杏MAP导航

K?rko

Samaritani i mir? Samaritani i mir?

Fjala e Zotit e Diel?s s? 15-t? gjat? vitit kishtar ‘C’

Me sh?mb?lltyr?n e samaritanit t? mir? (Ungjilli), Luka v? n? pah dashurin? e krishter?, me vepra dhe me fjal?. Protagonist?t jan?: nj? prifti e nj? levit, shprehje e nj? kulti t? shk?putur nga jeta, dhe nj? samaritanas, eterodoks dhe i mallkuar, q? shnd?rrohen n? nj? shembull jete. N? p?rfundim t? tregimit Jezusi u sugjeron doktor?ve t? ligjit dhe ne: “Shko e b?j? edhe ti ashtu!”, si samaritani mir?

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit, kësaj radhe meditojmë leximet biblike të dielës së 15-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.

 Fjala e Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar “C”

Fjala e Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit kishtar “C”

Leximet biblike të kësaj së diele na flasin për ‘Urdhrin e dashurisë’: “Po ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrit sikurse unë ju desha juve”, që është edhe thelbi i Ungjillit. Fjala e Zotit e kësaj së diele të 15-të, në mënyrë të veçantë fragmenti i Ungjillit, na fton t’i përngjajmë Jezu Krishtit, ‘bamirësit të njerëzimit’, ‘samaritanit të mirë’, siç përshkruhet figura e Tij. E për t’ia arritur këtij qëllimi, na propozon të zbatojmë një urdhër të vetëm: “Duaje Hyjin me gjithë zemër dhe të afërmin tënd porsi vetveten...”,  do të thotë të përshkojmë udhën e dashurisë e të bamirësisë bujare.

Libri i Deutoronomisë – Ligjit të përtërirë (Leximi I) pohon se fjala e Zotit është shumë afër, është në gojën e çdonjërit. Besnikëria nuk është detyrë aq e zorshme, por është e mundshme për të gjithë. Urtia e vërtetë për Izraelin është pikërisht zbatimi i urdhërimeve dhe i dekreteve të Hyjit.

Pali apostull e hap letrën drejtuar Kolosianëve me himnin kushtuar figurës së Jezusit, me një fjalor të vështirë e të thellë, (Leximi II). Në të ekzaltohet figura e Krishtit, primati e funksioni i tij në krijimin dhe në ri-krijimin e botës.

Me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë (Ungjilli), Luka vë në pah dashurinë e krishterë, e cila shprehet me vepra e me fjalë. Protagonistët janë: një prift e një levit, shprehje e një kulti të shkëputur nga jeta, dhe një samaritanas, eterodoks dhe i mallkuar, që shndërrohen në modelin e jetës, në një shembull jete. Në përfundim të tregimit ungjillor Jezusi u sugjeron doktorëve të ligjit dhe ne: “Shko e bëjë edhe ti ashtu!”

Krishti na fton t’u shërbejnë me dashuri të sinqertë e bujare vëllezërve, posaçërisht më nevojtarëve. Faqja ungjillore e kësaj së diele na frymëzon e kujton aktin vendimtar që në përgjigjen që Jezusi i jepnjë dijetari të Ligjit, i cili e pyet: “Mësues, ç’duhet të bëj, për të fituar jetën e pasosur?”. “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, me gjithë mendjen tënde! E të afërmin, si vetveten!”, përgjigjet Jezusi, Biri i Zotit. “Po kush është i afërmi im?”, vijon të pyesë dijetari i Ligjit. E atëherë Jezusi i përgjigjet me shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë. Për të treguar, kështu, se na takon ne të bëhemi të afërmit e çdo njeriu, që ka nevojë për ndihmë.

Shëmbëlltyra e Samaritanit të mirë, prandaj, duhet të na bindë ta ndryshojmë mendësinë tonë, sipas logjikës së Krishtit, që është logjika e dashurisë. Zoti është dashuri, e ta nderosh, do të thotë t’u shërbesh vëllezërve e çdo njeriu me dashuri të sinqertë e bujare.  Ky tregim ungjillor nga Lukana kujton kriterin dhe masës, domethënë, na mëson se dashuria është universale, se nuk duhet t’i duam vetëm ata, të cilët na duan, por edhe nevojtarin, që nuk e njohim fare, që e takojmë rastësisht. Kushdo qoftë.

Përveç këtij rregulli universal, duhet kujtuar edhe një kërkesë veçanërisht kishtare: në Kishë, që është familje e vetme, asnjë anëtar nuk duhet të vuajë, sepse nevojtar. I krishteri duhet të ketë një zemër, që shikon ku ka nevojë për dashuri e që vepron, atje ku kjo dashuri e thërret. Prej kënde, t’i lutemi Zojës së Bekuar që të na prijë të gjithëve në udhën e shërbimit, të dashurisë e fesë.

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Lp 30, 10-14

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli popullit dhe i tha: “Zoti do të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj, e të kthehesh te Zoti, Hyji yt, me gjithë zemrën tënde e me gjithë shpirtin tënd. Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty as nuk është tepër larg teje; nuk është i vënë në qiell, që të thuash: ‘Kush mund të ngjitet për ne në qiell për të na e sjellë që ta mësojmë e ta shtiem në veprim?’ As nuk është përtej detit që të gjesh shkak të thuash: ‘Kush do të mund të kalojë përtej detit për ne për të na e sjellë që ta njohim e të kryejmë çka është urdhëruar?’ Jo, Fjala është krejtësisht afër teje, mu në gojën tënde, në zemrën tënde që ta zbatosh!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 19
Ligji i Zotit është i përsosur


I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, 
të gjitha njënjë të drejta.
Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

Leximi i dytë Kol 1, 15-20

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i parëlinduri, para çdo krijese. Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet: qoftë fronet, qoftë zotërimet, qoftë principatat, qoftë pushtetet: gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të. Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të. Ai është Kryet e Trupit, Kishës; Ai është fillimi, i parëlinduri ndër të vdekurit, që të jetë në gjithçka i pari. Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë plotësia dhe, me anë të Tij, duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij, të pajtojë me vete gjithçka, qoftë në tokë qoftë në qiell. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

ALELUJA, Aleluja.

Po ju jap një urdhër të ri: Duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha juve. Aleluja

Ungjilli Lk 10, 25-37

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës


Në atë kohë, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti Jezusin: “Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Iu përgjigj Jezusi: “Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?” Dijetari iu përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde, dhe të afërmin tënd porsi vetveten.” Jezusi i tha: “Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!” Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin: “Kush është i afërmi im?” Jezusi vazhdoi e tha: “Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jerihon e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën e e lanë veç gjallë. Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe e vazhdoi udhën. Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbje për të, iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pas larë me verë e me vaj. Mandej e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. Të nesërmen, nxori dy dinarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’ Cili prej këtyre të treve, të
thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?” Ai iu përgjigj: “Ai që pati mëshirë për të!” “Shko – i tha Jezusi – e bëj edhe ti ashtu!” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

E DIELA XV GJATË VITIT: NJË SAMARITAN PATI DHIMBË PËR TË

(Lp 30, 10-14; Ps 19 (18); Kol 1, 15-20; Lk 10, 25-37)

Dhënia  e Ligjit ishte për Izraelin dhurata më e madhe që mund t’i jepej ndonjë populli: vetë Krijuesi i gjithësisë ishte denjuar ta veçonte këtë popull në mes të të gjithë popujve të tjerë e t’i fliste. Duke parë këto Ligje jete e dashurie, Izraeli kuptonte se Hyji vetë është jetë dhe dashuri.

Zbatimi i këtij Ligji ishte kushti i lumturisë për Izraelin. Moisiu thotë sot: «Zoti do të të bëjë të lumtur, por me kusht që ta dëgjosh zërin e Zotit, Hyjit tënd, e t’i ruash urdhërimet e ligjet e tij që janë të shkruar në këtë Ligj». Ky ishte kushti i lumturisë, sepse vetëm kështu mbeteshin në kontakt me Hyjin e tyre e vetëm kështu i përngjanin Atij që ua kishte dhuruar.

E pastaj Ligji nuk ishte i vështirë: «Ky urdhër që unë po ta jap sot, nuk është tepër i vështirë për ty, as nuk është tepër larg teje». Izraeliti jo vetëm se mund ta shihte si të arritshëm zbatimin e Ligjit, por edhe mund ta mbante atë si gëzimin e shpirtit të vet: «I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin. / Urdhërimet e Zotit janë të drejta, kënaqin zemrën.», thotë psalmi që dëgjuam sot.

Por atij që nuk e kupton zemrën e Ligjit, pra faktin se Ligji të fton të ngjitesh tek Dhuruesi i tij e Atij t’i përngjash, herët a vonë do të fillojë t’i jehojë në mendje e në zemër një pyetje e çuditshme: «Deri ku jam i detyruar ta zbatoj Ligjin? A mund ta di kufirin përtej të cilit nuk jam më i detyruar të shtyhem?»

Pyetje të tilla shpesh u lindin edhe shumë të krishterëve. Janë të çuditshme këto pyetje, sepse, nga njëra anë, njeriu duket sikur po shprehet i gatshëm ta zbatojë vullnesën e Zotit, por, nga ana tjetër, fsheh dëshirën që të gjejë ndonjë shteg ligjor që i lejon të mos shtyhet më tutje.

Pikërisht ky është edhe rasti i dijetarit të Ligjit për të cilin u fol në Ungjillin e sotëm. Ai, me justifikimin që ta vërë në provë Jezusin rreth njohjes së Ligjit, e pyet atë se ç’duhet bërë për të fituar jetën e pasosur. Jezusi e fton që të shikojë kah Ligji duke i thënë: «Çka shkruan në Ligj? Si lexon atje?» E dijetari i përmend ato pjesë të Ligjit ku porositej dashuria ndaj Hyjit mbi gjithçka dhe dashuria ndaj të afërmit si vetveten.

Por dijetari këtu shtron një pyetje që, me kohë, ishte shndërruar në një diskutim të fortë teologjik në Izrael: «Kush është i afërmi im?». A bëhej fjalë vetëm për njerëzit e gjakut tënd? A bëhej fjalë për bashkëkombasit? Apo bëhej fjalë për shumë më gjërë?

Patjetër që të bën të mendosh se si njeriu kërkon një ligj, për ta ditur se sa është i detyruar të dojë, përndryshe vetë diktimi i dashurisë nuk i mjaftoka. Hyji ishte treguar me Izraelin zemërgjerë. Asnjë ligj nuk e detyronte Hyjin që ta përzgjidhte këtë popull në mes të popujve të tjetrë e as që ta falte kur ky mëkatonte. Hyji vepronte kështu falë diktimit të dashurisë. Si pa e ditur, ky dijetar, por edhe të gjithë ata që e kishin hapur këtë debat teologjik me kohë, po tregonin zemërngushtësinë e tyre.

Jezusi nuk e lë pa përgjigje këtë hulumtues të Ligjit Hyjnor, por e bën duke i treguar një histori. Sa forcë bindëse kanë historitë! Prandaj Jezusi i përdorte shpesh ato.

Jezusi tregon shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, shëmbëlltyrë të cilën besoj se secili prej nesh e njeh shumë mirë. I tregon se si një njeri e plaçkitën cubat, e rrahën dhe e lanë në rrugë veçse gjallë. Një prift e një levit që kaluan aty pranë njëri pas tjetrit, ia hodhën sytë, por vazhduan rrugën e tyre pa i ardhur në ndihmë. Në ndihmë do t’i vinte vetëm një njeri që po vinte nga Samaria. Samaria ishte më në veri të Izraelit. Ky popull ishte prej kohësh në armiqësi me Judenë, vendin ku po zhvillohej ngjarja që po tregonte Jezusi. Judeja kishte Tempullin e ndërtuar nga Salomoni, kurse Samaria një tempull tjetër të ndërtuar pas Salomonit, kur Izraeli u nda më dysh nga dy bijtë e tij mendjengushtë e ambiciozë. Kështu kishte nisur një anatemizëm i ndërsjelltë mes këtyre popuj: Judeja thoshte se Samaria e kishte tradhtuar traditën e Moisiut dhe Profetëve dhe i kishte shpallur heretikë samaritanët e, Samaria nga ana e vet, i kishte shpallur heretikë judenjtë. «Judenjtë nuk marrin e japin me samari­tanë.», shpjegon Shën Gjoni në Ungjillin e tij (4, 9), duke nënkuptuar se nuk martoheshin në mes tyre.

Por ky njeri i lë mënjanë zakonet, ligjet, anatemizmat dhe i vjen në ndihmë të plagosurit: «Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati dhimbë për të…». Dashuria i dikton e ky ia lejon vetes ta dëgjojë diktimin e saj. «Dashuria është zemërgjerë, është e dhimbshme... nuk është e panjerëzishme.», do të shpjegonte më vonë Shën Pali (1 Kor 13, 4).

Pastaj ky samaritan ia pastron plagët dhe e çon në bujtinë duke u kujdesur për të. Të nesërmen i jep bujtinarit dy denarë (rroga e dy ditëve) dhe e porosit që të kujdeset për të derisa ai të kthehej përsëri aty: «M’u kujdes për të dhe çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem».

Dijetari i Ligjit e merr përgjigjen: më fort sesa të shohësh kush është i afërmi im, duhet që ti pikësëpari të ndjehesh në shpirt i afër­mi i atij që ka nevojë për ty dhe ta dëshmosh një gjë të tillë. Afërsia që porosit Jezusi, pra, nuk është punë gjaku, kombi, race apo niveli shoqëror, por bazohet në mirësinë që secili prej nesh duhet të tregojë ndaj atij që ka nevojë për ne. Për fat të keq, rastet ku kjo porosi e Jezusit lihet pas dore e ndiqen interesa të tjera, janë të shumta: këto raste i gjen nëpër gjykata, nëpër spitale, nëpër shkolla e nëpër vende pune e deri nëpër sportele të ndryshme. Por kështu, dashuria zëve­ndësohet nga egoizmi dhe e dëmtojmë shëmbëllesën e Hyjit në ne.

Përkundrazi, i lum është ai që e zgjeron zemrën e vet dhe i lejon asaj të ketë dhembshuri për atë që është në nevojë, qoftë edhe për atë që të kanë mësuar ta trajtosh si armik, apo që kundrejt teje është dëftuar vërtet si armik.

Por tani do të na duhet të ngjitemi edhe një shkallë më lart. Tani do të shohim se fjalët e Jezusit kanë vetinë që, njëkohësisht, të jenë të kuptueshme nga të gjithë, menjëherë, por, nga ana tjetër, arrijnë të na nxisin që të kundrojmë edhe mistere pafundësisht të larta.

Dijetarit të Ligjit, Jezusi nuk po i tregonte thjesht një histori të ndodhur diku në ato anë, por po i tregonte edhe historinë e vetë Birit të Hyjit me njeriun.

Njeriu i plaçkitur dhe i rrahur në rrugë mund të simbolizojë shumë mirë krejt njerëzimin. Njerëzimi ishte i rrahur e i lënë veçse gjallë nga plagosja e mëkatit fillestar dhe, më vonë, gjendja është përkeqësuar edhe nga veset e ndryshme që skllavërojnë individë e shoqëri të tëra.

Prifti e leviti që kaluan aty pari dhe vazhduan rrugën pa i ardhur në ndihmë, simbolizojnë ata kulte dhe devocione të ndryshme që nuk kanë në qendër mëshirën dhe dashamirësinë ndaj njëri-tjetrit, por kanë thjesht zbatimin e disa ritualeve. Në atë rast ata rezultojnë të kota dhe boshe, duke mos arritur ta shërojnë e ta shëlbojnë njeriun.

Por për fat të mirë që kaloi pranë nesh Jezusi, Biri i Hyji i bërë Njeri, Ai të cilin bota nuk e njihte. Ai, edhe pse bota nuk vonoi ta anatemonte si heretik e si armik, prapëseprapë pati dhembshuri për ne. Jezu Krishti u përkul mbi plagët tona, mbi mëkatet tona dhe u përkujdes për shërimin e tyre. Këtë shërim Ai e arriti nëpërmjet Vuajtjeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Tij pas tri ditësh. Pastaj u ngjit në qiell, u “largua” prej nesh, ashtu siç iu desh edhe samaritanit të vazhdonte udhëtimin e tij, por Ai na vendosi më parë në një bujtinë të sigurt. Fjala bujtinë në origjinalin grek do të thotë «vend që i pranon të gjithë». Bëhet fjalë për Kishën, në të cilën do të mund të hyjnë të gjithë popujt e botës.

Sikurse bëri samaritani me bujtinarin, ashtu edhe Jezusi e porosit Kishën e vet që të përkujdeset për shëndetin e atyre që Ai do t’i sillte gjithnjë brenda Saj. Po ashtu, sikurse samaritani i dha bujtinarit denarët për t’u përkujdesur për të sëmurin, ashtu edhe Krishti ia dha Kishës së vet edhe mjetet e nevojshme për t’i mundësuar Asaj përkujdesjen ndaj plagëve të shkaktuara nga mëkati: i dha Hirin, sakramentet, Shkrimin Shenjt dhe autoritetin kishtar. Mbi të gjitha i siguroi se me Vdekjen e Ngjalljen e Tij Ai do të ishte gjithnjë i pranishëm dhe veprues në Kishë e në botë.

«Çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem», tha Sama­ritani. Kështu edhe Jezusi e siguron këdo që i bashkohet misionit të Tij shëlbimprurës në botë, se do t’ia shpërblejë mundin e bërë, kur Ai të kthehet në fundin e botës, në ardhjen e Tij të dytë.

Me një fjalë, Jezusi po i tregonte dijetarit misionin që Ai vetë po çonte përpara në këtë botë.

Mjafton, pra, të shohësh kah Jezusi, që të kuptosh jo thjesht çfarë do Hyji, por edhe kush është Hyji: «Krishti Jezus është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm”, thotë Shën Pali sot në leximin e dytë. Për të kuptuar Hyjin-Dashuri dhe dashurinë për të afërmin, na mjafton, pra, që të shohim Jezusin. Jo vetëm ta shohim, por edhe të bëjmë si Ai. Prandaj, dijetarit të Ligjit dhe neve, Jezusi na thotë: «Hajt e bëj edhe ti kështu!».

Dom Dritan Ndoci

12 korrik 2025, 10:12