?el?si i fjal?ve t? Kish?s: subsidiariteti
R.SH. – Vatikan
Subsidiariteti është i pranishëm në udhëzimet e Kishës që prej enciklikës së parë të madhe shoqërore, “Rerum Novarum”. Është e pamundur të mbrojmë dinjitetin e njeriut, nëse nuk kujdesemi për familjen, për grupet, për shoqatat, për realitetet territoriale lokale, me pak fjalë, për ato shprehje bashkësish të llojit ekonomik, shoqëror, kulturor, sportiv, argëtues, profesional, politik, të cilave personat u japin jetë vetvetiu dhe që ua bëjnë atyre të mundur zhvillimin efektiv shoqëror.
Kërkesa për të mbrojtur e për të nxitur shprehjet e drejtpërdrejta të këtij lloji marrëdhëniesh shoqërore është theksuar prej Kishës në enciklikën «Quadragesimo anno», në të cilën parimi i subsidiaritetit tregohet si parim shumë i rëndësishëm i «filozofisë shoqërore»: «Ashtu siç është e palejueshme t’u hiqet individëve ajo që ata mund ta kryejnë me forcat e tyre për t’ia besuar bashkësisë, po ashtu është e padrejtë t’i caktohet një shoqërie më të madhe e më të lartë ajo që mund të bëhet prej bashkësive më të vogla e më të ulta. Ky është njëkohësisht dëm i rëndë e përmbysje e rendit të drejtë të shoqërisë; sepse objekti natyror i çfarëdo ndërhyrjeje të vetë shoqërisë është të ndihmojë në mënyrë plotësuese anëtarët e trupit shoqëror, jo t’i shkatërrojë apo t’i thithë brenda vetes».
Subsidiariteti, i marrë në kuptimin pozitiv, është pra, ndihmë ekonomike, institucionale, legjislative ndaj entiteteve shoqërore më të vogla, pa ua hequr atyre pavarësinë. Nisma, liria e përgjegjësia e tyre nuk duhet të zëvendësohen nga një entitet më i lartë e më i fuqishëm, si shteti për shembull, pavarësisht se ai ua cakton ndihmën.
Parimi i subsidiaritetit i mbron njerëzit nga abuzimet e instancave shoqërore më të larta dhe i nxit këto të fundit t’i ndihmojnë individët dhe grupet e ndërmjetme të shoqërisë të kryejnë detyrat e tyre. Përvoja vërteton se mohimi i subsidiaritetit, apo kufizimi i tij në emër të një demokratizimi të pretenduar apo në emër të barazisë së të gjithëve në shoqëri, e kufizon dhe nganjëherë e asgjëson frymën e lirisë e të nismës.
Parimi i subsidiaritetit është në kundërshtim me format e centralizimit, të burokratizimit, të asistencializmit, të pranisë së paarsyetuar e të tepërt të shtetit dhe të aparatit publik: «Duke ndërhyrë drejtpërdrejt dhe duke ia hequr përgjegjësinë shoqërisë, shteti asistencial shkakton humbjen e energjive njerëzore dhe shtimin e tepruar të aparateve publike, të mbizotëruar nga logjikat burokratike më shumë se nga shqetësimi për t’u shërbyer njerëzve, me rritjen e pamasë të shpenzimeve», siç shkruan Shën Gjon Pali II në enciklikën “Centesimus Annus”. Mosnjohja e duhur e nismës private, edhe ekonomike, dhe e funksionit të saj publik, ashtu si edhe monopolet, kontribuojnë në shtypjen e parimit të subsidiaritetit.
Ndërkaq, zbatimit në jetë të tij i përgjigjen: respektimi dhe nxitja e parësisë së personit dhe të familjes; vlerësimi i shoqatave dhe i organizatave të ndërmjetme; inkurajimi i nismës private, në mënyrë që çdo organizëm shoqëror të mbetet në shërbim të së mirës së përbashkët me veçoritë e veta; nyjëzimi pluralist i shoqërisë dhe përfaqësimi i forcave të saj jetësore; mbrojtja e të drejtave njerëzore, edhe për pakicat; decentralizimi burokratik dhe administrativ; ekuilibri ndërmjet sferës publike dhe asaj private, me njohjen e funksioneve shoqërore të privates; përgjegjësimi i çdo shtetasi se është pjesë aktive e realitetit politik e shoqëror të vendit.
Rrethana të ndryshme mund të këshillojnë që shteti të ushtrojë një funksion zëvendësimi, vijon reflektimin Shën Gjon Pali II në “Centesimus Annus”. Të mendojmë, për shembull, për situatat në të cilat është e nevojshme që vetë shteti ta nxisë ekonominë, për shkak të pamundësisë së shoqërisë civile që të marrë përsipër në mënyrë autonome këtë nismë; të mendojmë edhe për realitetet e çekuilibrit të rëndë dhe të padrejtësisë shoqërore, në të cilat vetëm ndërhyrja publike mund të krijojë kushte barazie, drejtësie e paqeje më të madhe. Megjithatë, në dritën e parimit të subsidiaritetit ky zëvendësim institucional nuk duhet të zgjasë dhe të shtrihet përtej kufirit të nevojshëm. Në çdo rast, e mira e përbashkët duhet të mbetet kriteri i shoshitjes në lidhje me zbatimin e parimit të subsidiaritetit.