Kishat evropiane b?jn? thirrje p?r “Paqe me Krijimin”
R.SH. / Vatikan
Konferenca e Kishave Evropiane (CEC) dhe Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE) bëjnë thirrje për “Paqe me Krijimin” ndërsa të krishterët në mbarë botën përgatiten të kremtojnë Kohën e Krijimit, që do të mbahet nga data 1 shtatori deri më 4 tetor të ardhshëm. Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga Kryeipeshkvi Nikitas i Thyateira-s dhe Britanisë së Madhe, President i CEC, dhe nga Kryeipeshkvi Gintaras Gru?as, President i CCEE.
Presidentët e dy organizmave kishtar reflektojnë mbi vizionin e profetit Isaia për një “kopsht paqeje” dhe nxisin bashkësitë të përqafojnë një jetë të matur, duke respektuar dhuratat e krijimit dhe duke refuzuar shfrytëzimin e njerëzve dhe burimeve natyrore. “Kërkimi i paqes me krijimin nuk është një ideal abstrakt, por një angazhim i përditshëm”, thonë presidentët e Kishave të Evropës, “një ftesë për të jetuar në një mënyrë që nderon Zotin, dhuruesin e jetës”. Dhe shtojnë: “Bota jonë sot vështirë se mund të konsiderohet një kopsht paqeje”. Megjithatë, si Isaia profet, ne besojmë se kthimi në një mënyrë jetese të rrënjosur në besim dhe devotshmëri ndaj Zotit mund të ofrojë një alternativë ndaj katastrofës klimatike.
Në prag të Cop30 në Belém
Deklarata e përbashkët e lidh këtë thirrje të të gjitha Kishave për ruajtjen e krijimit me Konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike COP30 në Belém, Brazil. Presidentët e Kishave të Evropës shprehin shpresën se udhëheqësit do t'i vendosin nevojat e të varfërve e të më të brishtëve në qendër të veprimit për klimën dhe do ta konsiderojnë krizën klimatike si një mundësi për të rikonfiguruar marrëdhëniet ndërkombëtare drejt të mirës së përbashkët.
Një kohë lutjeje dhe angazhimi
Koha e Krijimit, pohojnë Presidentët e Kishave të Evropës, është një kohë lutjeje, kthimi dhe advocacy, duke u lutur që “mënyra jonë e jetesës të pasqyrojë atë që besojmë dhe rrëfejmë: «Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij» (Psalmi 19, 2)”.
Deklarata thekson gjithashtu se tema “Paqe me Krijimin” është në përputhje me Charta Oecumenica të rishikuar, nënshkrimi i së cilës pritet deri në fund të vitit, duke forcuar unitetin e të krishterëve dhe duke u angazhuar për kujdesin ndaj krijimit në të gjithë Evropën. Ndërsa bashkësitë e krishtera në të gjithë Evropën i bashkohen kësaj thirrjeje, Konferenca e Kishave Evropiane (CEC) dhe Këshilli i Konferencave Ipeshkvore të Evropës (CCEE) ftojnë të gjithë besimtarët të kontribuojnë në mbrojtjen e shtëpisë sonë të përbashkët dhe të promovojnë një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme.
Kërkimi i paqes në një kohë luftërash
"Në ditët e sotme, bota jonë vështirë se mund të konsiderohet një kopsht paqeje." - lexohet në tekstin e Deklaratës së përbashkët - "Përkundrazi, shkatërrimi njerëzor dhe vdekja e shkaktuar nga luftërat e trazirat sociale në vende dhe popuj të ndryshëm ndikojnë në përvojat tona të përditshme. Megjithatë, si profeti Isaia, ne besojmë fuqishëm se jemi thirrur të kërkojmë paqe me krijimin dhe se secili prej nesh është thirrur të nderojë tiparet dalluese të 'dhuruesit të jetës'".
Lutje për udhëheqësit
"Ndërsa angazhohen për mbrojtjen e klimës sonë, ne do të lutemi për të gjithë udhëheqësit dhe pjesëmarrësit në Konferencën e 30-të të Partnerëve për Ndryshimet Klimatike (Cop30), organizuar nga Kombet e Bashkuara në Belém (Brazil), nga 10 deri më 21 nëntor. Ne besojmë se kriza aktuale klimatike paraqet një mundësi për të rikonfiguruar marrëdhëniet ndërkombëtare drejt të mirës së përbashkët dhe për të krijuar një mënyrë jetese më të drejtë dhe të qëndrueshme për mbarë njerëzimin. Shpresojmë gjithashtu që edhe ndikimi i politikave mbi ndryshimet klimatike mbi të varfërit dhe personat më të brishtë të jetë i pranishëm në mendjet dhe zemrat e udhëheqësve dhe ekspertëve të mbledhur në konferencë, duke marrë parasysh sfidat sociale dhe mjedisore të ndërlidhura të kohës sonë".