25 vjetori i shugurimeve meshtar?ve t? par? pas r?nies s? komunizmit n? Shqip?ri
R.SH. / Vatikan
Njëzet e pesë vjet më parë Kisha Katolike në Shqipëri pati gëzimin e Shugurimit të pesë meshtarëve të parë, pas rënies së diktaturës komuniste, dëshmi e historisë së lavdishme të një Kishe martire, që për 45 vite me radhë, për shkakun e fesë së saj të palëkundur në Jezu Krishtin Zot, pësoi mundimet dhe torturat më të rënda nga regjimi i kohës. Ishte 29 qershori i vitit 2000, kur u shuguruan meshtarët parë: Dom Simon Kulli, Dom Marjan Lumçi, Dom Nikolin Toma, Dom Marjan Gega dhe Pader Sokol Pepushaj, po më hollësisht nga Vau Dejës të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit:
IMZOT SIMON KULLI KREMTON 25 VJETORIN E SHUGURIMIT MESHTARAK
Njëzet e pesë vite më parë Kisha Katolike në Shqipëri ngadhënjeu me gëzimin e Shugurimit të pesë meshtarëve të parë pas rënies së komunizmit, duke rishkruar kështu historinë e lavdishme të kësaj kishe, që për 45 vite me radhë pësoi mundimet dhe torturat më të rënda nga regjimi i kohës. Ishte 29 qershori i vitit 2000, që shënoi të parët meshtarë që u shuguruan: Dom Simon Kulli, Dom Marjan Lumçi, Dom Nikolin Toma, Dom Marjan Gega dhe Pader Sokol Pepushaj.
Në kuadër të këtij jubileu 25 vjeçar, Bariu i Sapës Imzot Simon Kulli e kremtoi këtë ditë përmes një feste të përzemërt dhe plot mirënjohje ndaj Zotit me familjen e tij të gjakut, familjen e madhe dioqezane të Sapës, dhe me miq e dashamir të këtij rrugëtimi të jetës së tij personale dhe meshtarake.
Të shtunen e fundit të këtij qershori, me pjesëmarrjen e hierarkisë së Kishës në Shqipëri e të trevave Shqiptare si dhe qindra besimtarëve, u mbajt Mesha e Shenjtë në Katedralen Nën Tereza në Vau Dejës, kryesuar nga Imzot Simoni. Mes tyre ishin ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, dhe Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Imzot Gjergj Meta, të cilët uruan vëllain e tyre në Krishtin për këtë përvjetor jubilar.
Në predikimin e rastit Imzot Doda iu drejtua Imzot Simonit duke i thënë se çdo ditë e shërbimit tënd është një dhuratë për Zotin dhe për gjithë kishën në Dioqezën e Sapës. Ju si meshtarë të parë të shuguruar jeni shpërblim i vuajtjeve të Martirëve Shqiptarë, që dhanë jetën për fenë e Krishtit.
Teksa vazhdoi Mesha e Shenjtë me kremtimin solemn, në përfundim edhe Imzot Simoni gjatë fjalës së tij, falënderoi Zotin për thirrjen dhe përgjegjësinë që mban si shërbëtor i Kishës dhe i popullit të Zotit. Gjithashtu ai i ftoj të gjithë në lutje për të, që Zoti ta shoqërojë në rrugën e tij të shenjtë meshtarake dhe të jetë një bari zipas zemrës së Jezusit.
Violeta Marashi