?el?si i fjal?ve t? Kish?s: si e sheh njeriun doktrina shoq?rore e Kish?s
R.SH. – Vatikan
Parimet e përhershme të doktrinës shoqërore të Kishës përbëjnë gurët themeltarë të mësimit shoqëror katolik: parimi i dinjitetit të njeriut është ai në të cilin bazohet çdo parim dhe përmbajtje tjetër e doktrinës shoqërore: e mira e përbashkët, subsidiariteti dhe solidariteti.
Për ta kuptuar më mirë atë, duhet parë koncepti i dinjitetit njerëzor nga një perspektivë laike, jo si diçka e ndryshme, por si vazhdimësi e natyrshme e asaj, që pohohet në enciklikën e parë shoqërore të Kishës “Rerum Novarum”, shkruar nga Papa Leoni XIII. Kjo perspektivë është e mundur duke marrë në konsideratë një dokument, që kujton fuqimisht parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës Katolike: Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948, e cila pohon besimin se të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet. Që atëherë, ajo është përfshirë në kushtetuta dhe traktate të shumta ndërkombëtare. Pas Luftës II Botërore, përfaqësuesit e Kombeve u ndalën për të parë rrënojat e saj dhe u përpoqën ta rindërtonin fatin e botës në një mënyrë tjetër, duke e mbushur boshllëkun e shkaktuar nga lufta sidomos me vlera. Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut u miratua më 10 dhjetor 1948. Dhe pikërisht në nenin e parë, dinjiteti njerëzor përcaktohet me termat e lirisë dhe të barazisë: "Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta".
Imago Dei
Çështja është si të mbrohet dhe të promovohet ky dinjitet, i cili shprehet si liri dhe barazi? Për herë të parë ishte arritur një konsensus (laik) mbi vlerën e epërme të njeriut, vlerë që nuk buronte nga vendimi i ndonjë fuqie tokësore, por nga dinjiteti i brendshëm i njeriut, i cili i dha jetë së drejtës së patjetërsueshme të secilit për të jetuar i lirë nga dhuna dhe nga shtypja dhe për të zhvilluar plotësisht personalitetin e tij. Kështu, ideja origjinale e dinjitetit njerëzor, pavarësisht se ka rrënjë konceptuale para-kristiane dhe jashtë-kristiane, në versionin e saj të universalizuar dhe themelor nga ana kulturore, i detyrohet para së gjithash Krishterimit, si dhe konceptit të Imago Dei të njeriut, pra, të faktit që ai është imazh i Zotit. "Asgjë tjetër përveç besimit në mishërimin e Zotit nuk e bën më të qartë se natyra njerëzore si e tillë ka pjesë në absoluten dhe se çdo njeri ka të drejtë për fisnikërinë më të lartë të imagjinueshme", thuhet në Përmbledhjen e Doktrinës Shoqërore të Kishës.
Baza biblike e dinjitetit njerëzor
Antropologjia biblike e konsideron me rëndësi qendrore fragmentin nga Zan 1,26 - Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë”. Edhe Psalmi 8, veçanërisht vargjet 6 dhe 7 ("Ti e bëre pak më të vogël se engjëjt; e kurorëzove me lavdi e shkëlqim; i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Gjithçka vure nën këmbët e tij..."), nënvizon sërish identifikimin e paprecedent - dhe ende pjesërisht të mistershëm – ndërmjet Hyjit dhe Njeriut, i cili do të gjejë përmbushjen e tij përfundimtare në Besëlidhjen e Re. Kështu nga krishtërimi, në mënyrë progresive, koncepti i dinjitetit njerëzor hyri në ligj, në formën e të drejtave të njeriut, ose si themeli dhe pika fillestare e secilës prej tyre. Opinioni i disave se Krishterimi thjesht përvetësoi urtinë klasike pagane nuk është i vlefshëm, pasi ka shkrime nga figura të shquara të lashtësisë, si për shembull Ciceroni, të cilët dëshmojnë se në demokracinë e famshme athinase e, edhe në Romën e madhe, dinjiteti njerëzor, siç e kuptojmë ne sot, objektivisht, nuk ekzistonte.
Koncepti universal i dinjitetit të njeriut e ka bazën në krishtërim
Me mishërimin e Hyjit në Krishtin, koncepti i dinjitetit mundi të universalizohej rrënjësisht e madje, iu shtuan idetë e përvujtërisë dhe të hirit hyjnor. Në paragrafin 153 të Përmbledhjes së Doktrinës Shoqërore të Kishës, vihen në dukje mësimet e Papës shenjt Gjoni XXIII, të Koncilit II të Vatikanit, të Papës shenjt Palit VI, të cilët kanë dhënë udhëzime të shumta mbi konceptin e të drejtave njerëzore të përvijuar prej Magjisterit. Gjon Pali II bëri një listë të tyre në enciklikën «Centesimus annus»: «e drejta për jetë, pjesë përbërëse e të cilës është rritja në kraharorin e nënës pasi njeriu ëshë zënë; e drejta për të jetuar në një familje të bashkuar dhe në një ambient moral, të favorshëm për zhvillimin e personalitetit; e drejta për ta formuar inteligjencën dhe lirinë vetjake në kërkim dhe në njohje të së vërtetës; e drejta për të punuar me qëllim që njeriu të vlerësojë të mirat e tokës e të sigurojë prej saj mbajtjen e vetes dhe të të dashurve të vet; e drejta për të themeluar lirisht një familje dhe për të pranuar e edukuar bijtë, duke ushtruar në mënyrë të përgjegjshme seksualitetin. Burim dhe sintezë e këtyre të drejtave, në një farë mënyre, është liria fetare, e kuptuar si e drejtë për të jetuar në të vërtetën e fesë dhe në përputhje me dinjitetin transhendent të personit».
Të drejtat e njeriut
E drejta e parë që duhet radhitur në këtë listë është e drejta për jetë, që prej zënies e deri në përfundimin e saj të natyrshëm, që kushtëzon ushtrimin e çdo të drejte tjetër dhe bashkëmbart, në veçanti, paligjshmërinë e çdo forme aborti jo spontan dhe të çdo forme eutanazie. Theksohet vlera shumë e lartë e së drejtës për liri fetare: «të gjithë njerëzit duhet të mbeten të paprekur prej detyrimit nga ana qoftë e individëve, qoftë e grupeve shoqërore apo e çfarëdo autoriteti njerëzor, kështu që në lëmin fetar, brenda disa kufijve, askush të mos jetë i detyruar të veprojë kundër ndërgjegjes së vet, as të pengohet që të veprojë sipas ndërgjegjes së vet, privatisht apo publikisht, i vetëm apo i bashkuar me të tjerë». Respektimi i kësaj të drejte është një shenjë emblematike «e përparimit të njëmendtë të njeriut në çdo regjim, shoqëri, sistem apo mjedis».
Detyrat e njeriut
E lidhur në mënyrë të pandashme me temën e të drejtave është edhe ajo e detyrave të njeriut, që gjen në ndërhyrjet e Magjisterit theksimin e duhur. Shumë herë kujtohet se të drejtat e detyrat plotësojnë njëra-tjetrën e ecin paralelisht. Magjisteri papnor thekson se nuk mund të pohohen të drejtat nëse nuk pranohen përgjegjësitë e lidhura ngushtë me to: «Prandaj, - shkruhet në paragrafin 156 të Përmbledhjes së Doktrinës Shoqërore - ata që, ndërsa rivendikojnë të drejtat e tyre, harrojnë apo nuk i vënë në dukje siç duhet detyrat përkatëse, rrezikojnë të ndërtojnë me njërën dorë e të shkatërrojnë me tjetrën».
Doktrina shoqërore e Kishës e merr parasysh edhe faktin se liria e njërit përfundon aty ku fillon liria e tjetrit, prandaj, mbi bazën e privilegjit, që Ungjilli u jep të varfërve, përsërit vazhdimisht se “më të favorizuarit duhet të heqin dorë nga disa të drejta të tyre për t’i vënë pasuritë, më bujarisht, në shërbim të të tjerëve” dhe se pohimi i tepruar i barazisë “mund të krijojë një individualizëm ku çdo njeri pretendon të drejtat e veta, duke shmangur përgjegjësinë për të mirën e përbashkët”. E pikërisht për këtë të fundit, që është parimi i parë i doktrinës shoqërore të Kishës Katolike, do t’ju flasim të enjten e ardhshme.