Asizi, gati p?r t? jetuar Ndjes?n e plot?, der? e hapur p?r m?shir?n
R.SH. - Vatikan
"Ndjesa e Asizit mbetet derë e hapur për mëshirën, thirrje universale, që bashkon besimtarë nga të katër anët e botës për të jetuar një çast paqje e pajtimi! Kjo, sipas një deklarate nga Fretërit e Vegjël të Umbrias, lëshuar sot, 10 korrik, na kujton se nga 29 korriku deri më 4 gusht 2025, Asizi do të mirëpresë mijëra shtegtarë për Solemnitetin e Ndjesës së plotë në Porziuncola, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve. Atje, në vitin 1216, Françesku i Asizit kërkoi – e edhe mori nga Krishti - me miratimin e Papës Honorius III – lejën që çdo besimtar, pasi të jetë rrëfyer e penduar, të marrë ndjesën e plotë të mëkateve dhe ndëshkimeve, duke fituar kështu hirin e shëlbimit. Domethënë, një vend në Parriz!
"Vëllezër, dua t'ju dërgoj të gjithëve në Parajsë!" i pati thënë Varfanjaku i Asizit turmës së popullit të mbledhur rreth tij.
Triditshi përgatitor do të hapë javën, nga 29 deri më 31 korrik në orën 21:15, me reflektime të udhëhequra nga Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik për Arabinë Jugore.
Tema e zgjedhur për Triditshin është "Kantika e Vëllait Diell: Besimi i të Rriturve dhe Mrekullia e një Fëmije".
"Në një kohë të shënuar nga luftëra dhe konflikte, veçanërisht në Lindjen e Mesme, zëri i tij autoritar dhe paqebërës", thuhet në deklaratë, "pritet si një fjalë shprese, ngushëllimi e dialogu".
Programi
Më 31 korrik, katekizmi pendestar i Fratit Pietro Marini do të na ndihmojë të udhëtojmë me zemra të përtërira.
Më 1 gusht, Mesha në orën 7:00 të mëngjesit do të kremtohet nga Imzot Domenico Sorrentino, Ipeshkëv i Dioqezave të Assisi-Nocera Umbra-Gualdo Tadino dhe Foligno, i cili do të kryesojë edhe Shërbesën e Mbrëmjes po atë ditë. Në orën 11:00 të paradites, Mesha do të kryesohet nga Frati Massimo Fusarelli, Epror i Përgjithshëm i Fretërve të Vegjël. Më 2 gusht, në Solemnitetin e Faljes, do të zhvillohen kremtime të ndryshme Eukaristike, së bashku me nënshkrimin e Paktit të Miqësisë ndërmjet Shenjtërores së Mëshirës Porziuncola – e Collemaggios, në prani të Imzot Antonio D’Angelo, Kryeipeshkëv Metropolitan i Aquila-s. Në mbrëmje do të thuhet Rruzarja dhe të kremtohet procesioni tradicional me pishtarë ndezur.
Ndër ngjarjet më të pritura është mbërritja e Marshimit të 43-të Françeskan "Tu speranza certa", i cili do të sjellë qindra të rinj në shtegtimin drejt Porciunkolës, më 1 gusht. Do të ketë edhe ngjarje kulturore, duke përfshirë shfaqje teatrale e koncerte.
Thelbi i Ungjillit
"Këtë vit, Ndjesa e Asizit shoqërohet edhe me një përvjetor të veçantë: njëqindvjetorin e Këngës së Krijesave", kujton Eprori i përgjithshëm i Urdhrit të Vëllezërve të Vegjël, Fra Massimo Fusarelli.
"Përmes Këngës së tij, Shën Françesku na mësoi të sodisim krijimin me sy të rinj, duke njohur gjurmën e Krijuesit në çdo qenie. Në Këngë Françesku kërkon falje dhe shkon një hap më tej: lavdëron Krijuesin dhe lyp falje nga dashuria për Të. Është domethënës përfundimi me falje, duke lavdëruar Zotin për dashurinë".
“Kthimi në thelbin e Ungjillit” - kjo është Ndjesa e Porciunkolës për Fratin Francesco Piloni, Ministër Provincial i Fretëve Minorë të Umbries dhe të Sardenjës - “do të thotë kthim te thelbi i Ungjillit: besim i pakufishëm në mëshirën e Zotit. Në këtë kohë ngatërresash dhe krizash në rritje, duket sikur Françesku na thotë ende sot se asnjë nga ne nuk përjashtohet nga mëshira e Atit”.