Castel Gandolfo pret Leonin XIV, famullitari i Sh?n Tom?s: "G?zim i madh"
R.SH. / Vatikan
"Jemi jashtëzakonisht të lumtur". Don Tadeusz Rozmus, famullitar i Famullisë Papnore të Shën Tomës nga Villanova, në Castel Gandolfo, bëhet zëdhënës për mediat e Vatikanit në atmosferën e pritjes së gëzueshme të Papës Leoni XIV nga banorët e qytetit, 25 kilometra larg Romës.
Sot, e diel, 6 korrik, në orën 16:30, është planifikuar që Papa Leoni XIV të zhvendoset në Vilat Papnore, në Castel Gandolfo, ku do të kalojë një periudhë pushimi veror deri më 20 korrik, me qëndrimin e ri të planifikuar për mesin e gushtit, nga 15 deri në 17. Që nga përhapja e lajmit, çdo sektor i Castel Gandolfos - nga "strukturat e Vatikanit", "shërbimet papnore" e deri te "muzetë" - punoi për ta pritur sa më mirë Papën.
"Ne, si famulli, po kujdesemi për aspektin liturgjik, sepse brenda pak më shumë se një jave do ta presim Papën brenda mureve të Kishës sonë kushtuar Shën Tomës së Villanovës, që ishte augustinian, si Papa Leoni", shpjegon Don Rozmus.
Të dielën, më 13 korrik, në orën 10:00, Papa do të kremtojë Meshën në këtë famulli kishtare. "Ka edhe shërbime të tjera", shton meshtari.
Pritet një numër më i madh turistësh
Interesi për mbërritjen e Leonit XIV është i jashtëzakonshëm. "E shoh në emailet dhe telefonatat që marr, në kërkesat për të marrë pjesë në Meshë, ose në kërkesat për informacionin sesi do të shkojë gjithçka", thotë Ati Tadeusz. "Nuk e di nëse njerëzit i kanë të dhënat e mia të kontaktit, por marr telefonata me pyetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australia. Është e qartë se mbërritja e Papës ka jehonë të gjerë në mbarë botën. Kuria lokale gjithashtu ka një numër të madh kërkesash".
Jo vetëm pushim!
"Castel Gandolfo nuk është vetëm vend pushimi", shpjegon akoma famullitari, pavarësisht pranisë së mikroklimës së veçantë, krijuar nga liqeni vullkanik, afërsia me detin dhe një lartësi prej rreth 500 metrash, e cila e ul temperaturën mesatare 5 ose 6 gradë më pak se ajo e Romës. "Papa gjithashtu vjen këtu për të punuar në një mjedis të ndryshëm: për të përgatitur enciklika, për të mbajtur takime, duke e shfrytëzuar kohën për punë, por edhe për pushime!