?el?si i fjal?ve t? Kish?s: enciklikat shoq?rore t? Benediktit XVI dhe t? Fran?eskut
R.SH. - Vatikan
Pas Gjon Palit II e kontributit të tij për rënien e regjimeve komuniste në Evropën Lindore, Papa i mëpasëm, Benedikti XVI ia kushtoi analizës shoqërore të trija enciklikat, që shkroi, duke u bazuar në shqyrtimin e marrëdhënieve ndërmjet fesë e arsyes, që e kishte argument të preferuar të reflektimit të tij teologjik. Ndër tri enciklikat e tij, “Deus caritas est” vë në dukje Zotin si dashuri; e dyta, “Spe salvi” merret me vlerën e shpresës dhe e treta, “Caritas in veritate”, me drejtësinë shoqërore.
Në të parën, Ati i Shenjtë nënvizoi se dashuria e krishterë, e bazuar në Zotin, është themeli i jetës njerëzore dhe i drejtësisë shoqërore. “Spe Salvi”, publikuar në vitin 2007, reflekton mbi vlerën e shpresës së krishterë, të rrënjosur në besimin në Krishtin e në premtimin për jetën e amshuar, duke dhënë orientimin për të përballuar sfidat dhe vuajtjet e botës. Është sidomos në enciklikën “Caritas in veritate” që Benedikti XVI vë në plan të parë temën e drejtësisë shoqërore, duke e lidhur me dashurinë e krishterë e me të vërtetën. Enciklika shqyrton çështjet e zhvillimit të plotë njerëzor, rolin e Kishës në botën bashkëkohore dhe nevojën për një ekonomi në shërbim të personit.
Për të kapërcyer «prirjet aktuale drejt një ekonomie afatshkurtër, ndonjëherë tepër afatshkurtër» (CV, n. 32), shkruan Benedikti XVI, doktrina shoqërore e Kishës ngul këmbë në bashkimin e dashurisë me të vërtetën, «parim që merr formë operative në kriteret, që udhëheqin veprimin moral» (CV, n. 6). Kjo doktrinë përfshin një «përmasë ndërdisiplinore» (CV, n. 31), nevojën për shoshitje, për vizion global, që të lartohet në «përmasë urtie» (ibid.).
Caritas in veritate
Që njerëzit të kenë sërish besim - bir i dashurisë - duhet të mos e shohim ekonominë e globalizuar si një fatalitet, me kusht që ajo të dalë nga autizmi i vet dhe të pranojë «logjikën e dhuratës pa kompensim» (CV, n. 37). E, më tej, Papa shkruan: «në marrëdhëniet tregtare parimi i dhurimit falas dhe logjika e dhuratës si shprehje e vëllazërimit mund dhe duhet të gjejnë një vend brenda veprimtarive normale ekonomike. Kjo është nevojë e njeriut në kohën e sotme, por edhe nevojë e vetë arsyes ekonomike. Kjo është kërkesë si e dashurisë bamirëse, ashtu edhe e së vërtetës” (CV, nr. 36). Papa propozon kështu eliminimin e ndarjeve të kota ndërmjet të ashtuquajturit “sektori i tretë” (karakterizuar nga mungesa e fitimit), bizneseve (që i kushtohen efikasitetit) dhe shtetit (përgjegjës për rishpërndarjen më të drejtë të pasurisë në shoqëri), me qëllim krijimin e sinergjive të reja, duke dhënë si shembull të pëlqyeshëm ekonominë e solidaritetit. Nevoja për vëllazërim duhet të ringjallet edhe tek secili prej nesh, pasi “shqetësimi i tepruar për të drejtat çon në harresën e detyrave” (CV, nr. 43). S’bëhet fjalë vetëm për funksionimin e keq të sistemeve, por sidomos për ndryshimin e qëndrimeve si: refuzimi i transparencës, lakmia, etja e pangopur për fitim, grumbullimi i pasurisë, nënshtrimi ndaj “absolutizmit të teknologjisë” (CV, nr. 77), etj., të gjitha, pasoja të “mëkatit fillestar” (CV, nr. 34).
Në këtë mënyrë, duke u mbështetur në burimet e filozofisë dhe teologjisë, Benedikti XVI bëhet analist i universit tonë të globalizuar. "Pa të vërtetën, biem në një vizion empirik dhe skeptik të jetës, të paaftë për t’u lartuar mbi praktikën, sepse nuk është i interesuar të kuptojë vlerat - nganjëherë as domethënien - me të cilat ta gjykojë dhe ta drejtojë atë" (CV, n. 9). Përtej shkencës dhe teknologjisë, një jetë morale e njëmendtë dhe një përshpitëri e mishëruar kanë nevojë më shumë se kurrë për aleancë të qëndrueshme ndërmjet fesë dhe arsyes. Arsyeja pa fenë humbet, ashtu si edhe feja pa arsye atrofizohet.
Papa Françesku e shtëpia jonë e përbashkët
Papa Françesku vijoi në një plan tjetër magjisterin për doktrinën shoqërore të Kishës, i shqetësuar, siç ishte, për fatet e shtëpisë sonë të përbashkët, botës ku jetojmë. Enciklikat kryesore shoqërore të tij janë “Laudato si'” (2015) dhe “Fratelli tutti” (2020). “Laudato si'” e trajton krizën ekologjike globale si krizë shoqërore, duke promovuar ekologjinë e gjithanshme, që nuk ka të bëjë vetëm me ambientin, por me njeriun në tërësi. “Fratelli tutti” shqyrton vëllazërimin njerëzor dhe miqësinë shoqërore, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe të dialogut.
Në enciklikën e parë, Papa Françesku argumenton se kujdesi për shtëpinë e përbashkët, planetin tonë, është edhe çështje drejtësie shoqërore, pasi më të varfrit janë shpesh më të prekurit nga pasojat e degradimit mjedisor. Enciklika bën thirrje për ndryshim në stilin e jetës, për kthesë ekologjike dhe për impenjim botëror në favor të zhvillimit të qëndrueshëm.
“Fratelli tutti”, e botuar gjatë pandemisë COVID-19, reflekton mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore si mënyrë për të ndërtuar një botë më të drejtë dhe më paqësore. Papa Françesku thekson se "askush nuk shpëtohet i vetëm" dhe se është e nevojshme të kapërcehet individualizmi dhe indiferenca për t'u përballur me sfidat globale, siç janë varfëria, pabarazia dhe konfliktet. Enciklika bën një analizë të thellë të politikës, dialogut ndërfetar dhe rëndësisë së mirëpritjes dhe të integrimit të emigrantëve.
Në vizionin shoqëror të Papës Françesku, drejtësia, solidariteti dhe kujdesi për Krijimin janë elemente themelore për një të ardhme më të mirë për gjithë njerëzimin.
Dokumentet që përmendëm në tre emisionet e fundit përbëjnë shtyllat e doktrinës shoqërore të Kishës, objekti i së cilës nuk është teorik – pra, Kisha nuk ka ndërmend t’u mësojë teori njerëzve – por baritor, nisur nga shqetësimi për ndikimin që kanë ndryshimet shoqërore mbi çdo njeri, mbi dinjitetin e tij, duke kërkuar pa u lodhur një rend tokësor më të përsosur, që ecën me të njëjtin hap me përparimin shpirtëror.