Bartolomeu I: duhet ta rikthejm? vizionin shenjt t? njeriut
R.SH. - Vatikan
Ekziston në botë një vizion sundues, "zakonisht i parrëfyer", i përbërë nga "materializmi mbizotërues", nga "mënyra për ta parë realen që e redukton prosperitetin njerëzor në përmasën e tij materiale, duke përjashtuar sistematikisht çdo kujtim të së shenjtës". E ky është një nga problemet themelore, një nga sfidat kryesore me të cilat fetë thirren të përballen sot. Duke hapur, më 29 korrik, takimin e Këshillit Botëror të Feve për Paqe në Stamboll (ku morën pjesë rreth gjashtëdhjetë përfaqësues nga e gjithë bota, edhe nga Shqipëria), Patriarku Ekumenik Bartolomeu foli për vlerën dhe rëndësinë e dialogut ndërfetar, në një epokë që sundohet nga ekonomia dhe teknologjia:
"Takimi i traditave të ndryshme fetare, ndërsa secila sjell me vete një përvojë unike të së shenjtës, bëhet kusht i nevojshëm për të përballuar mungesën e globalizuar të kuptimit e për të riformuluar një diskurs, që guxon të flasë për dashurinë, dhembshurinë, mëshirën, faljen dhe vetëmohimin, jo si vlera morale abstrakte, por si elemente aktive të një realiteti më të plotë".
Dialogu dhe dëshmia
Dëshmia e krishterë i ofron këtij dialogu "një perspektivë që nuk kërkon të sundojë, por të shërbejë: një figurë të Zotit, parë si bashkësi personash, si marrëdhënie e përjetshme dashurie".
Paqja, theksoi primati ortodoks, nuk është ekuilibër statik, por realitet dinamik dhe eskatologjik: është "pritja e një pajtimi përfundimtar të të gjitha sendeve në Krishtin". Vepra e feve e merr kuptimin e saj më të thellë pikërisht nga shpresa e përbashkët për një botë të ardhshme, botë e drejtësisë dhe e dashurisë: "Ne nuk jemi të thirrur të krijojmë një fe të re botërore të bazuar mbi pëlqimin, por, secili nga perspektiva e fesë së vet, të formojmë një aleancë globale të ndërgjegjes, një dëshmi profetike që do ta mbajë të hapur horizontin e transcendencës, në një botë të kërcënuar nga mbytja brenda kufijve të materializmit. Uniteti nuk bazohet mbi atë që besojmë bashkërisht, por mbi dashurinë tonë të përbashkët për njerëzimin dhe mbi referencën tonë të përbashkët ndaj misterit të të vetmit Zot. Kjo është e vetmja paqe e qëndrueshme", vërejti Bartolomeu, duke propozuar një "vizion shenjt të përbashkët të botës", një fushë të gjerë konsensusi, një front të bashkuar kundër dominimit të reduksionizmit materialist. Për më tepër, vazhdoi Patriarku, humbja e marrëdhënies me të shenjtën ka pasoja ekzistenciale dhe shoqërore. Shtrembërimi i konceptit të plotësisë njerëzore "nxit izolimin, shfrytëzimin dhe shkatërrimin ambiental". Njeriu nuk konceptohet më si qenie relacionale e shndërrohet "në njësi autonome, që pretendon mirëqenien e vet në kurriz të të tjerëve dhe të botës natyrore". Një shkreti shpirtërore, ku enden "një shumë individësh në konkurrencë".
Ekonomi, që ka humbur çdo themel moral
Bartolomeu vijon të flasë edhe më konkretisht: "Kriza globale e borxhit, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, është shprehja më e dukshme e një ekonomie që ka humbur çdo themel moral. Pas numrave të paemër dhe produkteve financiare komplekse qëndron realiteti arkaik i skllavërisë. Popullsi të tëra skllavërohen nga një mekanizëm abstrakt që, i bazuar në padrejtësi strukturore dhe sisteme shfrytëzuese huadhënieje, shteron pasurinë e tyre, pengon zhvillimin e tyre dhe hipotekon të ardhmen e tyre. Këtu, përsërit ai, vizioni materialist reduksionist i botës gjen zbatimin e tij më të përsosur: njeriu nuk konsiderohet më njeri, i ngjashëm me Zotin, por shndërrohet në njësi prodhimi e konsumi; numër, në bilancin e një kreditori të padukshëm.
Në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale duket si "fantazmë dixhitale" e këtij vizioni. Për Patriarkun Ekumenik, është "krijimi në dukje i arsyes njerëzore, i inteligjencës së shkëputur nga vetëdija, i trupit nga shpirti", që ngre "pyetje urgjente etike". Borxhi global dhe inteligjenca artificiale "lindin nga e njëjta rrënjë filozofike: apoteoza e abstraksionit dhe e dobisë". Në rastin e borxhit, "abstraksioni është paraja, e ndarë nga ekonomia reale, që e injoron debitorin"; në rastin e inteligjencës artificiale, "abstraksioni janë numrat, që e injorojnë veçantinë e subjektit". Në të dyja rastet, "logjika e dobisë, ndjekja e rendimentit maksimal, qoftë ekonomik apo kompjuterik, mbizotëron mbi çdo vlerë tjetër".