Kard. Reina: Papa do t? hap? vitin baritor t? Dioqez?s s? Rom?s, m? 19 shtator
R.SH. - Vatikan
Papa Leoni XIV do të hapë, pasditen e së premtes, 19 shtator, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, vitin baritor të Dioqezës së Romës: lajmin e dha kardinali Baldassare Reina, në një letër të publikuar më 4 gusht. Në emër të Këshillit Ipeshkvnor, shprehu edhe falënderimet e përzemërta për të gjithë ata që morën pjesë në përgatitjet e Jubileut të Rinisë, veçanërisht në ngjarjet e ditëve të fundit, të cilat kulmuan me natën pa gjumë, të shtunën, dhe me kremtimin eukaristik, të dielën, kryesuar nga Papa.
"Ipeshkvi ynë - shkruan Reina - pranoi me gëzim ta shoqëronte personalisht hapjen e vitit baritor e do të vijë në Bazilikën tonë më 19 shtator, pasdite, për të përvijuar rrugën e Kishës në një asamble të madhe dioqezane. Dëshiroj ta ndaj këtë gëzim, në mënyrë që ta ushqejmë me lutje".
Bujaria në mikpritje
Kardinali-vikar falënderoi veçanërisht Zyrën e Baritorisë Rinore, duke nisur nga drejtori i saj, Atë Alfredo Tedesco, "për kushtimin dhe mbështetjen që dhanë gjatë vitit të kaluar". Në këtë drejtim, u cilësua providenciale "ideja e krijimit të një rrjeti përfaqësuesish të shërbesës rinore për secilën prefekturë": tridhjetë e gjashtë priftërinj përgjegjës - thekson letra - kryen një shërbim të vlefshëm, shpesh ndoshta të fshehur nga sytë e shumicës së njerëzve, por shumë të dobishëm në inkurajimin e bashkësive individuale, caktimin e vendeve të pritjes, mbështetjen e udhëheqësve të të rinjve dhe sinjalizimin në kohën e duhur të vështirësive, me qëllim që të gjinden zgjidhjet e përshtatshme, e në kohën e duhur".
Kjo zgjedhje tregon se si, “kur shkojmë përtej kufijve tanë dhe krijojmë rrjet me ata që janë përreth nesh dhe me realitetin e dioqezës, gjërat funksionojnë vërtet dhe kanë aromën e vëllazërisë së mirëfilltë kishtare” - vëren Kardinali. – Një “faleminderit” nuk mund të mos i përfshijë edhe shumë vullnetarë që punojnë si në nivel dioqezan, ashtu edhe në bashkësi famullitare individuale: “Ishte e bukur të shihje bujarinë e kaq shumë vëllezërve dhe motrave që, sipas mundësive të tyre, bënë çmos për ta bërë pritjen më të bukur dhe më mikpritëse”.