Oman, ngjarje historike p?r besimtar?t katolik?: lind nj? qend?r baritore
R.SH. / Vatikan
Përurimi, ditët e fundit, i qendrës së re baritore të famullisë së Shpirtit Shenjt në Ghala, Oman, ishte "ngjarje historike", "fillim i një kapitulli të ri". Vikari Apostolik i Arabisë Jugore, françeskani kapuçin Imzot Paolo Martinelli, e përshkroi kështu ndërtesën e re e cila, njofton agjencia Fides, "do të shërbejë si qendër baritore për nisma formimi të krishterë, kurse katekizmi dhe strehë për priftërinjtë, duke vënë në jetë një ëndërr të shumëpritur nga besimtarët e Ghalës dhe të gjithë Vikariatit".
Objektivi i strukturës - guri themeltar i së cilës u vendos në korrik 2024, një vit pasi lindi ideja - i shpjeguar nga Martinelli, është të "formojë të krishterë që të mund ta përballojnë jetën e përditshme, të udhëhequr nga feja", duke pasur gjithmonë parasysh se "formim i krishterë nuk do të thotë vetëm transmetim rregullash dhe detyrimesh, por mbi të gjitha, komunikim i jetës së re, që na solli Jezusi".
Fener formimi
Në Meshën e falënderimit Vikari apostolik "i inkurajoi më pas besimtarët ta konsiderojnë ndërtesën e re si fener formimi në fe dhe dhuratë shpirtërore për brezat e ardhshëm", duke i nxitur të "jenë burra dhe gra të paqes dhe ndërtues urash, të promovojnë respektin dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një bote më njerëzore dhe vëllazërore".
Ipeshkvi, më pas, i ftoi të "rriten në fe" falë qendrës së re baritore, në mënyrë që besimi "të mund të formojë" jetë dhe t'u lejojë të "bëhen dëshmitarë të Ungjillit" përmes mënyrës së tyre të jetesës.
Miqësi dhe harmoni
Struktura e re u bekua nga nunci apostolik në Oman, Kryeipeshkvi Nicholas Thevenin, në prani të autoriteteve fetare dhe politike të vendit, të cilëve Ipeshkvi Martinelli u shprehu falënderimet për mbështetjen e tyre. Ndërtesa, përfundoi ai, synon të jetë "monument për miqësinë dhe harmoninë ndërmjet Kishës Katolike dhe popullit paqësor e të dashur të Sulltanatit të Omanit".