Caritas Internationalis: "mizorit? n? Gaza duhet t? marrin fund"
R.SH. / Vatikan
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar këtë të diele, 20 korrik, në Castel Gandolfo, Papa Leoni përsëriti thirrjen për respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar. Ndërsa në një intervistë me Vatican News, Alistair Dutton, Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Internationalis, përsërit thirrjen e Papës.
Të gjithë vuajmë
"Siç thotë Shën Pali Apostull, kur një pjesë e trupit vuan, të gjithë vuajmë", theksoi Dutton, duke kujtuar sulmin e javës së kaluar në famullinë e vetme katolike të Gazës. Më pas vuri në dukje se dy nga tre të krishterët e vrarë ishin në qendrën e këshillimit Caritas Jerusalem, e cila ofron "këshillim dhe mbështetje psikologjike për njerëzit që jetojnë në kushte të padurueshme". Në emër të Caritas, Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Internationalis shprehu hidhërim dhe zemërim të thellë për situatën. Riafirmoi edhe rëndësinë e nevojën urgjente që "bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi qeverinë izraelite për t'i dhënë fund këtyre sulmeve, që dëmtojnë çdo ditë popullsinë civile".
Asnjë vend nuk është i sigurt
Ndërsa 2.1 milion njerëz në Gaza vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe e strehimit, Dutton rikujtoi nevojën kritike për "ndihmë humanitare në shkallë të gjerë, në mënyra të dukshme dhe të kryera siç duhet". Edhe pse qeveria izraelite njoftoi, në maj, se do të lejonte hyrjen e ndihmës, masat e marra kufizuan sasinë e ushqimit, të ilaçeve dhe mallrave të tjera kryesore. Për më tepër, qindra njerëz u vranë, ndërsa prisnin në radhë për t'i marrë. "Çdo ditë, njëzet deri në tridhjetë njerëz vriten në përpjekjen tragjike për të marrë ushqimin, që u nevojitet për familjet e tyre" - shpjegoi Dutton. Duke i bërë jehonë fjalëve të Papës Leoni, theksoi nevojën për të njohur dhe për të mbrojtur vendet e strehimit e të mirëseardhjes, siç janë kishat, shkollat dhe qendrat shëndetësore.
Kundër ligjit ndërkombëtar
Në fillim të korrikut, Ministri Izraelit i Mbrojtjes propozoi një plan për t’i detyruar palestinezët në Gaza të zhvendoseshin në një kamp në Rafah, duke e quajtur atë "qytet humanitar". Ndërkaq ish-kryeministri Ehud Olmert pati një pikëpamje krejtësisht të ndryshme: e quajti objektin "kamp përqendrimi" ndërsa detyrimin për zhvendosjen e palestinezëve atje, "spastrim etnik". Dutton e përshkroi zonën e Rafah si vend që i mungojnë të gjitha strukturat: strehimi, tualeti ose dushi. "Tani atje nuk ka asgjë, megjithatë njerëzit janë urdhëruar të largohen" - pohoi - e në vijim argumentoi se askush nuk duhet të detyrohet kurrë të emigrojë. Kjo - shtoi - shkel ligjin ndërkombëtar për të cilin shtetet anëtare kanë rënë dakord vazhdimisht. Është themelore - vazhdoi akoma Dutto - që "ne t'i themi qartë Shtetit të Izraelit se nuk mund të vazhdojë më kështu dhe se shtetet e tjera duhet t’i japin fund mbështetjes së Izraelit, gjë që e lejon t’i vazhdojë mizoritë kundër popullit të Gazës".
Nevojë urgjente për ndihma
Pse është kaq e rëndësishme tani të respektohet e drejta humanitare në Gaza? Gjatë marrëveshjes së fundit të armëpushimit, 600 kamionë të ngarkuar me ndihma arritën të hynin në Rripin e Gazës. Por që nga përfundimi, në mars, "bashkësia ndërkombëtare u bllokua në hyrje dhe niveli i ndihmës që vjen tani, është pjesë fare e vogël", në krahasim me atë që ishte më parë. Tani, theksoi Dutton, mënyra se si shpërndahet ndihma është absolutisht themelore. Bëhet në një mënyrë që u jep përparësi të moshuarve, prindërve dhe atyre që janë më pak të aftë të udhëtojnë për ta marrë.
Megjithatë, marrja e ndihmës është edhe më e vështirë sepse, vijoi Dutton, Sekretar i Përgjithshëm i Caritas Internationalis, të gjitha pikat e shpërndarjes të përdorura më parë nga Caritas janë bllokuar e vetëm katër pika ndihme ushqimore kanë mbetur në të gjithë Rripin e Gazës. Edhe sigurimi me furnizime mjekësore ka qenë tejet i kufizuar. Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Internationalis theksoi se shumë klinika dhe spitale janë mbyllur e, edhe ato që mbeten hapur, kanë shumë pak furnizime. Saktësoi edhe se pas sulmit kundër famullisë së Familjes Shenjte, "dy nga të dërguarit në spital vdiqën pak më vonë nga mungesa e furnizimeve mjekësore bazë". Mesazhi i Dutton është i qartë: "Kemi nevojë që bombardimet dhe mizoritë të ndalen menjëherë".
Rreziku i Urisë
Në një deklaratë të lëshuar sot, 21 korrik, Caritas Internationalis kujton rrezikun e urisë në Gaza dhe thekson se "çdo ditë, dhjetëra njerëz vriten ndërsa presin në radhë për ujë dhe ushqim. Deri sot numri i tyre ka arritur në 750 vdekje dhe 5,000 lëndime. Ushqimi, uji dhe nevojat e tjera themelore bllokohen dhe shpërndahen sistematikisht në një nivel thjesht simbolik". "Në frymën që na udhëzon", thuhet në deklaratë, "Caritas Internationalis dënon me fjalët më të ashpra të gjitha këto akte dhe mosveprime. Ato përfaqësojnë një shpërfillje të hapur për vlerat dhe parimet themelore të njerëzimit dhe shkelin qartë të drejtën ndërkombëtare, të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe dispozitat e shumta të konventave specifike të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit".
Sekretari i Përgjithshëm i Caritas Internationalis deklaron gjithashtu se situata aktuale shkon përtej të gjithë kufijve ligjorë dhe moralë, e, për këtë arsye, është e nevojshme t’i jpet fund "ciklit vicioz të urrejtjes, dhunës dhe indiferencës ndërkombëtare, përballë vuajtjeve të mëdha njerëzore”. Heshtja përballë kësaj situate është bashkëfajësi!