1700-vjetori i Koncilit t? Nikes?
R.SH. - Vatikan
Dita e sotme, 25 korrik, shënon 1700-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Nikesë, mbajtur në vitin 325. Besojma e sanksionuar nga ai Koncil bashkon të krishterët e të gjitha Kishave: si ata të Kishave historike - Katolike, Ortodokse, Luterane, Kalviniste, Anglikane – ashtu edhe ata të emërtimeve të ndryshme nën emrin e Kishave "Ungjillore" dhe "Pentekostale".
Që këtej, rëndësia ekumenike e kremtimit të sivjetëm, rast unik – që mund ta kuptojmë vetëm në këtë pikë të historisë – për të pranuar dhe për të kremtuar së bashku fenë, që bashkon të gjithë besimtarët në Krishtin.
Koncili, i thirrur nga perandori Konstandin në vitin 325 pas Krishtit, përfundoi më 25 korrik, në përvjetorin e njëzetë të mbretërimit të tij. Ai trajtoi çështje teologjike thelbësore për unitetin e Kishës, në veçanti polemikën ariane mbi natyrën hyjnore të Krishtit. Kështu, formuloi Besojmën e Nikesë, që pohon se Biri e Ati Qiellor janë të njëgjëjtë, duke sanksionuar kështu dogmën e Trinisë Shenjte.
Nikea dhe hyjnia e Krishtit
Problemi themelor në Koncilin e Nikesë ishte caktimi i vendit që zë Fjala e Hyjit - dhe si rrjedhim personi i Jezu Krishtit - në planin e qenies. Ariusi, filozofia e të cilit u përhap në atë kohë, arsyetonte me skemën filozofike greke të momentit, që ishte ajo e "Platonizmit të ndërmjetëm”. Kjo skemë ishte tripalëshe. Parashikonte ekzistencën e një Qenieje supreme, të një qenieje të ndërmjetme (zoti i dytë, deuteros theos, që korrespondon me demiurgun platonik të Timaeus) dhe, së fundi, ekzistencën e qenies së krijuar. Koncili i Nikesë iu largua këtij vizioni mitik, duke përvijuar vetëm një linjë horizontale mbi vertikalen e qenies: atë që ndan Krijuesin nga krijesat, duke e vënë Fjalën vendosmërisht nga ana e Krijuesit.
Ajo që i kërkon botës Koncili i Nikesë, edhe sot, pikërisht për shkak të vlerës së tij dogmatike, është që në çdo kulturë dhe në çdo gjuhë, Jezu Krishti të shpallet "Zot", jo në kuptimin se rrjedh prej hyjnisë, por në kuptimin më të fuqishëm që ka fjala "Zot" në atë kulturë, pa asnjë boshllëk, as ontologjik e as kronologjik, ndërmjet tij dhe një Zoti tjetër mbi të, ndërmjet Zotit me “Z” të madhe e zotit me “z” të vogël, ndërmjet "Hyjit" e "hyjnores". Kjo është ajo që pohon, krejt qartësisht, shprehja e Besojmës "Hyj i vërtetë prej Hyjit të vërtetë".