N? Poloni kremtohet 25-vjetori i Vepr?s s? Mij?vje?arit t? Ri
R.SH. / Vatikan
Kremtimi kryesor i festimit në Jasna Góra ishte Mesha Shenjte, e kremtuar nga Kryeipeshkvi Antonio Guido Filipapzzi, Nunc Apostolik në Poloni. Në predikimin e tij, Prelati theksoi rëndësinë e mirënjohjes dhe të bujarisë në jetën personale dhe shoqërore.
Kultura e jetës, sipas mësimeve të Gjon Palit II
Kryeipeshkvi Filipazzi i nxiti bursistët të ndërtojnë "kulturën e jetës" kundër egoizmit dhe relativizmit të së tashmes. Theksoi edhe se kjo është e mundur nëse jetojmë sipas mesazhit të Shën Gjon Palit II: "Njeriu nuk mund ta rizbulojë plotësisht veten, përveçse përmes dhurimit të sinqertë të vetvetes". Në fund të Meshës, përfaqësuesit e bursistëve ia besuan të gjithë bashkësinë e "Veprës së Mijëvjeçarit të Ri" Nënës së Zotit, duke theksuar dëshirën e tyre për të "ndërtuar qytetërimin e dashurisë në rrugën e jetës, që Zoti ia caktoi secilit”.
Bursa e studimit është vetëm fillimi
Fondacioni "Vepra e Mijëvjeçarit të Ri" u krijua në ndihmë të të rinjve "për të cilët mungesa e fondeve për arsim ishte pengesë serioze", deklaroi Atë Dariusz Kowalczyk, President i Këshillit. Megjithatë, siç theksoi ai, "vetëm mbështetja financiare nuk është e mjaftueshme". Fituesit e bursave duhet të takohen, të formojnë bashkësi dhe të zhvillohen shpirtërisht. Marta Dywicka, ish-bursiste e Fondacionit dhe e diplomuar për këngë-xhaz në Gdańsk, shpjegoi se Fondacioni "Vepra e Mijëvjeçarit të Ri" e ndihmoi të niste karrierën e saj profesionale muzikore. Për të, Fondacioni ishte "çast historik në zhvillimin e saj, jo vetëm në muzikë, por edhe në jetë e në shpirt".
Një ditë e pasur me lutje, bashkësi, muzikë
Festimet jubilare të "Veprës së Mijëvjeçarit të Ri" filluan me një shtegtim dhe me rruzaren në lëndinën përpara Shenjtërores të Jasna Góras. Pas Meshës, pjesëmarrësit u mblodhën për një piknik në kopshtet e Seminarit të Madh në Cz?stochowa. Programi përfshinte dëshmi, kujtime dhe një çast shoqërimi. Në mbrëmje, kori dhe orkestra e Fondacionit dhanë një koncert në skenën e Manastirit Jasna Góra. Dita përfundoi me pjesëmarrjen në thirrjen e Jasna Góras, lutje drejtuar Virgjërës Mari, Mbretëreshë e Polonisë.
Fondacioni: "monument i gjallë"i Shën Gjon Pali II
Fondacioni "Vepra e Mijëvjeçarit të Ri" u krijua nga Konferenca ipeshkvnore polake në vitin 2000, si përgjigje që i jepej thirrjes të Papës Shën Gjon Pali II për solidaritet me të rinjtë nga fshatrat dhe familjet e varfra. Programi i saj i bursave deri tani ka arritur afërsisht 10,000 nxënës dhe studentë nga i gjithë vendi, duke i mbështetur ata jo vetëm financiarisht, por edhe përmes formimit shpirtëror dhe punës vullnetare. Bursat jepen nga klasa e shtatë (klasa e dytë e shkollës së mesme) deri në diplomim. Që nga viti 2022, Fondacioni drejton edhe një program mbështetjeje për refugjatët e rinj nga Ukraina. Ndaj shpesh quhet edhe "monument i gjallë i Shën Gjon Palit II".