Kardinali Aveline n? Taybeh, sjell nj? mesazh mb?shtetjeje nga Papa
R.SH. / Vatikan
Nga 16 deri më 20 gusht, Kardinali Jean-Marc Aveline, Kryeipeshkëv i Marsejës dhe Kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Francezë, është në shtegtim nëpër Tokën Shenjte. Shtegton për t'u takuar me bashkësitë vendase të prekura nga konflikti në vijim, veçanërisht në manastirin benediktin të Abu Ghosh, si dhe në fshatin Taybeh, i vetmi fshat kryesisht i krishterë në Palestinë, i cili u vu disa javë më parë në shënjestër nga "një seri e rrezikshme sulmesh sistematike", sipas njoftimit të priftërinjve që jetojnë atje. Kardinali dhe delegacioni shoqërues sapo arritën kremtuan Meshën në famullinë latine dhe drekuan me bashkësinë.
Kardinali Aveline në Tokën Shenjte
Famullitari i Taybeh e priti Kardinalin me këto fjalë: "Shkëlqesia Juaj, Kardinali Aveline, ipeshkvij, meshtarë: me gëzim të madh dhe mirënjohje të thellë ju mirëpresim sot në Taybbeh. Prania juaj mes nesh është bekim, sepse ju ndiqni gjurmët e Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili shkeli mbi këto toka të shenjta, edhe këtu, në Taybeh, siç e përshkruan mozaiku në Kishën tonë: hyrja e Jezusit në Taybeh, sipas Shën Gjonit, kapitulli 11, vargu 54, kur Jezusi u largua nga Jerusalemi me dishepujt e tij dhe erdhi në Taybeh, hyri në Taybeh, i cili në Bibël quhet Aphram ose Efraim. Prandaj, jeni të mirëpritur në Taybeh. Vizita juaj le të jetë për komunitetin tonë shenjë shprese, besimi të ripërtërirë dhe bashkimi vëllazëror. Mirë se vini në fshatin tonë, në famullinë tonë. Gjatë Meshës sonë të sotme, ne lutemi për drejtësi, për paqen në Tokën e Shenjtë, dhe veçanërisht për paqen dhe drejtësinë e Taybeh-ut tonë, fshatit tonë. Faleminderit”.
Më pas Kardinali Aveline iu gjegj me fjalët prekëse: "Të dashur miq të Taybeh-ut, së pari dua t'ju falënderoj për pritjen tuaj të mrekullueshme sot. Nga Franca, prej nga u nisëm, dëshiruam me zjarr t'ju vizitojmë në fillim të këtij shtegtimi shprese. E tani ky udhëtim u bë i mundur, dhe kemi gëzimin ta festojmë Shukran lakum me komunitetin tuaj këtë të diel!
Faleminderit që mirëpritët delegacionin nga Presidenca e Konferencës Ipeshkvnore të Francës, të përbërë nga Ipeshkvi Benoit Bertrand të Pontoise; Ipeshkvi Vincent Jordy të Tours; Atë Christophe Lesourt, Sekretar i Përgjithshëm; znj. Candice Castelein e ekipit të komunikimit dhe Atë Romain Louge i Dioqezës së Marsejës, të cilët i falënderoj për shërbimet e përkthimit. Faleminderit edhe për bashkëpunimin ekumenik që e gëzoni prej kohësh ndërmjet të gjitha komuniteteve të krishtera të këtij qyteti të bukur të Taybeh-ut. E di se vuani nga shqetësimi për qytetin tuaj dhe se bashkëpunimi ndërmjet të krishterëve të riteve të ndryshme është i begatë me përmbajtje, kuptim, duke pasur parasysh kushtet në të cilat jetoni. Faleminderit edhe që shqetësoheni për vëllezërit dhe motrat tuaja myslimanë, fqinjët tuaj. Edhe ne donim që shtegtimi ynë të tregonte se Kisha e Francës dëshiron t’i mbështesë komunitetet e krishtera të Tokës së Shenjtë e të shprehë edhe solidaritetin tonë me të gjithë miqtë e paqes, pavarësisht nga besimet ose fetë e tyre.
E dimë se Taybeh, Efraimi i lashtë, ku erdhën për t'u vendosur bijtë e Jozefit, është i rrethuar nga vështirësi serioze, që ju morët guximin t'i denonconi. Ne i kemi dëgjuar thirrjet tuaja, të cilat kanë sfiduar të krishterët e Francës. Fakti që delegacioni ynë nga Presidenca e Ipeshkvijve të Francës ka zgjedhur, për udhëtimin e tij të parë që nga emërimi, të vijë t'ju vizitojë dhe të shohë vetë vështirësitë që përballoni dhe padrejtësitë me të cilat jeni viktima, është një mënyrë për t'iu përgjigjur thirrjes suaj. Me t'u kthyer nga ky udhëtim, ne do të rrëfejmë atë që pamë dhe do të kërkojmë mënyrën më të mirë për t'ju mbështetur".
As-salam ma'a jami'kum
Mesha e djeshme u hap me fjalët e Krishtit të Ngjallur: As-salam ma'a jami'kum (Paqja qoftë me të gjithë ju). Papa Leoni na i përsëriti këto fjalë kur u duk në ballkonin e Shën Pjetrit mbrëmjen e zgjedhjes së tij. "Mora edhe një mesazh prej Atit të Shenjtë, në të cilin më shkruante “se do të na shoqëronte me shpirt e me lutje gjatë ditëve të shtegtimit tonë në Tokën Shenjte, duke na ftuar ta jetojmë si dëshmi e fuqishme afërsie dhe mëshire. Bashkë me ju, e falënderojmë Zotin për dhuratën e këtij takimi dhe lutemi që shtegtimi ynë ta mbështesë shpresën tuaj për drejtësi dhe paqe”, tha kardinali Aveline në Taybeh . As-salam ma'a jami'kum! (Paqja qoftë me të gjithë ju!)