Takimi i Riminit: tulla t? reja p?r t? nd?rtuar t? ardhmen
R.SH. / Vatikan
Ligështimi i demokracive, polarizimi shoqëror gjithnjë në rritje dhe përqendrimi i pushtetit ekonomik në pak duar. Këto janë disa nga problemet serioze të kohës sonë, që do të diskutohen në Mitingun e ardhshëm për miqësi ndërmjet popujve, në Rimini të Italisë, i cili do të zhvillohet nga 22 deri më 27 gusht. Takimi i këtij viti - i paraqitur në Romë pasditen e 9 korrikut në Ambasadën Italiane pranë Selisë Shenjte - ka një titull që nuk i fsheh vështirësitë e së tashmes, por duke ia hapur rishtas derën e shpresës: "Në vende të shkreta, do të ndërtojmë me tulla të reja", frazë e shkëputur prej Koreve të “La Rocca”-s të T. S. Eliot, vepra më e “përbuzur” por edhe më profetike e njërit prej poetëve të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pas hapjes së takimit nga ambasadori Francesco Di Nitto, në Palazzo Borromeo, në Romë, folën edhe Bernhard Scholz, Kryetar i Fondacionit për Miqësi ndërmjet Popujve; Alessandra Locatelli, dekane e Fakultetit të Teologjisë pranë Universitetit të Sh’na Kryqit, Don Giulio Maspero dhe Davide Rondoni.
Të forcohet dialogu e të ndryshohet shikimi
Jetojmë në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar" - pohoi Bernard Scholz, "me shumë mosbesim, që shpesh buron nga fakti se nuk i kuptojmë më ndryshimet që po përjetojmë dhe e perceptojmë gjithçka si kërcënim. Mitingu, me ftesën për t’i thelluar problemet dhe për t’i dëgjuar dëshmitarët, është vend për ndërtimin e shoqërisë civile. E edhe për endjen e një dialogu gjithnjë e më pak të parashikueshëm ndërmjet kombeve.
Një dialog që gjithmonë fillon nga poshtë, nga rrethanat konkrete të jetës së secilit. Është e rëndësishme, shtoi Scholz, të përqendrohemi, për shembull, në kuptimin e punës, në arsyen pse duhet të angazhohemi: duke i kushtuar kaq shumë kohë dhe energji diçkaje kaq të rëndësishme e kaq të lodhshme. Në vende të shkreta, duke parafrazuar titullin e Takimit 2025, ne mund të ndërtojmë vetëm nëse nuk harrojmë kuptimin dhe vlerën e çdo njeriu.
"Një nga sfidat më të mëdha që na paraqet kjo kohë, është të ndryshojmë perspektivën tonë: duhet të fillojmë të shohim tek secili person potencialin, jo kufizimet " - kujtoi ministrja italiane për Aftësitë e Kufizuara, Alessandra Locatelli, duke bërë thirrje për ndryshimin e paradigmës. "Nëse i vlerësojmë aftësitë dhe talentet e të gjithëve, nëse ofrojmë dhe sigurojmë mundësi, bashkësitë tona do të bëhen shumë më të forta".
Historia e murgut “sakat” Ermanno
Tema e vlerësimit të talenteve u trajtua gjerësisht në ekspozitën kushtuar Ermanno "Sakatit", murg benediktin i shekullit të 11-të nga manastiri i Reichenau. Me aftësi të kufizuar e të rëndë, jetoi një jetë të plotë: jetë të brishtë – por edhe të fuqishme, që krijon një pyetje dhe një premtim për të gjithë. Don Giussani, themeluesi i Lëvizjes kishtare "Comunione e liberazione" (“Bashkim e Çlirim”), nëpërmjet Cyril Martindale - siç thuhet në hyrjen e "Një thesar në enë balte" - e bëri atë të njohur për shumë njerëz. Nuk e përshkruan si hero që sfidon dhe mposht kufizimet, por si njeri të gjallë: njeri të gjallë, mbasi është i sigurt se do të jetë i dashur nga Zoti. "Kjo krijoi një dëshirë të fortë për të zbuluar se kush ishte Ermanno dhe për t'i bërë atij pyetjet më urgjente, pyetje që lindin nga përvoja: si mund të përballet dikush me misterin e aftësisë së kufizuar dhe dhimbjes pa dëshpërim? A është e mundur t’i përjetosh kufizimet si ftesë për përsosuri? Ku mund ta gjejmë dinjitetin, kur gjithçka duket se e mohon?".
Të shikojmë lart
Ekspozita është një udhëtim për të zbuluar se si lindi gjithë ky pozitivitet, të cilin murgu Ermanno donte ta ndante me ata që ishin afër tij. Një jetë e jetuar tërësisht “me sytë e ngulur lart", si duke studiuar yjet, duke hetuar provaninë në histori, duke kompozuar himne për të lavdëruar Zotin, ashtu edhe duke kërkuar ndihmë në vuajtje. Ishte kjo plotësi jete që nxiti përkushtimin popullor, i cili u përhap shpejt në të gjithë rajonin. Historia e tij evokon përvoja të gjalla sot: fytyra dhe vende që ndajnë vështirësitë e Ermannos dhe dëshmojnë se çdo jetë, madje edhe më e brishta, e jetuar në këtë mënyrë, është një mrekulli në vazhdim. "Lulëzimi" i murgut Ermanno nuk do të kishte ndodhur pa besimin e tij në Zotin Atë dhe pa një bashkësi që ndante idealet dhe bindjet e tij më të thella.
"Pa historinë e Krishterimit, është e vështirë të kuptohet vlera absolute e individit", komentoi Aë Giulio Maspero, duke folur për ekspozitën që feston 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, organizuar nga Shoqata Patres.
Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, do të flasë në takimin mbi Koncilin e parë Ekumenik në histori, ai i Nikesë (325 pas Krishtit), së bashku me Kardinalin Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Unitetit ndërmjet të Krishterëve. Kujtimi i Koncilit Ekumenik të Nikesë nuk është tekë shkencore apo mundësi për debat specialistësh, por ndihmë për t’i dhënë përgjigje pyetjes "kush është Jezusi për ne?".
Ekspozita kushtuar Shën Françeskut e bankierit Amadeo Giannini
E kush janë shenjtorët për ne, si në rastin e Françeskut të Asizit, i dashur, i njohur në të gjithë botën, por ndonjëherë edhe i keqkuptuar? Në titullin e ekspozitës "Unë, Vëllai Françesku - 800 vjet të një aventure të madhe", është e rëndësishme të përqendrohemi në kuptimin e fjalës &辩耻辞迟;蹿谤补迟别”, që do të thotë "vëlla" - shpjegoi Davide Rondoni, duke kujtuar se varfëria nuk është sinonim i mjerimit, por thirrje për të qenë të vetëdijshëm se nuk "zotërojmë" asgjë, madje as të dashurit tanë. Gjithçka është dhënë, gjithçka është krijuar, dhuratë nga një Krijues me shkronjë të madhe. Edhe të mirat që na janë besuar, nuk janë kurrë tërësisht tonat, por ne jemi të thirrur t'i administrojmë ato për të mirën e bashkëqytetarëve tanë, siç shpjegohet nga ekspozita.
"Nuk mund të vdesësh për një dollar", kushtuar jetës së Amadeo Peter Giannini (1870-1949), amerikan i lindur në një familje emigrantësh italianë, i cili transformoi sektorin bankar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Themelues i Bankës së Italisë, e cila më vonë u bë Banka e Amerikës, ai ndërmori jo vetëm angazhimin financiar, por edhe një angazhim shoqëror që filloi me një vëzhgim të realitetit dhe nevojave të punëtorëve. Skenar i ndryshuar rrënjësisht në ditët tona nga globalizimi dixhital dhe inteligjenca artificiale.
Zëra në Mitingun e Riminit
Prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, dr. Paolo Ruffini, do të flasë mbi temën e komunikimit në kontekstin e teknologjive të reja. Në Takim do të marrin pjesë Kardinali Matteo Maria Zuppi, Kryetar i Konferencës së Ipeshkvijve Italianë (CEI) dhe Kryeipeshkëv i Bolonjës; Kardinali Jean-Paul Vesco, Kryeipeshkëv i Algjerit; Pavlo Honcharuk, Ipeshkëv Katolik i Kharkiv-Zaporizhia dhe Hanna Jallouf, Ipeshkëv i Halepit të Sirisë. Do të flasin edhe dy presidentë të lëvizjeve kishtare: Margaret Karram e Lëvizjes Focolare dhe Davide Prosperi i lëvisjes kishtare "Comunione e liberazione" (“Bashkim e Çlirim”).
Do të jenë të pranishëm edhe shkencëtarë, intelektualë dhe shkrimtarë. Ndërmjet tyre, edhe Javier Cercas, Colum McCann dhe Katerina Gordeeva, fituese e Çmimit Anna Politkovskaya 2022. Tetëdhjetë vjet pas shpërthimit të bombës atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, në Takim do të jetë edhe Toshiyuki Mimaki i Organizatës Nihon Hidankyo, fitues i Çmimit Nobel për Paqen 2024.