?el?si i fjal?ve t? Kish?s: solidariteti
R.SH. - Vatikan
Ashtu siç e kupton Kisha, solidariteti u jep rëndësi të veçantë marrëdhënieve tipike njerëzore ndërmjet njerëzve, barazisë së të gjithëve në dinjitet e të drejta, rrugëtimit të përbashkët të njerëzve e të popujve drejt unitetit. Kurrë më shumë se sot nuk ka pasur një vetëdije kaq të përhapur për ndërvartësinë mes njerëzve e popujve, që duket në çfarëdo niveli. Shumimi shumë i shpejtë i rrugëve dhe i mjeteve të komunikimit «në kohë reale», siç janë ato telematike, përparimet e jashtëzakonshme të informatikës, vëllimi i rritur i shkëmbimeve tregtare dhe i informacioneve, dëshmojnë se, për herë të parë qysh prej fillimit të historisë së njerëzimit, tashmë është e mundur, të paktën teknikisht, të vendosen marrëdhënie edhe mes personash shumë të largët apo të panjohur.
Nga ana tjetër, në të gjithë botën ka pabarazi shumë të mëdha ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe vendeve në rrugën e zhvillimit, të ushqyera edhe prej formave të ndryshme të shfrytëzimit, të shtypjes dhe të korrupsionit, që ndikojnë negativisht në jetën e brendshme dhe ndërkombëtare të shumë shteteve. Siç thekson shën Gjon Pali II në enciklikën “Sollicitudo rei socialis”, procesi i shtimit të ndërvartësisë mes personave dhe popujve duhet të shoqërohet me një angazhim në planin etiko-shoqëror po aq të madh, për të shmangur pasojat fatale të një situate padrejtësie me përmasa planetare, e destinuar të pasqyrohet tejet negativisht edhe në vetë vendet aktualisht më të favorizuara.
Solidariteti si parim shoqëror dhe si virtyt moral
Marrëdhëniet e reja të ndërvartësisë mes njerëzve dhe popujve, që faktikisht janë forma solidariteti, duhet të shndërrohen në marrëdhënie, që synojnë një solidaritet të vërtetë etiko-shoqëror, kërkesë morale natyrore në të gjitha marrëdhëniet njerëzore. Solidariteti, mëson Kisha Katolike, paraqitet në dy aspekte, që plotësojnë njëri-tjetrin: si parim shoqëror dhe si virtyt moral.
Në vlerën e vet si parim shoqëror, solidariteti i detyron institucionet t’i kapërcejnë «strukturat e mëkatit», që sundojnë në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe popujve e, t’i shndërrojnë ato në struktura solidariteti, nëpërmjet krijimit apo përshtatjes së ligjeve, rregullave të tregut, sistemeve.
Solidariteti është edhe virtyt i vërtetë moral, jo ndonjë «ndjenjë dhembshurie e vakët apo keqardhjeje sipërfaqësore për të këqijat e shumë njerëzve, të afërt apo të largët. Përkundrazi, është vendosmëria e madhe dhe këmbëngulëse për t’u impenjuar për të mirën e përbashkët: për të mirën e të gjithëve dhe të secilit, sepse të gjithë jemi vërtet përgjegjës për të gjithë», vijon Papa polak. Solidariteti ngrihet në rangun e virtytit shoqëror themelor meqë ka të bëjë me përmasën e drejtësisë, virtyt i orientuar në mënyrë të veçantë nga e mira e përbashkët dhe nga «angazhimi për të mirën e të afërmit me gatishmëri (shih Mt 10, 40-42; 20, 25; Mk 1’, 42-45; Lk 22, 25-27)».
Solidariteti dhe zhvillimi i përbashkët i njerëzve
Mesazhi i doktrinës shoqërore të Kishës mbi solidaritetin vë në dukje faktin se ekzistojnë lidhje të ngushta ndërmjet solidaritetit dhe së mirës së përbashkët, solidaritetit dhe qëllimit universal të të mirave, solidaritetit dhe barazisë ndërmjet njerëzve e popujve, solidaritetit dhe paqes në botë. Termi «solidaritet», gjerësisht i përdorur prej Magjisterit papnor, shpreh përmbledhtazi nevojën për të njohur në tërësinë e lidhjeve, që i bashkojnë njerëzit dhe grupet shoqërore mes tyre, hapësirën që i është dhënë lirisë njerëzore për t’u kujdesur për zhvillimin e përbashkët, të bashkëndarë prej të gjithëve. Angazhimi në këtë drejtim kthehet në ndihmën pozitive, që nuk duhet t’i mungojë çështjes së përbashkët dhe në kërkimin e pikave të mirëkuptimit të mundshëm edhe aty ku mbizotëron logjika e ndarjes dhe e fragmentimit, në gatishmërinë për t’u konsumuar për të mirën e tjetrit, përtej çdo individualizmi dhe sektarizmi.
Parimi i solidaritetit kërkon që njerëzit e kohës sonë të jenë më të vetëdijshëm për borxhin që i kanë shoqërisë: për kushtet, që u krijojnë një jetë të denjë njerëzore, si edhe për atë pasuri, të padukshme e të domosdoshme, që është kultura, dija shkencore e teknologjike, të mirat materiale dhe jomateriale, gjithçka që jeta njerëzore ka prodhuar. Një borxh i tillë duhet shlyer duke vepruar në shoqëri, që udha e njerëzimit të përvijohet edhe për brezat e ardhshëm, që ndajnë me aktualët të njëjtën dhuratë të Hyjit.
Solidariteti në jetën dhe në mesazhin e Jezu Krishtit
Kulmi i pakapërcyeshëm i kësaj perspektive është jeta e Jezusit të Nazaretit, Njeriut të ri, solidar me njerëzimin deri në «vdekjen në kryq» (Fil 2, 8): në Të është gjithmonë e mundshme të njohim Shenjën e gjallë të asaj dashurie të pamasë e transhendente të Hyjit-me-ne, që merr mbi vete brishtësitë e popullit të Vet, ecën me të, e shpëton dhe e formon në unitet, siç nënvizon kushtetuta “Gaudium et Spes” e Koncilit II të Vatikanit. Në Të dhe falë Tij, edhe jeta shoqërore, pavarësisht nga kundërshtitë dhe pasiguritë, bëhet vend i jetës dhe i shpresës, pasi është shenjë e një Hiri, që vazhdimisht u jepet të gjithëve, duke i ftuar në format më të larta të bashkëndarjes.
Jezusi i Nazaretit bën që të shkëlqejë para syve të të gjithë njerëzve lidhja e solidaritetit me dashurinë: «Në dritën e fesë, solidariteti priret ta tejkalojë vetveten, të marrë përmasat specifikisht të krishtera të dhurimit të plotë falas, të faljes dhe të pajtimit. Atëherë i afërmi nuk është vetëm qenie njerëzore me të drejtat dhe me barazinë e tij themelore para të gjithëve, por bëhet shëmbëlltyra e gjallë e Hyjit Atë, e shpërblyer prej gjakut të Jezu Krishtit, nën dikimin e vazhdueshëm të Shpirtit Shenjt. Prandaj, atë duhet ta duam, edhe nëse është armik, me të njëjtën dashuri me të cilën e do Zoti dhe për të duhet të jemi të gatshëm për flijim, edhe atë më të lartin: “Të japim jetën për vëllezërit tanë” (shih 1 Gjn 3, 16)», siç vërente gjithnjë Papa shenjt Gjon Pali II në “Sollicitudo rei socialis”.