SHBA, dhimbja e dioqez?s s? Sh?n Bernardinit p?r arrestimet arbitrare t? emigrant?ve
R.SH. / Vatikan
"Ishim dëshmitarë të ndryshimit dhe të aplikimit në zbatimin e ligjit mbi imigracionin në rajonin tonë e, në veçanti, në dioqezën tonë. Autoritetet po rrëmbejnë vëllezër dhe motra pa dallim, pa respektuar të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë, as dinjitetin e tyre, si bij të Zotit". Me një letër të hapur, të dhimbshme dhe shqetësuese, Imzot Alberto Rojas, ipeshkëv i Dioqezës së Shën Bernardinit, në Kaliforninë Jugore, denoncon me forcë disa arrestime qeveritare të konsideruara arbitrare, ndodhur ditët e fundit edhe brenda disa famullive të dioqezës.
Nuk është Ungjilli i Jezusit
“Ndërsa ne e respektojmë dhe e vlerësojmë të drejtën e zbatimit të ligjit për t’i ruajtur bashkësitë tona të sigurta nga kriminelët e dhunshëm” - shpjegon prelati - “tani shohim agjentë që ndalojnë njerëz ndërsa largohen nga shtëpitë e tyre, në punë dhe në vende të tjera publike të zgjedhura rastësisht. Kemi parë, të paktën në një rast, sesi agjentët e Imigracionit dhe të Doganave hyjnë në pronën e famullisë dhe kapin disa vetë. Nuk duhet të jetë e çuditshme që e gjithë kjo po krijon frikë të madhe, konfuzion dhe ankth për shumë njerëz. Nuk është në përputhje me Ungjillin e Jezu Krishtit, që na prin në gjithçka bëjmë”.
Manifestimi është një e drejtë
Imzot Rojas vëren edhe se shumë po dalin në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre kundër politikave aktuale të kontrollit të imigracionit. “Është e drejta e tyre kushtetuese ta bëjnë këtë”, duke i ftuar protestuesit “të veprojnë pa vulgaritet, pa dhunë ndaj të tjerëve e pa shkatërrime të pronës”. Tensioni i mëtejshëm, thekson ai, u krijua nga “vendimi për të vendosur trupa federale të Gardës Kombëtare dhe personel ushtarak në vendet e protestës. Në këtë pikë, kjo duket se vetëm sa rrit nivelin e zemërimit dhe të frikës nga dhuna në rrugë”.
Frika nga besimtarët
Sipas disa mediave lokale, këto arrestime të konsideruara pa dallim kanë kontribuar në frikësimin e besimtarëve deri në atë pikë, sa i kanë penguar të marrin pjesë në kremtimet eukaristike, ndërsa bastisje të tjera të kryera në zonën e Los Angeles shkaktuan panik dhe protesta nga bashkësia lokale islamike.
Ndërkohë, 20 ipeshkvij amerikanë nënshkruan një iniciativë ndërfetare për të kundërshtuar Aktin One Big Beautiful Bill, i cili do të zbatonte dispozitat kryesore të legjislacionit të taksave dhe imigracionit të Presidentit Donald Trump, duke e quajtur atë një dështim moral.