Leoni XIV n? Castel Gandolfo: imzot Viva (Albano), “dhurat? e nder p?r dioqez?n”
“E pritëm gjatë këtë çast. Nuk e besonim një përgjigje kaq të shpejtë”. Imzot Vincenzo Viva, ipeshkëv i Albanos, i përshkruan agjencisë së lajmeve SIR mbërritjen e Leonit XIV në Castel Gandolfo, të dielën pas dite, 6 korrik, ku Papa Prevost do të qëndrojë deri më 20 korrik. “E ftuam” - shpjegon imzot Viva - “sepse në shkurt Papa Françesku e kishte emëruar ipeshkëv-kardinal të Albanos, por pas zgjedhjes Papë nuk e kishte marrë ende detyrën. Fakti që do të kalojë një periudhë pushimi këtu, krijon edhe mundësinë për t'u takuar me bashkësinë kishtare të kësaj dioqeze”.
Imzot Vincenzo Viva flet për “emocionin dhe entuziazmin” me të cilin u prit Papa, i cili do të kryesojë Meshën të diel, më 13 korrik, në famullinë papnore të Castel Gandolfos, ndërsa më 20 korrik, në Kishën Kkatedrale të Albanos, afër Romës.
“Ekziston një lidhje e dyfishtë – shpjegon imzot Viva - nga njëra anë Castel Gandolfo ishte rezidenca verore e Papëve për 400 vjet, nga ana tjetër, dioqeza e Albanos kultivoi gjithnjë lidhje të thellë shpirtërore me Papën”. Me Leonin XIV, shton ai, “lidhja është edhe më domethënëse, sepse ai u emërua Kardinal Ipeshkëv i Albanos dhe duhej ta merrte në zotërim më 12 maj, përpara se Konklavi ta zgjidhte Papë”.
Prelati thekson në vijim, edhe atmosferën e pritjes dhe të entuziazmit në dioqezë: “Ne të gjithë e jetojmë këtë vizitë të Papës si dhuratë e si nder i veçantë. Për më tepër, kjo është hera e parë që ai kremton jashtë Vatikanit si Papë. Ne jemi dioqeza e parë italiane që e mirëpresim Leonin XIV, dhe kjo na bën krenarë”.
Sipas Imzot Viva, Leoni XIV e jeton këtë kohë si “pushim, reflektim e shkrim”, por edhe si mundësi për t'u takuar me territorin. “Merret me tema e gjeste domethënëse, por i shfrytëzon edhe pushimet ashtu si dëshiron e si kanë të drejtë ta bëjnë të gjithë”.