杏MAP导航

K?rko

2020.06.15 Vangelo del giorno pane mani donare dono

?el?si i fjal?ve t? Kish?s: destinacioni universal i t? mirave materiale

Nd?r implikimet e shumta t? s? mir?s s? p?rbashk?t – q? ?sht? nj? nga parimet kryesore t? Doktrin?s Shoq?rore t? Kish?s, argument i emisioneve t? koh?ve t? fundit - nj? r?nd?si t? madhe merr ??shtja e destinacionit universal t? t? mirave materiale. Hyji e ka caktuar tok?n, me gjith?ka q? ajo p?rmban, p?r p?rdorimin e t? gjith? njer?zve dhe popujve, prandaj, t? mirat e krijuara duhet t? arrijn? tek t? gjith? me kriter t? barabart?, duke pasur si udh?rr?fyese drejt?sin? dhe si shoq?ruese dashurin?

R.SH. - Vatikan

         Në emisionin e sotëm do të flasim për destinacionin universal të të mirave materiale, që janë të mira të përbashkëta, siç thamë edhe të enjten e kaluar, duke analizuar pikërisht ç’është e mira e përbashkët për mësimin shoqëror të Kishës Katolike. Ky parim bazohet në faktin se “zanafilla e parë e gjithçkaje të mirë është vetë akti i Hyjit, i cili ka krijuar tokën dhe njeriun dhe njeriut ia ka dhënë tokën që ta sundojë me punën e vet dhe të gëzojë frytet e saj” (shih Zan 1, 28-29). Hyji ia ka dhënë tokën gjithë gjinisë njerëzore, që ajo të ushqejë të gjithë anëtarët e saj, pa përjashtuar e pa privilegjuar askënd. Këtu qëndrojnë rrënjët e destinacionit universal të të mirave të tokës. Me të vërtetë, njeriu nuk mund të jetojë pa të mirat materiale, që plotësojnë nevojat e tij kryesore dhe përbëjnë kushtet bazë për ekzistencën e tij.

Të mirat e kësaj toke i përkasin çdo njeriu

Parimi i destinacionit universal të të mirave të tokës është baza e së drejtës universale për përdorimin e tyre. Kisha nënvizon se bëhet fjalë për një drejtë natyrore, që është pjesë e natyrës së njeriut dhe nuk ndryshon sipas historisë.  Ajo i përket çdo njeriu dhe është parësore në krahasim me çfarëdo ndërhyrje njerëzore mbi të mirat, me çfarëdo rendi juridik që i rregullon, me çfarëdo sistemi dhe metode ekonomiko-shoqërore, pasi të gjitha të drejtat e tjera, të çfarëdo lloji, përfshirë këtu edhe ato për pronën dhe për tregtinë e lirë, varen prej saj. Kjo nuk do të thotë se secili mund të bëjë çfarë të dojë. Përdorimi i drejtë dhe i barabartë i të mirave ka nevojë për ndërhyrje, fryt i marrëveshjeve kombëtare e ndërkombëtare, si edhe për një rend juridik, që e përcakton dhe e sqaron atë.

Vizion ekonomik i frymëzuar prej vlerave morale

Parimi i destinacionit universal të të mirave, sipas Kishës Katolike, kërkon një vizion ekonomik të frymëzuar prej vlerave morale, në mënyrë që të realizohet një botë e drejtë dhe solidare, në të cilën pasurimi të ketë funksion pozitiv. Puna për shtimin e pasurisë është rezultat i një procesi, ku përfshihen përpunimi i të mirave të kësaj bote, si edhe përdorimi i fantazisë, aftësisë projektuese dhe impenjimit të njerëzve e popujve, pa i përjashtuar a shfrytëzuar ata. Kështu, ndërtohet një botë më njerëzore, «në të cilën përparimi i disave nuk është pengesë për zhvillimin e të tjerëve, as pretekst për nënshtrimin e tyre», siç nënvizon Kongregata për Dotrinën e Fesë, në “Libertatis conscientia”.

Destinacioni universal i të mirave dhe prona private

Nëpërmjet punës, njeriu, duke përdorur inteligjencën e tij, arrin ta sundojë tokën dhe ta bëjë atë banesën e vet të denjë, duke u bërë pronar i asaj pjese të tokës, që e ka fituar me punë. Këtu qëndron origjina e pronës individuale. Prona private dhe format e tjera të zotërimit privat të të mirave i sigurojnë secilit hapësirën e nevojshme për autonominë personale e familjare dhe duhet të konsiderohen si shtrirje e lirisë njerëzore. Përbëjnë, së fundi, njërin prej kushteve të lirive civile, pasi nxisin zbatimin e detyrave dhe të përgjegjësive. Prona private është element themelor i një politike ekonomike njëmend shoqërore e demokratike dhe është garanci e një rendi të drejtë shoqëror. Doktrina shoqërore kërkon që kjo pronë të jetë njësoj e arritshme për të gjithë, që të gjithë të bëhen, të paktën në njëfarë mase, pronarë.

E drejta për pronë private nuk është absolute

Tradita e krishterë nuk e ka njohur kurrë të drejtën për pronë private si absolute dhe të paprekshme, por në kontekstin më të gjerë të së drejtës së përbashkët të të gjithëve për t’i përdorur të mirat e tërë Krijimit.  Ky parim nuk i kundërvihet së drejtës për pronësi, por tregon nevojën për ta normëzuar atë. Mësimi shoqëror i Kishës nxit që të njihet funksioni shoqëror i çfarëdo forme të zotërimit privat. Njeriu duhet t’i konsiderojë sendet që zotëron ligjërisht jo vetëm si të vetat, por edhe si të përbashkëta, në kuptimin se mund të jenë të dobishme jo vetëm për të, por edhe për të tjerët. Destinacioni universal i të mirave mbart në vetvete disa detyrime mbi përdorimin e tyre nga ana e pronarëve të ligjshëm. Çdo njeri duhet të veprojë në mënyrë që të kërkojë, përveç dobisë personale e familjare, edhe të mirën e përbashkët. E prej kësaj, rrjedh detyra e pronarëve që të mos i mbajnë të pashfrytëzuara të mirat që zotërojnë, duke përfshirë frytet e përparimit të fundit ekonomik e teknologjik. Njohuritë e reja teknike dhe shkencore duhet të vihen në shërbim të nevojave parësore të njeriut, në mënyrë që gradualisht të mund të shtohet pasuria e përbashkët e njerëzimit, pa i përjashtuar disa popuj nga zhvillimi.

Prona individuale nuk është forma e vetme e ligjshme e zotërimit. Një rëndësi të veçantë merr edhe forma e hershme e pronës së bashkësisë që, megjithëse e pranishme në vendet ekonomikisht të përparuara, karakterizon, në mënyrë të veçantë, strukturën shoqërore të shumë popujve të varfër. Por ajo nuk duhet t’i sjellë dëme individit. Mbetet gjithmonë themelore, nënvizon Kisha, sidomos në vendet në zhvillim, ndarja e drejtë e tokës.

Destinacioni universal i të mirave dhe parapëlqimi për të varfrit

Parimi i destinacionit universal të të mirave kërkon që të shihen me kujdes të veçantë të varfrit. Parapëlqimi për të varfrit është zgjedhje e veçantë e Kishës, formë e veçantë e parësisë në ushtrimin e dashurisë së krishterë, e dëshmuar nga krejt Tradita e saj. Jezu Krishti do t’i njohë të zgjedhurit e Vet pikërisht nga sa kanë bërë për të varfrit. Meqenëse “të varfërve po u predikohet Ungjilli”(Mt 11, 5), kjo është shenja se Krishti është i pranishëm. Realizmi i krishterë, ndërsa nga njëra anë vlerëson përpjekjet e lavdërueshme që bëhen për ta mposhtur varfërinë, nga ana tjetër u hap njerëzve sytë para qëndrimeve ideologjike dhe mesianizmave, që ushqejnë iluzionin se mund të zhduket tërësisht nga kjo botë problemi i varfërisë. Kjo do të ndodhë vetëm me kthimin e Jezu Krishtit, kur Ai do të jetë përsëri me ne përgjithmonë. Ndërkohë, të varfrit na janë besuar neve dhe sipas kësaj përgjegjësie do të gjykohemi në fund. Dashuria e Kishës për të varfrit frymëzohet nga Ungjilli i lumnive, nga varfëria e Jezusit dhe nga vëmendja e Tij për të varfrit.

Mësimi i Kishës vlen një herë e përgjithmonë: «Kur u dhurojmë të varfërve gjërat e domosdoshme, nuk u bëjmë atyre dhurata personale, por u japim atë që është e tyrja. Më shumë se një akt dashurie, kryejmë një detyrë drejtësie», siç nënvizonte Shën Gregori i Madh. Edhe kjo hyn në parimin e destinacionit universal të të mirave të kësaj toke.

24 korrik 2025, 09:54