?el?si i fjal?ve t? Kish?s: pjes?marrja
R.SH. - Vatikan
Pjesëmarrja është detyrë që duhet ushtruar me vetëdije nga të gjithë, në mënyrë të përgjegjshme dhe për të mirën e përbashkët, siç shkruhet në Katekizmin e Kishës Katolike. Ajo nuk mund të kufizohet apo ngushtohet në ndonjë anë të veçantë të jetës shoqërore, duke pasur parasysh rëndësinë e saj për zhvillimin e njeriut, sidomos në fusha si bota e punës dhe veprimtaritë ekonomike, informacioni e kultura e, edhe në jetën shoqërore e politike deri në nivelet më të larta, siç janë ato prej të cilave varet bashkëpunimi i të gjithë popujve për krijimin e një bashkësie ndërkombëtare solidare. Në këtë perspektivë, bëhet e pashmangshme nevoja për të favorizuar pjesëmarrjen, sidomos atë të më të pafatëve, duke i ndërruar drejtuesit politikë, me qëllim që të mos lejohet krijimi i privilegjeve të fshehta; veç kësaj, është e nevojshme një bazë e fuqishme morale, që mbarështimi i jetës publike të jetë fryt i bashkëpërgjegjësisë së secilit për të mirën e përbashkët.
Pjesëmarrja dhe demokracia
Pjesëmarrja në jetën e bashkësisë, mëson Kisha Katolike, nuk është vetëm njëra prej aspiratave më të mëdha të çdo shtetasi, i thirrur për të ushtruar me liri e përgjegjësi rolin e tij qytetar, me dhe për të tjerët, por edhe njëra prej shtyllave të rendeve demokratike, siç pohon Papa shenjt Gjoni XXIII në enciklikën “Pacem in Terris”. Gjithashtu, ajo është edhe njëra prej garancive më të mëdha të qëndrueshmërisë së demokracisë. Në të vërtetë, qeverisja demokratike përcaktohet duke u nisur prej ndarjes së pushteteve dhe funksioneve nga ana e popullit, që ushtrohen në emër të tij, për llogari të tij dhe në dobi të tij. Nganjëherë, politikanët në pushtet harrojnë se populli, që i ka zgjedhur me votë demokratike, nuk ua ka deleguar atyre pushtetin. Atë e ka gjithnjë populli e ata janë përfaqësues të tij e atij duhet t’i japin llogari. Është e qartë, pra, se çdo demokraci duhet të jetë pjesëmarrëse, siç nuk harron të përsërisë Shën Gjon Pali II në enciklikën “Centesimus Annus”. Kjo kërkon që subjektet e ndryshme të bashkësisë civile, në çdo nivel të saj, të informohen, të dëgjohen dhe të përfshihen në ushtrimin e funksioneve demokratike.
Pjesëmarrja solidare
Pjesëmarrja mund të arrihet në të gjitha marrëdhëniet e mundshme ndërmjet shtetasve dhe institucioneve: për këtë qëllim, një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar konteksteve historike e shoqërore në të cilat ajo duhet të zbatohet. Kapërcimi i pengesave kulturore, juridike e shoqërore, që shpesh ngrihen si mure të vërteta kundër pjesëmarrjes solidare të shtetasve në fatet e bashkësisë së tyre, kërkon një veprimtari informuese dhe edukative. Në këtë drejtim, meritojnë vëmendje të gjitha qëndrimet, që e bëjnë shtetasin të marrë pjesë në ushtrimin e demokracisë në formë të pamjaftueshme, ose të pasaktë, përfshirë antipatinë e përhapur për gjithçka që i përket sferës së jetës shoqërore e politike: të mendojmë, për shembull, për përpjekjet e shtetasve që «të bëjnë pazar» me institucionet për kushtet më të leverdisshme për vetveten, gati sikur ato të ishin në shërbim të nevojave egoiste. Nga ana tjetër, njëlloj i dëmshëm është edhe qëndrimi, që e konsideron pjesëmarrjen demokratike të kufizuar vetëm në votimin zgjedhor, i cili është e drejtë e çdo shtetasi, që, nganjëherë, pa e kuptuar mirë se ç’gabim bën, heq dorë nga e drejta për të zgjedhur përfaqësuesit e vet politikë, duke mos u paraqitur aspak në votime, pra, duke e mohuar pjesëmarrjen e vet në ushtrimin e demokracisë.
Vendet me regjim diktatorial a totalitar
Kisha shpreh shqetësimin e saj të ligjshëm edhe për situatën në vendet me regjim diktatorial a totalitar, në të cilët e drejta themelore për të marrë pjesë në jetën publike mohohet në rrënjë, sepse konsiderohet si kërcënim për vetë shtetin. Këtë denoncim e bën vetë Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën “Centesimus Annus”, pasi e pati përjetuar personalisht diçka të tillë, gjatë komunizmit në Poloni e në gjithë Evropën Lindore. Jo më pak, Kisha Katolike tërheq së fundi vëmendjen ndaj vendeve në të cilat kjo e drejtë deklarohet vetëm formalisht, por konkretisht nuk mund të ushtrohet; ndaj vendeve të tjera në të cilat zmadhimi i tepruar i aparatit burokratik ia mohon faktikisht shtetasit mundësinë që të paraqitet si protagonist i vërtetë i jetës shoqërore e politike.
Pjesëmarrja në jetën shoqërore është e rëndësishme jo vetëm për ushtrimin e të drejtave të çdo njeriu, por edhe për një parim tjetër të Doktrinës Shoqërore të Kishës, që është ai i solidaritetit, për të cilin do të flasim të enjten e ardhshme.