –shkruan shën Pali në Letrën e Parë të Korintianëve(1 Kor 1, 23). Kryqi (kryqëzimi Krishtit) është simboli me të cilin të krishterët shfaqin besimin e tyre; megjithatë, për tre shekuj, ata qëllimisht e kanë shmangur kryqin. Në tre shekujt e parë të krishterët njiheshin me simbole të tjera – spirancën, peshkun, bukët, pëllumbin, bariun – e hezitonin të paraqisnin kryqin, sepse ai evokonte vdekjen e turpshme të Jezu Krishtit,  Mësuesit të tyre, një vdekje kjo e rezervuar për skllevërit e banditët dhe për faktin se ishte një nga arsyet pse të krishterët talleshin nga paganët.

Një datë e saktë që shënon kalimin në kultin e kryqit është 14 shtatori i vitit 335 pas Krishtit, ditë në të cilën në Jeruzalem një turmë e madhe shtegtarësh, ardhur nga çdo cep i botës, festoi përkushtimin e Bazilikës së ndërtuar nga Kostandini në vendin e varrit të shenjtë të Jezu Krishtit. Mbi shkëmbin e Kalvarit perandori kishte vendosur një kryq të mrekullueshëm të stolisur me gurë të çmuar për të kujtuar pikërisht vendin e flijimit të Jezu Krishtit mbi kryq.

Që nga ajo ditë Kryqi u bë simboli i krishterë par excellence. E festa e sotme e Naltimit të Kryqit të Shenjtë dëshiron të na kujtojë kuptimin autentik të kryqit të Jezu Krishtit. Prej shtatëmbëdhjetë shekujsh komunitetet e krishtera e duan  dhe nderojnë këtë simbol feje, shprese, dashurie e ringjaljeje.

Por ç’kuptim ka ta naltosh Kryqin? Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje siç është kryqi? Shën Pali Apostull thotë “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenj, çmenduri për paganë” (1 Kor 1, 23). Duhet pasur, veç, parasysh se të krishterët nuk naltojnë çdo lloj kryqi, por atë Kryq të cilin Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt dhe dëshmi e dashurisë që s’njeh masë. Nuk është kryqi ai që i ka dhënë lavdi Jezusit, por është Jezusi ai që e ka jetuar edhe kryqin në mënyrë të tillë që ta bëjë këtë instrument vdekjeprurës shenjë dhe emblemë të një jete të ofruar, të shpenzuar, të dhuruar për dashuri, një dashuri e jetuar "deri në pikën e fundit" (eis télos: Gjn 13,1) ndaj njerëzve, madje edhe ndaj ekzekutorëve të tij.

Kështu, në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, sikur pohon Shën Pali në Letren e tij drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi, nga simbol i vdekjes në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen e dhunën dhe lind jetën e pavdekshme. "O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” .

I madh është misteri që përkujtojmë sot, po një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi i Krishtit është shenjë e fitores mbi vdekjen e dhunën. Kryqi bëhet kështu lavdi. E me të drejtë liturgjia e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.

Në festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, Kisha na fton të shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si udhë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së Qiellit, jetës së amshuar.

                                                       Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Nr 21, 4-9) 

Lexim prej Librit të Numrave 

Izraelitët u nisën prej malit Hor për t’iu shmangur tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin, zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thanë: “Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë, s’ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin”!
Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i largojë gjarpërinjtë”! Moisiu u lut për popull, e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, ta shikojë, do të shpëtojë”.
Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 77

Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim,

vëru vesh fjalëve të gojës sime.
Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra,
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.

Ato që dëgjuam e mësuam,
çka na treguan etërit tanë,
nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,
veprat e bindshme që ai bëri.

Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin,
dhe e vuri Ligjin në Izrael,
që çfarë u urdhëroi etërve tanë
ato t’ua shpallin fëmijëve të vet,
që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura,
që fëmijët që të lindin
t’ua tregojnë fëmijëve të vet:
që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin,
të mos i harrojnë veprat e Hyjit
e t’i mbajnë urdhërimet e tija.

Leximi i dytë (Fil 2, 6-11)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve 

Krishtin Jezus:i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA

Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet.
Aleluja

Ungjilli  (Gjn 3,13-17)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet
kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur.
Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht
.

Homelia nga dom Kolë Dedaj:

Dom Kolë Dedaj

Naltimi i kryqit

Nr 21,4-9; Ps 78(77); Fil 2,6-11; Gjn 3,13-17

Njëherë një djalosh, që e mbante veten agnostik, më tha “Si ka mundësi që ju katolikët e mbani kryqin, një mjet vdekjeje, në qafë. Është sikur ta mbash automjetin që e ka shkel një njeri për vdekje në qafë”. Nuk e ka, pra, krejt keq, sepse kryqi është mjet torture, i futur në përdorim në lindje që në kohën e persianëve e në perëndim nga kartagjenasit e madje edhe prej Lekës madh. Në fund romakët e përsosën këtë mjet torture që i dënuari të vdiste sa më ngadalë nga mbytja, ndërsa i merrej fytyra duke qenë i varur në hyrjen e qytetit i zhveshur. Ne e mbajmë rreth qafe këtë mjet torture, e ndoshta edhe kuptimi i kësaj shenje na është topitur, saqë s’dimë as pse e mbajmë e aq më pak t’ia shpjegojmë dikujt.

Në jetën tonë janë do gjëra të pakapërcyeshme në të cilat si besimtari dhe jobesimtari herdokur përballen, si dhimbja e vdekja. Asnjëri s’mund ta mohoj dhimbjen. Të gjithë e dimë dhimbjen trupore, sepse jemi përballur me të së paku njëherë në jetë. Por dhimbja ka thellësi më të mëdha, si dhimbja psikologjike, p.sh. në rastin e vetmisë, të të qenit i braktisur apo i tradhtuar, etj. Fundi i thellësisë së dhimbjes është dhimbja ekzistenciale, kur njeriu edhe pse mund të jetë i aftë e mund të duket në rregull, por në prapavijë ka humb domethënien dhe jeta në sytë e tij është e pavlerë, mendojmë J. P. Sartre – jeta absurde dhe F. W. Nietzsche Zoti i të cilit kishte vdekur, në të dy rastet klithje dëshpërimi. Një njeri që vuan sillet me tjerët i ndikuar prej dhimbjes së tij, e njëlloj edhe një njeri në mjerimin e mëkatit, sillet në mënyrë të mëkatshme me të gjithë përreth. Sheh mëkatet e veta tek të gjithë.

Prandaj Jezusi u përvujtërua deri në fund dhe vdiq mbi kryq, jo dosido, por në mënyrën më të tmerrshme e çnjerëzore të mundshme. Në dhembje fizike të jashtëzakonshme, në dhembje psikologjike i tradhtuar dhe i braktisur, e diçka sikur një dhimbje ekzistenciale tregohet kur klith “Hyji im Hyji im përse hoqe dorë prej meje”.

E pse atëherë Kisha na paraqet një figurë të tillë si shembull? Sepse nuk është thjeshtë një njeri që po i përjeton, por Hyji vetë që po përjeton kufijtë e tejskajshëm të dhimbjes. Vetë Mëshira Hyjnore e mbështjell në vete dhimbjen tonë, mëkatin tonë duke na naltuar njeriun.

Ne shpesh e naltojmë kryqin kotë, vetëm me fjalë, vetëm kur dikush e shanë. Krishti naltohet në kryq për ne, e ne ankohemi për gjana banale. E naltojmë me gojë kryqin, por kur Krishti na ofron një vuajtje në jetën tonë, ku ne mund ta bashkëndajmë kryqin me Jezusin, atëherë nuk na pëlqen më. Të gjithë ankohen për problemet e të gjitha aspekteve, por kur vjen puna me ba ne ndryshimin, na duket kryqi i randë.

Kështu vendosa t’i përgjigjem djaloshit agnostik me një mesele: “Nipi i vogël, një mbrëmje para votres, e pyet gjyshin ‘Pse e mban atë shkop mbi oxhak?’ Kur kam qenë si ti i vogël – i thotë gjyshi – pata dalë me t’im atë të rrëshqasë në liqenin që kemi këtu afër. Ndërsa po u kënaqsha, paprit e pa kujtu, u thye akulli e rashë brenda në ujin e akullt. Im atë, shpejt e shpejt, e mori një shkop aty afër dhe më nxori, më shpëtoi. Biri im, nuk e mbaj atë copë druri pse është i bukur e i mirë, por pse përmes tij kujtoi atë që më shpëtoi me atë shkop”.

Shën Pali s’mundet mos të shpallë Ungjillin e Krishtit të kryqëzuar, një lajm tronditës, ku Hyji futet në mëkat për ta ndryshuar prej përbrenda. Secili prej nesh le ta mbajë kryqin e jetës së përditshme me Jezusin, e jo vetëm një shenjë të jashtme rreth qafe. Kështu e mbajmë gjithmonë parasysh se dashuria dhe mëshira e Hyjit na kanë shëlbuar. Se Zoti u tregua në kryq zotërues mbi vdekjen dhe të keqen e prandaj kryqi është shëlbimprurëse dhe e pakapërcyeshme.

13 shtator 2025, 08:26