Ipeshkvijt? e Kolumbis? d?nojn? atentatin ndaj Miguel Uribe Turbay
R.SH. - Vatikan
Një ngushëllim "i thellë" me kërkesën për të "vazhduar përpjekjet për të zbardhur të vërtetën" në mënyrë që vrasja "të mos mbetet e pandëshkuar" dhe nxitja për të ruajtur unitetin e vendit, duke refuzuar "çdo formë dhune". Ky mesazhi i ipeshkvijve të Kishës katolike të Kolumbisë, menjëherë pas vdekjes, në Bogota, të senatorit konservator dhe kandidatit për zgjedhjet presidenciale të vitit 2026, Miguel Uribe Turbay, dy muaj pas sulmit të rëndë të 7 qershorit të kaluar që pësoi gjatë një tubimi elektoral në kryeqytetin e Kolumbisë.
Konferenca Ipeshkvore e Kishës katolike lokale (CEC) shprehu afërsinë me familjen e politikanit dhe në të njëjtën kohë iu drejtua të gjithë kolumbianëve duke u rekomanduar atyre "të mos lejojnë t'u vidhet shpresa" dhe të mbrojnë "paqësisht" vlerat kombëtare: prej këtu një thirrje e Ipeshkvijve kolombian për "liri, për zhvillimin e plotë njerëzor", për "respektimin e dallimeve pa dhunë" dhe për "mbrojtjen e jetës në të gjitha format e saj", si dhe për një "rend të drejtë shoqëror që garanton pjesëmarrjen sociale, harmoninë dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve".
Dhuna nuk është as rrugë jete, as progresi
Në veçanti, kryeipeshkvi i Bogotas, kardinali imzot Luis José Rueda Aparicio, deshi t'u kujtojë bashkatdhetarëve të tij se ky nuk është "momenti për t'u ndarë", por "për t'u bashkuar". Ipeshkvijtë theksuan gjithashtu se dhuna nuk është "as rrugë jete, as progresi", e kujtuan sfidën e rëndësishme të ndërtimit të "barazisë, drejtësisë, pajtimit dhe paqes" në vend për të mirën e përbashkët.
Përtej çdo ideje apo bindjeje politike
Në një mesazh të gjatë të publikuar në kanalet e tij sociale, Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shprehu ngushëllimet e tij familjarëve të politikanit Uribe, me fjalë të përqendruara në refuzimin e dhunës, pavarësisht nga pozicionet politike. "Sa herë që vritet një kolumbian, është një humbje për Kolumbinë dhe jetën", shkroi presidenti Petro, duke theksuar se jeta është "mbi çdo ideologji". Për sulmin ndaj politikanit Uribe, aktualisht janë arrestuar gjashtë persona të lidhur indirekt me një grup paramilitar dhe me trafikun e drogës, por motivi i sulmit ende nuk është i qartë.