?el?si i fjal?ve t? Kish?s: familja dhe dashuria bashk?shortore
R.SH. – Vatikan
Javën e kaluar filluam të flasim për familjen e krishterë, në kuadrin e emisioneve tona kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës. Theksuam se martesa është themeli i saj e dashuria, që lidh bashkëshortët, është përmasa themelore e përvojës njerëzore dhe që e gjen pikërisht në familje vendin e privilegjuar për t’u shfaqur: «Dashuria bën që njeriu të realizohet nëpërmjet dhurimit të sinqertë të vetvetes: të duash do të thotë të japësh e të marrësh aq sa nuk mund as të blihet e as të shitet, por vetëm të dhurohet lirisht dhe në mënyrë të ndërsjellë», shkruan Papa shenjt Gjon Pali II në Letrën Apostolike drejtuar familjeve “Gratissimam sane” (11). Falë dashurisë, realitet thelbësor për ta përcaktuar martesën dhe familjen, çdo person, burrë e grua, është i njohur, i pranuar dhe i respektuar në dinjitetin e vet.
Dashuria shprehet edhe nëpërmjet një vëmendjeje të kujdesshme ndaj të moshuarve që jetojnë në familje: prania e tyre mund të marrë një vlerë të madhe. Ata janë një shembull i lidhjes mes brezave, një burim për mirëqenien e familjes dhe të krejt shoqërisë. Të moshuarit janë të aftë të përçojnë vlera e tradita e të favorizojnë rritjen e më të rinjve, të cilët kështu mësojnë të kërkojnë jo vetëm të mirën e tyre, por edhe atë të të tjerëve. Nëse të moshuarit gjenden në situata vuajtjeje dhe vështirësie, kanë nevojë jo vetëm për kura shëndetësore e për asistencën e duhur, por, sidomos, për t’u trajtuar me dashuri.
Dhurimi i plotë dhe i tërësishëm i bashkëshortëve
Dashuria, na mëson Kisha, nuk mund të kufizohet në emocione dhe në ndjenja, e, aq më pak, vetëm në shprehjen e vet seksuale. E vërteta e dashurisë dhe e seksualitetit bashkëshortor ekziston aty ku realizohet një dhurim i plotë dhe i tërësishëm i personave me karakteristikat e njësisë dhe të besnikërisë. Përballë teorive që e konsiderojnë identitetin e gjinisë vetëm si prodhim kulturor e shoqëror, Kisha nuk do të lodhet së theksuari mësimin e vet: “I takon secilit, burrë apo grua, ta njohë e ta pranojë identitetin e vet seksual. Ndryshimi dhe përplotësueshmëria fizike, morale e shpirtërore janë të orientuara drejt të mirës së martesës dhe zhvillimit të jetës familjare”.
Natyra e dashurisë bashkëshortore kërkon qëndrueshmëri në marrëdhënien martesore dhe pazgjidhshmërinë e saj. Përgjegjësia e mbrojtjes së familjes si insitucioni themelor natyror i përket gjithë shoqërisë e jo vetëm individit. Nevoja për t’i dhënë një karakter institucional martesës, duke e bazuar në një akt publik, shoqërisht dhe juridikisht të njohur, buron prej kërkesave bazë me natyrë shoqërore. Parashikimi i divorcit në legjislacionet civile ka ushqyer një vizion relativist të lidhjes bashkëshortore. Gjithsesi, Kisha nuk i lë vetëm ata që, pas një divorci, janë martuar përsëri. Kisha lutet për ta, i nxit në vështirësitë e rendit shpirtëror që ata takojnë dhe i mbështet në fe e në shpresë. Pajtimi në sakramentin e pendesës, që do t’i hapte rrugën sakramentit eukaristik mund t’u jepet atyre që, të penduar, janë sinqerisht të gatshëm për një formë jete jo më në kundërshtim me pazgjidhshmërinë e martesës, theksohet në Nxitjen Apostolike “Familiaris Consortio” (20).
Bashkimet faktike, liri e rreme
Përsa u përket bashkimeve faktike, numri i të cilave është rritur, Kisha nënvizon se ato bazohen në një konceptim të rremë të lirisë së zgjedhjes së individëve dhe në baza krejtësisht individuale e private të martesës dhe të familjes. Por, martesa nuk është thjesht marrëveshje bashkëjetese, por marrëdhënie me një përmasë shoqërore unike në krahasim me të gjitha të tjerat, pasi familja, duke u marrë me kujdesin dhe edukimin e fëmijëve, paraqitet si mjet parësor për zhvillimin e tërësishëm të çdo njeriu dhe për përfshirjen e tij pozitive në jetën shoqërore. Një problem i veçantë i lidhur me bashkimet faktike është ai që i përket kërkesës për njohjen juridike të bashkimeve homoseksuale, gjithnjë e më shumë objekt i debatit publik. Para së gjithash, kësaj i kundërvihet pamundësia objektive për ta bërë bashkëjetesën të japë fryte nëpërmjet përçimit të jetës, sipas projektit të përvijuar prej Hyjit në vetë strukturën e qenies njerëzore. Përveç kësaj, pengesë bëhet mungesa e premisave për atë përplotësueshmëri ndërpersonale që Krijuesi ka dashur, si në planin fiziko-biologjik ashtu edhe në atë psikologjik, mes mashkullit dhe femrës. Personi homoseksual duhet të respektohet plotësisht në dinjitetin e tij dhe të nxitet që të ndjekë planin e Hyjit me një angazhim të veçantë në ushtrimin e dëlirësisë, vihet në dukje në Katekizmin e Kishës Katolike.
Detyra e bashkësisë së krishterë
Është detyrë e bashkësisë së krishterë dhe e të gjithë atyre që e kanë për zemër të mirën e shoqërisë të ripohojnë se “familja përbën, më shumë se thjesht një bërthamë juridike, shoqërore e ekonomike, një bashkësi dashurie dhe solidariteti që është në, një mënyrë të vetme, e përshtatshme për të mësuar e përçuar vlerat kulturore, etike, shoqërore, shpirtërore e fetare, thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e anëtarëve të vet dhe të shoqërisë”, siç kërkon Selia e Shenjtë në Kartën e saj për të drejtat e familjes.