Argjentin?, Kardinali Karli? rikthehet n? sht?pin? e Atit, n? mosh?n 99 vje?
R.SH. / Vatikan
Pas një shërbimi të gjatë për Kishën e duke ndjekur Krishtin, dje, e premte, 8 gusht, Kardinali Estanislao Esteban Karliç, i lindur në Oliva, Argjentinë, 99 vjet më parë, Kryeipeshkëv Nderi i Paranës, u rikthye në shtëpinë e Atit qiellor. Imzot Eduardo Tanger, Vikar i Përgjithshëm i Kryedioqezës së Paranës, e njoftoi këtë humbje në një deklaratë.
Vdekje e paqtë
"Isha me të gjithë ditën" - pohoi Imzot Puíggari në gazetën lokale të Paraná-s, Elonce, "pasi pati agoni të gjatë, që nisi në orën 8:30 të mëngjesit dhe zgjati deri në orën 5:00 të pasdites: kur i mbylli përgjithmonë sytë me qetësi shpirtërore, i sigurt se kishte bërë çka i kërkonte Perëndia. Ishte një njeri i madh për Kishën dhe për vendin. Në çastet vendimtare të Argjentinës, punoi për të zgjidhur shumë nga problemet, që kishën të bënin me të sotmen e edhe me të ardhmen!
Operacioni në maj
Më 10 maj të kaluar, pas arrestit kardiak, kardinali Estanislao Esteban Karliç, i cili ishte i lidhur me Urdhrin e Shën Augustinit, iu nënshtrua një operacioni delikat kirurgjikal. Më 20 maj, ditën e daljes së tij nga spitali, Papa i sapozgjedhur Leoni XIV i telefonoi për ta falënderuar, në spanjisht, për shërbimin e tij të gjatë ndaj Kishës - duke e siguruar për mbështetje të vazhdueshme.
Mesha mortore të shtunën, më 9 gusht
Trupi i Kardinalit Karliç u vendos në Katedralen e Zojës Rruzare në Paraná. Liturgjia do të drejtohet nga Imzot Eduardo Tanger, Atë Ignacio Patat dhe Imzot Puíggari. Marrin pjesë shumë besimtarë. Vigjilja mortore, siç njofton gazeta në gjuhën spanjolle Vida Nueva, u mbajt të premten deri në mesnatë dhe vazhdoi edhe sot, e shtunë, 9, nga ora 8:00 e mëngjesit sipas orës lokale. Mesha e dritës do të kremtohet në orën 4:30 pasdite sipas orës lokale, e më pas do të bëhet varrimi.