Mater Ecclesiae, abacia benediktine dhe avamposti i lutjeve kund?r konfliktit
Bota shpesh harron se janë gjallë. Ndonjëherë, me sarkazëm të bezdisshme, i shpërfill si zbukurime të një fetarie të padobishme, që tashmë i ka kaluar koha! Domethënë, është zbehur. Megjithatë, po të merrej vesh se në ato vende të këndshme dhe shpesh të harruara, vijon një betejë e pamëshirshme për paqe shekuj me radhë, gjykimet do të ishin më pak të ashpra e sidomos, më pak përçmuese. Atëhere po, manastiret dhe kuvendet e klauzurës, të shpërndara në të gjithë planetin, mund të konsiderohen si centrale bërthamore, ku çdo ditë prodhohet "bomba atomike" më e fuqishme: thirrja e pandërprerë e ndërhyrjes së Zotit, e aftë të zbusë zemrat e ngurrosura nga urrejtja dhe hakmarrja dhe t’ia ndryshojë rrjedhën historisë në këtë periudhë të fundit të errët të epokës së njerëzimit, të sunduar nga Lufta III Botërore, që Papa Françesku e quante vazhdimisht "luftë copa-copa".
Ndërmjet dhimbjeve të botës
Po të flasësh me shaka, manastiri benediktin i mbyllur i Mater Ecclesiæ në Novara nuk bën përjashtim. I vendosur në ishullin e San Giulio, mbikëqyr hapësirën spektakolare të Liqenit Orta, që në shikimin e parë mund të jetë mashtruese: çfarë lidhje ka një grusht murgeshash me luftën në Ukrainë, konfliktin në Tokën Shenjte dhe në Iran, ose me trazirat civile në vende të ndryshme afrikane dhe të Amerikës së Jugut, për të përmendur vetëm disa prej tyre?
Nisje e rëndësishme
Sigurisht që ka, e ka shumë ... Madje, po ta dëgjosh abateshën, Nënën Maria Grazia Girolimetto, pikërisht nga zgjimet herët në mëngjes duhen filluar ato lutje ritmike, në një kohë të caktuar, sikur të mos kishte ndërprerje! Kohë, kur nis beteja më e rëndësishme kundër së keqes.
E keqja mbetet e patrazuar nga raketat bërthamore më moderne, strategjitë ushtarake më të rafinuara dhe riarmatimi më vulgar i paguar me paratë e vjedhura nga kujdesi shëndetësor dhe ndihma për të varfrit.
Por mbetet krejtësisht e pafuqishme para një Zoti që preket nga dhembshuria, kur dëgjon zërat e bijve e bijave të tij, që i luten për paqen.
Duke dëgjuar Etërit
"Më vijnë në mendje" - mediton murgesha në një intervistë me median e Vatikanit, "fjalët e Etërve të Kishës, të cilët na patën thënë: nëse merrni vesh për shpërthimin e një lufte, mendoni se në fund të fundit është edhe faji jot. Është luftë kundër krenarisë dhe urrejtjes, që i keni në zemër. Nëse mësoni për një zi buke që vret, mendoni për gjithë atë bukë që keni në dollap dhe që ua vidhni të uriturve. Po ta kuptoni se Kisha është e ndarë dhe popujt po luftojnë me njëri-tjetrin, përsëriteni: është edhe faji im, për sa kohë që një mendim i vetëm kundër vëllait fshihet në zemrën time".
Të ndjekim intervistën me Nënën Maria Grazia Girolimetto
“Nuk mjafton padia kundër tmerreve dhe disfatave të botës! Nuk është e mjaftueshme; në këto oaze, në dukje paqësore, bëhet diçka më shumë: e keqja që bën strofkën në zemrën e njeriut, luftohet në rrënjën e saj. E këtë e bëjmë duke u lutur, duke u gjunjëzuar para Atij, që mund të bëjë gjithçka. E bëjmë pa shumëfishuar fjalimet, por në heshtje. Është themelore për Kishën që këto vende të jetës kundruese të ekzistojnë sepse ato jo vetëm që dëshmojnë për një jetë pendestare, por edhe sepse marrin përsipër dhimbjen e ankthin e botës, derisa t’i konsumojnë dhe t’i shndërrojnë në shpresën e një jete të re.
Toka Shenjte të vërteta
Nëna Girolimetto krahason kuvendet dhe manastiret ku praktikohet lutja e paqes së heshtur - me "Tokat e Shenjta të vërteta ku, mbi turrën e Shpirtit të dashurisë, digjen të gjitha mosmarrëveshjet, të gjitha armiqësitë, të gjitha mospajtimet. Dhe ato harmonizohen në lutjen korale, e cila ka fuqi të pallogaritshme: lutja e lartuar drejt qiellit nga një bashkësi e bashkuar arrin drejtpërdrejt në zemrën e Zotit".
Bota nuk e di
Ku ka një bashkësi që lutet, aty ka një garnizon paqeje. Por atëherë, pse i injoron bota? "Sepse nuk e njeh deri në fund të fundit këtë lutje të fshehur. Por nuk duhet të shqetësohemi për këtë: detyra jonë është të jemi dëshmitarë të paqes me jetën tonë. Bota ka nevojë për dëshmi të tilla të vërteta, që të flasin për Ungjillin dhe për Jezusin".
Kundër stereotipeve
Nëna, Abateshë e abacisë Mater Ecclesiæ, ndjehet e kufizuar edhe nga një stereotip, krijuar nga shoqëria për burrat dhe gratë që ia kushtojnë jetën e tyre kundrimit lutës:
"Thuhet se ikim nga kjo botë, por është e vërtetë pikërisht e kundërta: ne zhytemi më thellë në të, për t’i shërbyer përmes lutjes, cakut më të mirëfilltë të dashurisë e të mëshirës”.